BallinaPertejVerifikimi i lajmeve në FacebookTë rreme provat se Zonja e Parë e Francës është transgjinore

Të rreme provat se Zonja e Parë e Francës është transgjinore

Pretendimi: Zonja e Parë e Francës ka lindur burrë dhe më pas është kthyer në një grua transgjinore

Rate: E pavërtetë

Brigitte Macron, Zonja e Parë e Francës nuk ka lindur burrë dhe më pas është kthyer në një grua transgjinore, siç pretendohet në rrjetet sociale. Një verifikim i Faktoje hedh poshtë këto informacione të rreme që qarkullojnë online në vendin tonë.

Diferenca plot 24 vite në moshë mes presidentit francez Emanuel Macron dhe bashkëshortes së tij, Brigitte, ka ngritur pikëpyetje në opinionin francez. Megjithatë, së fundi, Zonja e Parë e Francës është vendosur nën shenjestër të thashethemeve në rrjetet sociale si një transgjinore. Si provë për këtë sillen disa foto të vjetra të një djali, të atij që pretendohet se është Brigitte Macron përpara se të kthehej në një grua.  

Në foto ajo që u bë gruaja e Macron. U duket djalë apo vajzë”, shkruan një përdorues i Facebook që ndan fotot e djalit të vogël.

Postimet e shpërndara në rrjetet sociale

Këto dyshime në rrjet janë hedhur poshtë së pari nga presidenti Emmanuel Macron, duke i cilësuar këto pretendime të rreme dhe të fabrikuara. Macron kujtoi se pretendimet transgjinore për gruan e tij ishin tipike të sulmeve mizogjene në internet, me të cilat duhet të përballen shumë gra.

Vetë, Brigitte Macron ka postuar foto kur ka qenë e vogël, duke treguar se fëmija në foto është vëllai i saj, Jean-Michel Trogneux. Imazhet e postuara në rrjetet sociale i përkasin viteve 1953; 1954; 1955.

Në këtë foto, Brigitte është vajza e vogël e ulur në prehrin e nënës së saj, Simone Pujol.

Veç kësaj, certifikata e lindjes së Jean-Michel tregon se ai ka lindur më 11 shkurt 1945, ndërsa Brigitte Trogeneux lindi si vajzë më 13 prill 1953, më shumë se 8 vjet më vonë.

Teoritë konspirative pretendojnë se Brigitte Macron u bë një grua transgjinore vetëm kur ishte 30 vjeç. Duke llogaritur që ajo ka lindur më 1953, dhe u martua me burrin e saj të parë, André-Louis Auzière më 22 qershor 1974, kur ishte 21 vjeçe, mund të rrëzohet lehtësisht ky pretendim.

Për më tepër, Brigitte Macron solli në jetë tre fëmijë, Sébastien Auzière, Laurence Auzière-Jourdan dhe Tiphaine Auzière. Kjo nuk do të ishte e mundur nëse ajo do ishte biologjikisht mashkull.

Në disa raste, Brigitte Macron ka qenë viktimë e rrjeteve sociale, duke edituar fotot e saj me pretendimin se ishte Jean-Michel Trogneux, përpara se ajo të kalonte në Brigitte.

Pretendimet se zonja e parë e Francës, Brigitte Macron, është transgjinore janë përhapur nga komentatorja e ekstremit të djathtë Candace Owens. Së fundi, pas deklaratave të Macron për mundësinë e ndërhyrjes me trupa ushtarake në territorin ukrainas, ai është vendosur në qendër të propagandës ruse, e cila po e përdor konspiracionin për gruan e tij transgjinore si një tallje ndaj “burrërisë” së udhëheqësit francez dhe pamundësisë së një përballjeje të mundshme të tij me presidentin Putin.

Ilda Hoxha
Ilda Hoxha
Gazetare Ka përfunduar studimet në nivelin “Bachelor” për “Gazetari dhe Shkenca Komunikimi” në “Universitetin e Tiranës” dhe studimet në nivelin “Master Shkencor” në drejtimin “Marketing Mediatik”. Ka punuar si gazetare në “Top Albania Radio” në periudhën janar 2013-dhjetor 2014. Ka punuar si gazetare në “Gazetën Shqip” në print për çështjet sociale në periudhën dhjetor 2014- korrik 2016. Në periudhën shkurt 2015-gusht 2017 ka punuar për “Votra Magazine”, ku ka mbuluar pjesën e marketingut të saj, por edhe shkrimin e artikujve me karakter kulturor dhe promovues për Shqipërinë. Ka punuar si redaktore në “Gazetën Shqip Online” në periudhën korrik 2016-deri më 19 maj 2021. Në periudhën qershor-gusht 2021 ka punuar si gazetare në emisionin “Pushime On Top” në Top Channel.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img