Shpopullimi i vendit si pasojë e emigrimit ka qenë një problematikë e ngritur me shqetësim, veçanërisht vitet e fundit. Sipas OKB-së, në tri dekadat e fundit, nga Shqipëria janë larguar rreth 1,2 milionë qytetarë. Revista shkencore ndërkombëtare “The Lancet”, raporton se popullsia e Shqipërisë mund të përgjysmohet deri në vitin 2100. Sondazhet sugjerojnë se 285 mijë të rinj planifikojnë të ikin nga vendi, duke e bërë atë të thyejë “rekordin” për numrin e të rinjve që mezi presin të ikin.
Zgjidhja e krizës së thellë politike dhe institucionale është domosdoshmëri për të frenuar ritmet dramatike të shpopullimit të vendit. Një vend pa rini, është si një shtëpi pa fëmijë! Shqipëria meriton një të ardhme të sigurt! Të bashkohemi kundër shpopullimit! Koha po rrjedh me shpejtësi dhe nuk kthehet mbrapa – thuhej në mesazhin e presidentit Meta në Facebook më 30 janar 2020.
Që nga viti 1990 deri në 2020-n, nga Shqipëria janë larguar rreth 1.2 milionë persona – thuhet në raportin e Organizatës së Kombeve të Bashkuara në statistikat për Divizionin e Popullsisë.
OKB raporton se në periudhën 2005-2010 numërohen 217 mijë persona që lanë Shqipërinë, ndërsa gjatë 2010-2015, u larguan 137 mijë persona. Rreth 70 mijë shqiptarë janë larguar në vitet 2015-2020.
Sipas të njëjtit raport të OKB, parashikohet se deri në vitin 2100, nga Shqipëria do të largohen edhe 615 mijë persona të tjerë.
Revista shkencore ndërkombëtare “The Lancet”, raportoi se popullsia e Shqipërisë pritet të zbresë në 1.32 milionë banorë në vitin 2100, duke u tkurrur me 52 për qind në krahasim me vitin 2017.
Shifrat e të larguarve apo atyre që synojnë ta “braktisin” Shqipërinë në të ardhmen mbeten disa herë më të larta se numri prej 30 900 shqiptarve që Instituti Europian i statistikave, Eurostat, raportoi se u urdhëruan të largoheshin nga vendet e Bashkimit Europian gjatë vitit 2019.
Shqipëria u rendit e treta në botë, pas Marokut dhe Ukrainës, për numër shtetasish që iu është refuzuar qëndrimi në Bashkimin Europian gjatë vitit 2019 dhe po të tretët për numrin e personave që janë urdhëruar të largohen.
Përpos faktit se nga Shqipëria vijon largimi i qytetarëve, problemi merr përmasa më shqetësuese po t’i referohesh anketës së fondacionit gjeman “Friedrich Ebert” të publikuar në shtator të vitit 2019, sipas të cilit 285,000 të rinj shqiptarë planifikojnë të largohen nga vendi.
Si numër, shqiptarët janë të dytët që duan të ikin, pas rumunëve (sipas të njëjtës anketë, 358 mijë persona kërkojnë të largohen nga Rumania), por në raport me totalin e të rinjve që duan të emigrojnë thyejmë rekord, me 40% të të rinjve që duan të largohen nga vendi.
Efekti i shpopullimit, për psikologen Ariana Muçaj sjell probleme sa në ekonomi aq edhe në demografinë e vendit, ku ndër arsyet kryesore të largimeve qëndrojnë pagat e ulëta dhe pasiguria për të ardhmen.
Ne flasim vërtetë për shpopullim të Shqipërisë, pasi po na ikën rinia dhe shifrat flasin se të larguarit janë nën 35 vjeç. Kjo tregon në vetvete se të rinjtë kanë pasiguri për të ardhmen. Shumë reforma në arsim po zbatohen, por nuk po funksionojnë – argumentoi psikologia Muçaj në emisionin “Përballë”, më 3 mars të këtij viti.
Depopullimi i vendi si pasojë e emigracionit, sidomos në vitet e fundit po kthehet në një problem real për të tashmen dhe të ardhmen e vendit.