Forumi vjetor për Zhvillimin e Medias

‘OSBE nderon me dy çmime Faktoje’

752

Siguria e gazetarëve, legjislacioni për mediat dhe inteligjenca artificiale në punën e mediave në Shqipëri ishin tri çështjet në fokus të forumit për Zhvillimin e Medias, organizuar nga prezenca e OSBE-së në Tiranë. Pjesë e forumit ishte edhe ceremonia e vlerësimit të Faktojes me dy çmime nga OSBE, në kuadër të konkursit për gazetarinë fact-checking 2023. 

Siguria e gazetarëve në Shqipëri, legjislacioni për mediat dhe ndikimi i inteligjencës artificiale në punën e gazetarëve ishin në fokus të diskutimeve gjatë edicionit të nëntë të Forumit për Zhvillimin e Medias, organizuar nga Prezenca e OSBE-së në Tiranë. 

Në fjalën e mbajtur në këtë forum, Ambasadori Bruce Berton, Kryetar i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, e vuri theksin tek liria e medias.  

 “Në përputhje me parimet e OSBE-së, të cilat qeveria është angazhuar që t’i zbatojë si një nga 57 shtetet tona pjesëmarrëse, institucionet publike shqiptare duhet t’i krijojnë medias hapësirën e nevojshme që të funksionojë pa pengesa. Për këtë arsye, i nxisim autoritetet që të kenë parasysh ruajtjen e ekuilibrit dhe të peshojnë me kujdes të drejtën për shpërndarjen e informacionit që është i rëndësishëm për publikun. Faktet duhen lënë gjithmonë të dalin në dritë, madje edhe ato që bëjnë thirrje për mbajtjen e përgjegjësisë apo që zbulojnë abuzime a korrupsion,” tha ai.

Edhe i Ngarkuari me Punë, Ambasadori Luigi Soreca, rikonfirmoi rëndësinë që ka liria e medias në politikën e zgjerimit të BE-së. 

Ai inkurajoi qeverinë shqiptare dhe autoritetet publike që të angazhohen me komunitetin e medias dhe palët e interesuara për të adresuar sfidat e mbetura: përmirësimin e kushteve të punës për gazetarët, kërcënimet ndaj gazetarëve dhe adresimin e çështjeve sistematike të pronësisë së medias.

‘Negociatat e anëtarësimit të Shqipërisë në BE janë një mundësi për të bërë përparim në lirinë e medias në Shqipëri.’, theksoi Soreca. 

Pjesë e forumit ishin edhe Adea Pirdeni, Zv.ministrja e Drejtësisë, Teresa Ribeiro, Përfaqësuesja e OSBE-së për Lirinë e Medias, dhe Giulia Re, Kryetarja e Zyrës së Këshillit të Evropës në Tiranë.

Sesioni i dytë i Forumit iu kushtua inteligjencës artificiale dhe ndikimit të saj në media. Diskutimet u përqendruan në rëndësinë e transparencës, aksesit në informacion dhe verifikimit të fakteve si mjet për luftën kundër korrupsionit dhe promovimin e gazetarisë profesionale. 

“Mendoj që inteligjenca artificiale nuk mund të zëvendësojë punën e një gazetari. Madje në ndonjë rast, mund të kthehet në burim dezinformimi, sepse në momentin që platforma e tyre bllokohet ata kanë nevojë për një njeri që të ndërhyjë për t’i zhbllokuar. Për këtë arsye jepet një numër telefoni.”, tha drejtuesja ekzekutive e Faktoje, Klodiana Kapo. 

Forumi u përmbyll me një ceremoni për vlerësimin e fituesve të konkursit vjetor të Prezencës së OSBE-së për verifikimin e fakteve. 

·       Arbjona Çibuku nga Citizens Channel u vlerësua për artikullin e saj “Pylli orbital i Tiranës”.

·       Esmeralda Cenollari Topi nga Faktoje.al u vlerësua për shkrimin “Bajpasi i Vlorës, si u katandis investimi 56 milionë euro për një vit”.

·      Dhe Ilda Hoxha (Koçi), po ashtu nga Faktoje.al, për shkrimin : “Të gjitha rrugët e Shijakut të çojnë në Park, një faturë 40 milionë lekë për parkun që nuk ekziston.”

Konkursi i sivjetshëm u përqendrua në verifikimin e fakteve dhe përdorimin e të dhënave nga burime të hapura, përkrahjen e gazetarisë së bazuar në fakte, si dhe promovimin e përdorimit të të dhënave me burim publik dhe të aftësive solide për mbledhjen e lajmeve. 

Forumi për Zhvillimin e Medias është një traditë e përvitshme nga OSBE, që shërben si një platformë dialogu mes medias, institucioneve shtetërore dhe shoqërisë civile.