Pretendimi: Lija e majmunit është një sëmundje që përhapet kryesisht nga meshkujt homoseksualë.

Verdikti: Mungon konteksti

—————————————————————–

Më 14 gusht 2024, Organizata Botërore e Shëndetit (OBSh) e deklaroi epideminë e lisë së majmunit në Afrikë një emergjencë të shëndetit publik me interes ndërkombëtar. Lija e majmunit është një sëmundje virale që shkaktohet nga virusi MPV.

Më pas, në rrjete sociale nisi të qarkullojë sërish pretendimi se kjo sëmundje prek kryesisht meshkujt që kryejnë marrëdhënie seksuale me meshkuj. Nisur nga ky pretendim, postimet në rrjete sociale shpërfillin rrezikun e përhapjes së këtij virusi. 

Deklarata zyrtare e OBSh lidhur me këtë epidemi shpjegon se versioni i ri i virusit që po përhapet në Republikën Demokratike të Kongos duket se po transmetohet kryesisht nëpërmjet “rrjeteve seksuale”, por nuk përmend homoseksualitetin apo biseksualietin.

Sipas OBSh, lija e majmunit mund të transmetohet kryesisht nga kontakti i afërt me një bartës, përfshi anëtarët e një familjeje. Kontakti i afërt përfshin kontaktin lëkurë me lëkurë (prekja), kontaktin gojë me gojë dhe gojë me lëkurë (puthje). Lija e majmunit mund të transmetohet edhe duke qenë përballë me një bartës, me anë të spërklave të sistemit të frymëmarrjes. 

Njerëzit gjithashtu mund të marrin virusin nga objekte të kontaminuara si veshjet, përmes lëndimeve nga gjilpërat në sistemin e kujdesit shëndetësor ose në mjedise komunitare si sallonet e tatuazheve. Gjatë shtatzënisë ose lindjes, virusi mund të kalojë nga nëna tek fëmija.

Transmetimi nga kafsha e infektuar te njeriu ndodh nga kafshimet ose gërvishtjet, ose gjatë aktiviteteve si gjuetia, rrjepja, gatimi, ngrënia ose prekja e kufomave të kafshëve të infektuara. Në 2003, një numër kafshësh ekzotike të importuara nga Gana në ShBA ia transmetuan virusin 71 personave.

Orientimi seksual apo aktivitete specifike seksuale nuk përmenden si faktorë të veçantë rreziku lidhur me transmetimin e virusit.

Ndër rastet e para të shpërthimit të lisë së majmunit në Kongo në fund të 2023, prositutat ishin “grupi kryesor i profesionit” (14.6%). Mënyra e transmetimit në këto raste ishin marrëdhëniet heteroseksuale. Dy prej 24 nga këto gra humbën jetën si pasojë.

Megjithëse lija e majmunit mund të përhapet tek kushdo, nëpërmjet kontaktit të afërt, pavarësisht nga gjinia apo orientimi seksual, është e vërtetë që profesionistët e shëndetit kanë gjetur një përqindje të konsiderueshme të rasteve mes meshkujve që kryejnë marrëdhënie seksuale me meshkuj. 

Meqenëse ky virus zakonisht transmetohet përmes kontaktit të drejtpërdrejtë pasi futet në një komunitet, ka më shumë gjasa të përhapet fillimisht nëpër atë komunitet. 

Ekspertë të shëndetit publik kanë theksuar një faktor që mund të ndikojnë në zbulimin e rasteve kryesisht në komunitetin homoseksual. Pjesëtarët e këtij komuniteti kanë më shumë gjasa të kryejnë testime të rregullta për sëmundje seksualisht të transmetueshme. 

Faktoje ka pëgënjeshtruar edhe më parë pretendimin se meshkujt homoseksualë dhe biseksualë janë burim kryesor i përhapjes së lisë së majmunit.