Foto e një vazhde tymi në qiell po përdoret nga konspiracionistët si dëshmi e veprimtarisë së sistemit dashakeq HAARP. Verifikimi i “Faktoje” zbuloi se foto në fjalë tregon një raketë të lëshuar nga Korea e Jugut në 2022.
—————————–
Projekti studimor shkencor amerikan i quajtur HAARP vijon të luajë rolin e gogolit në botëkuptimin konspiracionist. Në këtë botëkuptim, veprimtaria e tij djallëzore përfshin shkaktimin e tërmeteve, uraganëve, përmbytjeve, thatësirave, stuhive, ndërprerjeve të energjisë, rrëzimit të avionëve apo sëmundjeve.
Duket se HAARP mund të fshihet kudo, pas çfarëdolloj gjëje, sado në dukje normale mund të jetë ajo. Foto e mëposhtme, për shembull.
Nëse një person i zakonshëm, me naivitetin e saj, sheh një vazhdë tymi si ato që lënë pas raketat, konspiracionistët shohin pasojat e veprimtarisë së HAARP. I tillë është dhe postimi i kryer në 15 shtator nga një përdorues shqiptar i Facebook.
Megjithatë, një kërkim me anë të motorit të kërkimit të imazheve Google Reverse Image Search zbulon se foto e asaj që duket si vazhda e tymit të një rakete është në të vërtetë vazhda e tymit të një rakete! Kujt do t’ia kishte pritur mendja?
Foto e mësipërme tregon vazhdën e tymit të një rakete të lëshuar nga ushtria e Koresë së Jugut në Dhjetor të vitit 2022. Në një deklaratë, Ministria e Mbrojtjes e Koresë së Jugut, tha se lëshimi i kësaj rakete ishte pjesë e përpjekjeve të saj për të ngritur kapacitetet e saj të survejimit dhe për të forcuar pozicionin e saj të mbrojtjes.