KLEVIS PALOKA
Një sërë vendimesh e urdhëresash nxorri ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj pas marrjes së detyrës. Një ndër to ishte edhe heqja e praktikës së dublimit të semaforëve me punonjës policie.
“Përmes një shkrese drejtuar Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj kërkon ndalimin e praktikës së ashtuquajtur ‘postoblloqe policore’ në akset e vendit, si dhe heqjen e praktikës së dublimit të semaforëve me punonjës policie, në kryqëzimet e rrugëve urbane.”, kështu shkruhej nëpërmjet një postimi bërë në Facebook nga Ministria e Brendshme me 14 dhjetor 2018.
Në jo pak raste qytetarë të ndryshëm sinjalizonin për prezencë të punonjësve të policisë nëpër rrugë jo vetëm në kryeqytet por edhe më gjerë. Megjithatë, duke u nisur edhe nga vendimi i ministrit Lleshaj, Faktoje vendosi të monitorojë disa nga akset kryesore në metropolin shqiptar, por edhe rrugë të tjera jashtë Tirane, për të parë sa funksional ishte urdhri i ministrit dhe nëse zbatohej me përpikmëri nga institucionet në varësi dhe punonjësit e tyre.
Por nga vëzhgimi i Faktojes rezulton krejt ndryshe, pasi nuk ishte e vështirë që në disa rrugë apo kryqëzimë rrugësh të shikoje jo rrallë “postoblloqe policore” apo policë që dublojnë semaforët. Të tilla pamje janë vënë re në Rrugën e Elbasanit,në rrugën “ Ibrahim Rugova”, në bulevardin “ Dëshmorët e Kombit”, në Kamëz, Lushnjë, Laç etj.
Mesa duket kërkesat e ministrit Lleshajt kanë rënë në “vesh të shurdhër” ose duan edhe pak kohë për të qenë funksionale plotësisht. Duke qënë se kërkesat e ministrit Lleshajt nuk janë zbatuar sipas urdhërit të dhënë, këtë premtim do ta kategorizojmë si të PAMBAJTUR.