Pretendimi: Flamujt në Angli po valëviten në gjysmështizë ndërsa BBC është në gatishmëri për një “njoftim të afërt” nga familja mbretërore.

Verdikti: E pavërtetë.

———————————————-

Në rrjete sociale, përfshi edhe ato shqipfolëse, po shpërndahet lajmi se flamujt në Mbretërinë e Bashkuar janë ulur në gjysmështizë, ndërsa BBC pret një njoftim nga familja mbretërore. Këto pretendime shoqërohen edhe me foton e një flamuri anglez të ulur në gjysmështizë.

Me anë të motorit të kërkimit të imazheve, Google Reverse Image Search, Faktoje zbuloi se foto që shoqëron postimet është e vërtetë, por nuk është e ditëve të fundit. Ajo është shkrepur në 2022, dhe tregon flamurin e konsullatës britanike në Turqi. Flamuri u ul në gjysmështizë asokohe pas vdekjes së mbretëreshës Elizabeta II, më 8 shtator 2022.

Një tjetër foto që u përdor në rrjete sociale për të provuar uljen e flamujve është e vitit 2017.

Mediat vendase dhe ndërkombëtare nuk kanë raportuar uljen e flamujve në gjysmështizë në Mbretërinë e Bashkuar.

Sa i përket pretendimit se BBC po rri në gatishmëri në pritje te një njoftimi nga familja mbretërore, ai mbetet i paprovuar. Duket se ai e ka origjinën në një artikull të 16 marsit në gazetën pakistaneze The News International. Artikulli i referohet si burim për këtë pretendim një videoje në TikTok. Në video, pretendohet se një njeri i brendshëm ka thënë se “BBC Events është njoftuar të jenë gati për një njoftim të rëndësishëm mbretëror në çdo moment.” BBC nuk e ka konfirmuar këtë pretendim.

Ambasada britanike në Moskë u detyrua të publikonte në 18 mars një përgënjeshtrim zyrtar që konfirmonte se mbreti Charles III është ende gjallë, pasi një mori faqesh ruse të lajmeve dhe llogaritë e tyre të lidhura në mediat sociale raportuan më herët se Mbreti kishte vdekur në moshën 75-vjeçare si pasojë e ndërlikimeve të kancerit, duke cituar burime të paidentifikuara ‘media’ në një rrjedhë të pashpjegueshme postimesh.

Gazeta ruse Sputnik shkruajti gjithashtu mbi lajmin e vdekjes se Mbretit Charles III, duke e tërhequr lajmin disa minuta më vonë.