BallinaPertejNë 3 kantiere të rindërtimit mungojnë tabelat informuese, edhe pse është detyrim ligjor

Në 3 kantiere të rindërtimit mungojnë tabelat informuese, edhe pse është detyrim ligjor

JOEL ÇELA & EDIT NIKOLLI

Tabelat e punimeve janë të detyrueshme të vendosen në momentin e hapjes së kantierit të ndërtimit, sipas një vendimi të Këshillit të Ministrave të vitit 2015. Ne vëzhguam disa nga zonat e Rindërtimit nëse ishte zbatuar ky detyrim, i cili i shërben edhe transparencës. Në të paktën 3 prej lagjeve të reja që po rindërtohen në Tiranë, Fushë Krujë e Bubq, ky detyrim ligjor nuk është zbatuar.


VKM nr. 894 të datës 4.11.2015, “Për unifikimin e procedurave të kontrollit të territorit nga Inspektoriati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit dhe ai i njësisë vendore” theksohet se tabela e punimeve vendoset në kantierin e punimeve në momentin e hapjes së tij, në një vend të dukshëm ku përfshihen të dhënat përkatëse.

VKM nr. 894, e datës 4.11.2015

Tabela e ndërtimit është e rëndësishme për transparencën pasi përmban të dhëna të tilla si përshkrimin e objektit që do ndërtohet, subjekti i kontraktuar, vlera monetare e kontratës si dhe data e fillimit dhe përfundimit të objektit.

Më 31 mars 2021, Faktoje vizitoi disa nga kantieret kryesore të rindërtimit në bashkitë e dëmtura nga tërmeti i 26 nëntorit të vitit 2019. Në 3 prej lagjeve të reja që po zhvillohen si pjesë e këtij procesi, konstatuam se tabelat e punimeve mungonin.

Në lagjen e re në zonën e “5 majit” në Tiranë, në kantierin e shtëpive individuale në Thumanë si dhe në kantierin e shtëpive individuale në Bubq nuk gjetëm asnjë tabelë punimesh.

Lagjja e re tek “5 maji”

Lagjia e re tek zona e “5 maj”-it, 31 mars 2021

Lagjia e re e rindërtimit tek zona “5 maji” parashikon ndërtimin e 9 pallateve për strehimin e 11 mijë banorëve.

Lagjia e re tek zona e “5 maj”-it, 31 mars 2021

Ne i ramë rretheqark kantierit të rindërtimit, por nuk gjetëm asnjë tabelë të vetme punimesh. Kur pyetëm një punëtor tek kantieri për tabelat e punimeve, ai na u përgjigj se tabelat i kishin sjellë një herë kur ishte kryeministri, por më pas i kishin marrë prapë.

Lagjia e re tek zona e “5 maj”-it, 31 mars 2021

Një tjetër punëtor në kantierin e ndërtimit tek “5 Maji”, na tha se tabelat e punimit i ka bashkia. Edhe sipas tij, tabelat i sollën vetëm një herë dhe më pas i morën sërish.

Kantieri i shtëpive individuale në Thumanë

Kantieri i shtëpive individuale në Thumanë, 31 mars 2021

Ne shkuam të verifikonim edhe kantierin e shtëpive individuale në Thumanë. Aty janë parashikuar 155 banesave të reja për për banorët e dëmtuar nga tërmeti.

Kantieri i shtëpive individuale në Thumanë, 31 mars 2021

Ne e përshkuam në këmbë të gjithë kantierin dhe sërish, ashtu si tek zona “5-maji” në Tiranë, nuk gjetëm ndonjë tabelë punimesh.

Kantieri i shtëpive individuale në Thumanë, 31 mars 2021

Edhe në këtë kantier të rindërtimit nuk ishte zbatuar detyrimi ligjor për të vendosur një tabelë punimesh.

Kantieri i shtëpive individuale në Bubq

Kantieri i shtëpive individuale në Bubq, 31 mars 2021

Ne e përmbyllëm verifikimin tonë në njësinë administrative Bubq të Bashkisë Krujë. Në këtë zonë do të ndërtohen 78 banesa individuale për 246 banorë. Kantieri i pallateve në Bubq ndodhet përballë kantierit të shtëpive individuale, por në ndryshim nga njëri-tjetri, i pari ka tabelë punimesh për pallatet, ndërsa tabelën e shtëpive individuale nuk e gjetëm në asnjë cep të kantierit.

Kantieri i shtëpive individuale në Bubq, 31 mars 2021

Në ndryshim nga dy zonat e para, përkatësisht “5 maji” dhe Thumana, ne arritëm ta gjejmë tabelën e punimeve të Bubqit..në Fushë-Krujë, edhe pse dy zonat kanë një distancë prej rreth 7 kilometrash nga njëra tjetra. Tabela e punimeve të shtëpive individuale në kantierin e Fushë-Krujës kishte si pjesë të objektit edhe shtëpitë individuale të Bubqit.

Po ndërsa ligji është zbatuar për kantierin në Fushë-Krujë, për atë në Bubq është shkelur, pasi tabela e punimeve, sipas VKM, duhet vendosur në një vend të dukshëm, pranë kantierit e punimeve.

Për të tre këto kantiere, detyrimi ligjor për tabelën e punimeve, nuk është përmbushur.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img