Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, më 9 shkurt, deklaroi se në vitin 2019 ishte regjistruar shifra më e ulët historike e kultivimit të kanabisit. Lleshaj, duke cituar “burime italiane”, deklaroi se vitin e kaluar ishin kapur nga autoritete italiane 1,448 kg kanabis me prejardhje nga Shqipëria. “Faktoje” mori në shqyrtim të dhënat e “Antimafias” italiane për vitin 2019, ku rezulton se vetëm nga operacionet kryesore, është sekuestruar dyfishi i sasisë së deklaruar nga Lleshaj.
Gjatë seancës plenare në Kuvend, më 3 shkurt të këtij viti, ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, i thirrur në interpelancë deklaroi se “treguesit objektivë” vërtetojnë se niveli i kultivimit të kanabisit në Shqipëri është ulur në nivele historike. Për të konfirmuar këtë argument, Lleshaj iu referua sasisë së kanabisit me prejardhje Shqipërinë, të sekuestruar nga Italia gjatë vitit 2019.
Në vitin 2019 kemi minimum historik të kultivimit të kanabisit. Përgjithësisht kanabisi është prodhuar për trafikim dhe “klienti” kryesor ka qenë Italia. Nga burime italiane, në 2019 janë trafikuar, janë kapur 1448 kg kanabis, nga 6586 një vit më parë, apo mijëra e mijëra në historinë tonë – u shpreh Lleshaj.
“Faktoje”, mori në shqyrtim të dhënat e publikuara nga Drejtoria Investigative Antimafia e Italisë, në dy raportet për vititn 2019.
Sipas të dhënave të DIA-s, vetëm në operacionet ku ky sektor ka marrë pjesë, të konsideruara edhe si operacione madhore, janë sekuestruar 2,855 kg, ose dyfishi i sasisë së deklaruar nga ministri i Brendshëm, Lleshaj.
Nga verifikimi i kryer dhe referuar shifrave për këtë çështje, deklaratën e Mininstrit të Brendshëm Lleshaj, do ta kategorizojmë si “Të Pavërtetë”.