Kryeministri Edi Rama nuk po jep 10 mijë euro për ndjekësit e tij në rrjetet aociale, siç pretendohet në disa profile të rreme në Facebook. Faktoje zbuloi një tjetër skemë mashtrimi, ku mijëra qytetarë kanë komentuar, duke besuar se Rama po ofron një “bonus” të tillë.
Postime të shpërndara në Facebook, në emër të kryeminitrit Edi Rama pretendojnë se ai ofron 10 mijë euro për 400 personat e parë që shkruajnë ‘përshëndetje’ në këtë postim.
“Speciale e Krishtlindjeve…Ju bekoj të gjithëve!! 400 personat e parë që thonë (përshëndetje), u jap 10.000 euro dhe jam i vërtetë”-shkruhet në postimin e profilit Edi Rama në Facebook.
Postimet e shpërndara në Facebook
Publikimi shoqërohet me një video ku shfaqet kryeministri Rama gjatë një komunikimi live me ndjekësit e tij. Në këtë video, Rama flet për çmimet, protestat, por nuk thotë asnjë fjalë për ndonjë shpërblimin prej 10 mijë eurosh.
“Për çfarë protestohet sot dhe kundër kujt protestohet? Se të gjitha vendet që po përjetojnë me të njëjtin çmim kërcimin e çmimeve të energjisë, po të karburantit, po të çmimeve të shportave, po të çmimeve të tjera, po protestojnë, por po pretestojnë kundër shkaktarit që është Rusia, agresioni rus mbi Ukrainën. Nuk ka dalë askush të protestojnë kundër qeverisë së vet”-thotë ndër të tjera Rama në fjalën e tij.
Postimi ka mbi 6 mijë komente, çka është një tregues i qartë që nëpërmjet kësaj skeme dhe duke përdorur emrin e kryeministrit, përdoruesit e kësaj faqe ia kanë arritur që të mashtrojnë qytetarët.
Faqja e Facebook që ka publikuar këtë lojë të rreme ka vetëm 247 ndjekës dhe ky publikim i bërë me ofrimin e “shpërblimin” është i pari.
Ndërsa profili i vërtetë i kryeministrit Rama është me shenjën blu të verifikimit nga Facebook dhe ka mbi 1.6 milionë ndjekës. Në profilin e tij real, në postimet e bëra një ditë më parë, nuk ka asnjë njoftim mbi lojëra shpërblyese me 10 mijë euro.
Këtë fundvit, qeveria po jep shpërblime për disa kategori: si përfituesit e ndihmës ekonomike, invalidët, ata me pension social apo aftësi të kufizuar, të cilët do të marrin 5 mijë lekë shpërblim. Po ashtu, përfitues të shpërblimit do të jenë edhe punonjësit e administratës shtetërore, pjesë e procesit të integrimit të Shqipërisë në BE, si dhe për çdo punonjës policie për kompensimin e tyre ushqimor.
Në asnjë rast nuk flitet për bonuse ’10 mijë euroshe’, pasi nëse do kishte ndodhur vërtetë, do ishte bërë lajm në të gjitha mediat kryesore dhe jo vetëm në vend.
Në artikuj të publikuar më herët, Faktoje ka verifikuar skema identike mashtrimi, ku është përdorur imazhi i këngëtareve Leonora Jakupi, Rita Ora, Enca Haxhiaj, por edhe biznesmenit e politikanit Behgjet Pacolli, me qëllim rritjen e numrit të ndjekësve të profileve në Facebook dhe më pas shitjen e tyre tek bizneset apo individë të ndryshëm.