Një lajmi publikuar nga tabloidi Britanik Daily Express dhe që rezulton të jetë fshirë më pas, është shpërndarë edhe nga mediat shqiptare. Sipas këtij lajmi të rremë, Irani kishte në plan një sulm me raketa kundët kampit të sektit muxhahedin (MEK) në Manzë të Durrësit.
Patris Pustina
Një sërë portalesh shqiptare kanë raportuar, duke iu referuar tabloidit anglez Daily Express, se Irani ka paralajmëruar një sulm me raketa kundër kampit të sektit muxhahedin (MEK) në Manzë të Durrësit. Megjithëse lajmi i Daily Express duket se është i bazuar vërtetë në një artikull të publikuar në agjensinë e lajmeve të qeverisë iraniane Fars News Agency, lajme të tilla meritojnë një verifikim të imtësishëm dhe mendim kritik për të shmangur përhapjen e panikut nga dizinformimi.
Pas një kërkimi të thjeshtë Faktoje gjeti artikullin e Daily Express, tashmë i fshirë nga faqja zyrtare e tabloidit, dhe artikullin origjinal në gjuhën perse të Fars News Agency. Duket se shkrimi që supozon sulmin kundër kampit MEK ekziston vërtetë. Megjithatë, raportimet e tabloideve angleze si Daily Mail dhe ai në fjalë, Daily Express, vlen të shihen me sy kritik, duke qenë se ato janë akuzuar shpesh, edhe nga Komisioni Europian, si shpërndarëse të lajmeve të rreme, veçanërisht gjatë fushatës Brexit.
Alarmizmit të tabloideve britanike i mbivendoset ai i portaleve shqiptare.
Në fakt, Shqipëria ka qenë edhe më parë objektiv i kërcënimeve iraniane. Vetë Ali Khamenei, lideri suprem i Iranit, i është referuar Shqipërisë, në 2020-n si “një vend shumë i vogël, por shumë djallwzor europian, ku elementë amerikanë bashkëpunojnë me tradhtarë iranianë dhe planifikojnë kundër Republikës Islamike.”
Policia e Shtetit ka thënë në 2018 se ka parandaluar një akt terrorist nga persona që ka cilësuar si pjesë të një celule terroriste iraniane. Nga ana tjetër, pak ditë më parë, kompania e sigurisë kibernetike Mandiant raportoi se gjasat janë që sulmi kibernetik kundër sistemit e-Albania të jetë vepër e hakerave pro-Iranianë. Megjithatë, shteti iranian nuk ka marrë përgjegjësi për këto sulme, të cilat mund t’u atribuohen lehtësisht aktorëve individualë. Do të ishte e pamundur që një sulm me raketa të maskohej në mënyrë të ngjashme.
Në Janar të 2020-s, Irani sulmoi me raketa një bazë ushtarake amerikane në Irak, si kundërpërgjigje ndaj vrasjes së gjeneralit Qassem Soleimani. Megjithatë, një skenar i tillë nuk ka shumë gjasa të ndodhë në Shqipëri, kryesisht sepse kjo e fundit është anëtare e NATO-s.
Neni 5 i Traktatit Atlantiko-Verior parashikon:
“Palët bien dakord se një sulm i armatosur kundër një apo më shumë prej tyre në Evropë apo në Amerikën e Veriut do të quhet si sulm kundër të gjitha atyre dhe si pasojë bien dakord që, nëse ndodh një sulm i tillë, secila nga ato, në ushtrim të së drejtës së vetëmbrojtjes kolektive apo individuale të njohur nga Neni 51 i Kartës së Kombeve të Bashkuara, do të ndihmojë Palën apo Palët e sulmuara në këtë mënyrë duke ndërmarrë menjëherë, individualisht dhe në bashkërendim me palët e tjera, ato veprime që i vlerëson si të nevojshme, përfshirë këtu përdorimin e forcave të armatosura, për të rivendosur dhe ruajtur sigurinë në zonën e Atlantikut të Veriut.
Çfarëdo sulmi i tillë i armatosur dhe të gjitha masat e marra si rrjedhojë e tij do t’i njoftohen menjëherë Këshillit të Sigurimit. Masa të tilla do të përfundojnë kur Këshilli i Sigurimit të ketë marrë masat e nevojshme për të rivendosur dhe ruajtur paqen dhe sigurinë ndërkombëtare.”
Parimi i vetëmbrojtjes kolektive, si parandalim i zgjerimit të Bashkimit Sovjetik në Europën Lindore, ishte nga qëllimet kryesore për krijimin e NATO-s në 1949. Neni 5 i Traktatit u citua për herë të parë pas sulmeve terroriste të 11 Shtatorit 2001 në ShBA. Pasi Këshilli i Atlantikut të Veriut u informua se sulmi ishte i drejtuar nga jashtë, pati konsultime mes aleatëve dhe Këshilli vendosi për veprim kolektiv.
Bazuar në këtë nen, një sulm iranian me raketa kundër kampit MEK në truallin e shtetit shqiptar do të quhej një sulm kundër 30 shteteve anëtare të NATO-s dhe do të ftonte një kundërpërgjigje nga organizata më e mirë-armatosur në histori.
*Screenshot i lajmit marrë nga web
*Kjo shkrim është prodhuar si pjesë e iniciatiavës rajonale Qendra Kundër Dizinformiminit e Ballkanit Perëndimor