BallinaFaktometerE PavërtetëDebunking: Lija e majmunit dhe homoseksualët e biseksualët

Debunking: Lija e majmunit dhe homoseksualët e biseksualët

Ardi Pulaj

Një informacion i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) kur e shpalli linë e majmunit emergjencë globale, se disa raste të sëmundjes janë identifikuar përmes klinikave të shëndetit seksual në komunitetet e homoseksualëve, biseksualëve dhe meshkujve të tjerë që kryejnë marrëdhënie seksuale me meshkuj, u përdor nga ish ministri i Shëndëtësisë dhe deputeti i Partisë Demokratike, Tritan Shehu për t’i kërkuar autoriteteve që të sensibilizojnë meshkujt e komunitetit LGBTQI+.  Kjo sepse sipas Shehut, meshkujt gay dhe biseksualë janë burim kryesor i përhapjes së lisë së majmunit. Faktoje sjell deklaratat dhe faktet nga OBSH.

Në një postim të gjatë në rrjetin social Facebook, Tritan Shehu, deputeti i Partisë Demokratike, që në qeveritë e kaluara ka mbajtur dhe postin e ministrit të Shëndetësisë, i kërkoi autoriteteve shqiptare që të ndërmarrin një fushatë sensibilizuese për meshkujt e komunitetit LGBTQI+.

“Meshkujt gay dhe biseksualë janë burim kryesor përhapje i Lisë së majmunit!… Unë nuk e kuptoj pse Ministria jonë e shëndetësisë, grupi i punës i krijuar për tju kundërvënë këtij infektimi, ndaj te cilit tashmë OBSh ka ndezur “dritën e kuqe”, nuk thotë asnjë fjalë për këtë konstatim të rëndësishëm,” shkruan ndër të tjera Shehu.

Postimi i plotë i Shehut në Facebook

 Mediat në Shqipëri morën postimin e Shehut dhe e kthyen në lajm, të formatit copy-paste, pa shkuar më shumë se një deklaratë e një politikani, pa marrë informacionet nga OBSH dhe pa dhënë një kontekst më shumë se një postim i riprodhuar.

 

Duke kërkuar që Shqipëria të ndërmarrë një fushatë ndërgjegjësimi, ashtu si bëri me fushatat gjatë pandemisë së COVID-19, deputeti demokrat Tritan Shehu bën thirrje që edhe për linë e majmunit, ministria të bëjë të njëjtën gjë.

“Mbrojtja e shëndetit të qytëtarëve është një“fushë” shumë e gjerë e komplekse, pjesë e së cilës është dhe komunikimi transparent, direkt, shpjegues me ata. Kjo duhet të jetë dialoguese-sqaruese, realiste, pa komplekse, pa tabura dhe me profesionalizëm të pa influencuar nga interferenca censuriale primitive, si pa fshehje të konstatimeve, ashtu dhe pa eksese ekstreme të rrezikeshme. E paguam dhe vazhdojmë akoma ta paguajmë shumë shtrenjtë atë “fushatë” anormale, që kjo qeveri realizoi ndaj Covid,” shkruan Shehu në Facebook.

Por deklaratat e tij sollën reagimin e aktivistit të të drejtave LGBTI+, Kristi Pinderi, i cili thekson se “një ndër parimet kryesore të një komunikimi efektiv sidomos për edukimin në fushën e shëndetit publik është që personi apo institucioni që e nis edukimin dhe informimin duhet të jetë i besueshëm e duhet të ketë një qëllim të mirë.”

Reagimi i aktivistit Kristi Pinderi në Facebook

“Kur vjen puna për LGBT, Tritan Shehu nuk është as i besueshëm e nuk e ka as qëllimin e mirë. Ai është një ndër 2 apo 3 politikanët shqiptarë që për arsye personale dhe politike e ka shndërruar homofobinë dhe transfobinë në pasaportë, e ka bërë pjesë të identitetit të vet politik dhe publik. Shqipëria do bënte mirë t’u ofronte vaksinat e dyta të gjithë shqiptarëve pavarësisht orientimit seksual,” shkroi Pinderi në Facebook.

Masat e ministrisë së Shëndetësisë

Teksa është e vërtetë që ministria e Shëndetësisë, ashtu si thotë Shehu, nuk ka ndërmarrë një fushatë në përmasat e asaj të Covid-19, autoritetet në vija të përgjithshme kanë informuar publikun mbi masat që po marrin për parandalimin, por edhe trajtimin e lisë së majmunëve.

Ministria e Shëndetësisë, thotë se vendi ynë është pjesë e vendeve me risk të ulët. Megjithatë janë marrë të gjitha masat si dhe është ngritur Komiteti i Ekspertëve.

“Kemi fuqizuar kapacitetet tona në laboratorin e virologjisë në Institutin e Shëndetit Publik. Aktualisht kanë mbërritur në Institut përgjatë kësaj periudhe 3250 teste për identifikimin dhe diagnostikimin e lisë së majmunëve,” u shpreh më 25 korrik ministrja e Shëndësisë Ogerta Manastirliu, e cituar nga Euronews.

Foto nga lajmi i publikuar nga Euronews

Sipas të njëjtit raport, mjekët shqiptarë po marrin trajnime nga ekspertë të OBSH-së, për të bërë dallimin nga linja e dhenve, pasi shenjat janë thuajse të njëjta: temperaturë, skuqje, dhimbje koke dhe ënjtje e gjëndrave.

Direktivat e OBSH dhe specifikat për infektimin e homoseksualëve e biseksualëve

Në një përditësim të 18 korrikut mbi sëmunfjen, OBSH ofron këshilla për shëndetin publik për homoseksualët, biseksualët dhe burrat e tjerë që kryejnë marrëdhënie seksuale me meshkuj në kohën e shpërthimit të lisë së majmunit.

“Një sëmundje e quajtur lija e majmunëve po shpërthen aktualisht në shumë vende që zakonisht nuk kanë raste. Kjo mund të jetë shqetësuese, veçanërisht për njerëzit, të dashurit e të cilëve ose komuniteti janë prekur. Disa raste janë identifikuar përmes klinikave të shëndetit seksual në komunitetet e homoseksualëve, biseksualëve dhe meshkujve të tjerë që kryejnë marrëdhënie seksuale me meshkuj,” thotë OBSH.

Por thirrja e Organizatës Botërore të Shëndetësisë, që përmendet në postimin në Facebook të deputetit të PD-së, Tritan Shehu, sqaron se lija e majmunit nuk kufizohet vetëm te meshkuj që bëjnë seks me meshkujt:

“Është e rëndësishme të theksohet se rreziku i lisë së majmunit nuk kufizohet vetëm tek meshkujt që kryejnë marrëdhënie seksuale me meshkuj. Kushdo që ka kontakt të ngushtë me dikë që është infektues është në rrezik. Megjithatë, duke pasur parasysh se virusi po identifikohet në këto komunitete, të mësuarit për linë e majmunit do të ndihmojë të sigurohet që sa më pak njerëz të preken dhe se shpërthimi mund të ndalet”, sqaron OBSH.

Dokumenti i OBSH-së që sqaron se rreziku i lisë së majmunit nuk kufizohet vetëm tek meshkujt që kryejnë marrëdhënie seksuale me meshkuj

OBSH në dokumentin e korrikut 2022 jep informacione se si përhapet lija e majmunëve, çfarë të bëni nëse mendoni se keni simptoma dhe si të mbroni veten dhe të tjerët. Mund të përdoret nga drejtuesit e komunitetit, ndikuesit, punonjësit e shëndetësisë dhe njerëzit e përfshirë në aktivitete sociale për të informuar dhe angazhuar komunitetet e burrave që kryejnë marrëdhënie seksuale me meshkuj.

Por teksa OBSH e shpalli linë e majmunit emergjencë globale, në Shqipëri epidemiologu Ilir Alimehmeti shkroi në Facebook më 27 korrik se ishte kundër këtij vendimi.

“Nuk ka arsye për shqetësim në nivel komuniteti. Tedros Adhanom Ghebreyesus [kreu i OBSH] bën mirë të ndjekë votën e ekspertëve dhe jo të vendosë vetë në mënyrë arbitrtare. Duke bërtitur globalisht ‘Ujku, ujku! Majmuni, majmuni!’ do të minojë besimin e qytetarëve ndaj OBSH,” thotë Alimehmeti që gjithashtu ofron edhe statistika numrin e të prekurve në Europë; homoseksualë, biseksualë dhe heteroseksualë.

Lija e majmunit, jehona e së shkuarës për komunitetin gay

“Lija e majmunit ka ngjallur zhgënjim dhe ankth tek meshkujt homoseksualë dhe biseksualë në Nju Jork, të cilët kujtojnë gabimet dhe diskriminimin gjatë viteve të para të krizës së SIDA-s”, shkroi The New York Times në një artikull të 28 korrikut, disa ditë pasi OBSH dha informacionin se disa raste të lisë së majmunit u gjetën te meshkujt e komunitetit LGBTQI+.

Artikulli i The New York Times

Artikulli i të përditshmes amerikane shkruan së në Nju Jork, ekziston një frikë në masë nga virusi, i cili kryesisht përhapet përmes kontaktit të ngushtë fizik dhe shkakton lezione torturuese dhe simptoma të tjera që mund të çojnë në shtrimin në spital. Ekziston frika e izolimit dhe stigmës së mundshme të një infeksioni, pasi ata që preken nga lija e majmunit duhet të qëndrojnë në shtëpi për javë të tëra. Ndërsa disa kanë frikë nga vetë vaksina, në një jehonë të hezitimit dhe mosbesimit që pengoi përgjigjen ndaj koronavirusit.

“Disa janë të shqetësuar se lija e majmunëve mund të shndërrohet në një armë politike për t’u përdorur kundër homoseksualëve dhe transgjinorëve, të drejtat e të cilëve janë në shenjestër të kritikave në rritje nga republikanët amerikanë muajt e fundit,” shkruan gazeta amerikane.

Ndaj edhe në vende të tjera ku komunitetet LGBTQI+ janë të shënjestruara dhe pjesë e diskriminimit, këshilla e OBSH-së duhet lexuar ashtu siç është, se rreziku i lisë së majmunit nuk kufizohet vetëm tek meshkujt që kryejnë marrëdhënie seksuale me meshkuj.

*Foto kryesore marrë në web

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img