BallinaGjurmo ParanëLezhë, në pallatin gjysmë të shembur jeta ‘vazhdon normalisht’

Lezhë, në pallatin gjysmë të shembur jeta ‘vazhdon normalisht’

Bashkia e Lezhës, e prekur tërmeti i 26 nëntorit 2019, numëron 9 pallate të shembura nga 10 të planifikuara. Pallati i mbetur rezulton të jetë një objekt gjysmë i shembur në rrugën “Luigj Gurakuqi” ku në pjesën ekzistuese, disa biznese dhe familje jetojnë pa e ditur nëse ndërtesa është ose jo për t’u shembur. Ndërkohë procesi i rindërtimit të pallateve po zvarritet në shumicën e objekteve. 4 pallatet në rrugën “Hydajet Lezha” duhet të ishin gati që në muajin maj, por aktualisht janë ngritur vetëm si struktura, ndërsa 3 pallatet e parashikuara për rindërtim në rrugën “Kolë Toma” janë ende në fazën fillestare.

………………………..

“Do të procedohet me rindërtimin nga e para të 10 pallateve, nga të cilat do përfitojnë apartamente të tjera më shumë se 200 familje.”- deklaroi në një intervistë për ATSH-në, më 2 janar të vitit 2021, prefekti i Qarkut të Lezhës, Gjok Jaku.

Nisur nga kjo deklaratë, ne iu drejtuam me një kërkesë për informacion bashkisë Lezhë dhe pyetëm se sa pallate janë planifikuar për t’u shembur dhe më pas për t’u rindërtuar.

Përgjigja e Bashkisë Lezhë për Faktoje

Sipas përgjgijes së Bashkisë Lezhë janë 91 pallate të dëmtuara nga tërmeti, ku nga këto:

-39 pallate janë për përforcim

-42 pallate janë për rikontruksionin e ambienteve të përbashkëta

-10 pallate janë për shembje (9 pallate janë shembur dhe janë në proces rindërtimi)”, theksohet në përgjigjen e Bashkisë Lezhë për Faktoje.

Bashkia nuk specifikon se cili është pallati që ende nuk është shembur.

Përgjigja e Bashkisë Lezhë për Faktoje

Faktoje shkoi në Lezhë në muajin shtator për të verifikuar se cili është objekti i fundit i planifikuar të shembet dhe për të parë se në çfarë faze ishte procesi i rindërtimit të pallateve të reja.

Gjatë vëzhgimit në terren, vumë re se pallatet nuk kishin numra, ashtu siç identifikohen në listën e dërguar nga bashkia e Lezhës.

Pallat në rrugën “Luigj Gurakuqi”, 14 shtator 2021

Në rrugën “Luigj Gurakuqi”, aty ku figuron objekti për t’u shembur sipas bashkisë, rezulton se ishte shembur gjysma e pallatit. Pavarësisht pamjes së rrënuar që dëshmon kjo foto e shkrepur ne muajin shtator, mësuam se pallati gjysmëgërmadhë banohet nga disa familje.

Disa banorë të këtij pallati, na komunikuan se ata nuk kishin dëmtime brenda apartamenteve të tyre.

“Nuk kemi pasur dëmtime nga tërmeti. Nuk na është thënë gjë për t’u shembur kjo pjesa ku jetojmë ne”- thotë për Faktoje një prej banorëve, që nuk pranoi të identifikohej.

Pallat në rrugën “Luigj Gurakuqi”, 14 shtator 2021

“S’kemi informacion që do shembet. Është dëmtuar pjesa tjetër e pallatit, jo kjo këtu”- shprehet një tjetër banor.

Në katin e parë të këtij pallati ushtrojnë qetësisht aktivitetin disa biznese që ashtu si banorët, nuk kishin informacion nëse objekti ishte në plan për t’u shembur ose jo.

Pallat në rrugën “Luigj Gurakuqi”, 14 shtator 2021

Përreth këtij gjysmëpallati, gjenden inertet e papastruara pas shembjes së gjysmës tjetër, ndërsa banorët bashkëjetojnë qetësisht me këtë realitet.

Ne iu drejtuam sërish me një kërkesë për informacion Bashkisë Lezhë, ku u interesuam nëse objekti ekzistues në rrugën “Luigj Gurakuqi” është pallati 71, i renditur në listën e objekteve për t’u shembur dhe se si do veprohet me këtë gjysmë-ndërtesë. Jemi ende në pritje të një përgjigje nga Bashkia Lezhë.

Kërkesa për informacion dërguar Bashkisë Lezhë

Procesi i rindërtimit të pallateve po zvarritet

Pas verifikimit në pallatin në rrugën “Luigj Gurakuqi” Faktoje bëri një vëzhgim në kantierët ku po punohet për rindërtimin e pallateve të tjerë.

Në rrugën “Kolë Toma” është hapur kantieri për 3 pallate, sipas informacionit të shpallur në tabelën e punimeve, por puna ishte ende në fazën fillestare.

Kantier ndërtimi në rrugën “Kolë Toma”, 14 shtator 2021

Në tabelë shfaqen të dhëna për investitorin, që është FSHZ, zbatuesit e projektit dhe vlerën prej 283.150.000 lekë, por mungon afati i punimeve, data e nisjes dhe përfundimit të tyre, edhe pse siç e kemi theksuar në verifikimet e mëparshme, ky është një detyrim ligjor.

Gjatë verifikimit që bëmë në kantierin pranë rrugës “Hydajet Lezha”, konstatuam se janë ngritur strukturat për 4 pallate, të cilat, sipas informacionit të tabelës së punimeve, duhet të kishin përfunduar në maj të këtij viti. Projekti me financues qeverinë, zhvillues FSHZH dhe me vlerë 467, 500.00, mban si datë të nisjes së punimeve nëntorin 2020.

Kantier ndërtimi në rrugën “Hydajet Lezha”, 14 shtator 2021

Ndërkohë, në lagjen “Skënderbeg” ka përfunduar ndërtimi i pallatit 88.

Pallati ‘88’ në Lezhë

Në vitin 2020, Komisioni Shtetëror i Rindërtimit miratoi Vendimin e Këshillit Bashkiak të Lezhës për financimin e rikonstruksionit të objekteve të dëmtuara rëndë apo të dëmtuara lehtë, që rezultojnë me shkallë dëmtueshmërie DS1-DS3, që nuk duhen rindërtuar nga e para, por kanë nevojë për punime rikonstruksioni ose riparime.

Sipas vendimit për 43 përfitues të klasifikuar me shkallë dëmtimi DS1 do të lëvrohet fondi me vlerë 4,3 milionë lekë; për 53 përfitues të klasifikuar me shkallë dëmtimi DS2 vlera e fondit do të jetë 13,2 milionë lekë; për 111 përfitues të klasifikuar me shkallë dëmtimi DS3 vlera e fondit do të jetë 55,5 milionë lekë.

vendim përcaktohet se për qytetin e Lezhës do të lëvrohet edhe fondi me vlerë 63 milionë lekë për ndërhyrjet në strukturë për pallatet me dëmtime, sipas shkallës DS4 dhe DS5.

Ilda Hoxha
Ilda Hoxha
Gazetare Ka përfunduar studimet në nivelin “Bachelor” për “Gazetari dhe Shkenca Komunikimi” në “Universitetin e Tiranës” dhe studimet në nivelin “Master Shkencor” në drejtimin “Marketing Mediatik”. Ka punuar si gazetare në “Top Albania Radio” në periudhën janar 2013-dhjetor 2014. Ka punuar si gazetare në “Gazetën Shqip” në print për çështjet sociale në periudhën dhjetor 2014- korrik 2016. Në periudhën shkurt 2015-gusht 2017 ka punuar për “Votra Magazine”, ku ka mbuluar pjesën e marketingut të saj, por edhe shkrimin e artikujve me karakter kulturor dhe promovues për Shqipërinë. Ka punuar si redaktore në “Gazetën Shqip Online” në periudhën korrik 2016-deri më 19 maj 2021. Në periudhën qershor-gusht 2021 ka punuar si gazetare në emisionin “Pushime On Top” në Top Channel.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img