BallinaPertejDezinformimi po rrit hezitimin ndaj vaksinimit kundër COVID-19

Dezinformimi po rrit hezitimin ndaj vaksinimit kundër COVID-19

Pandemia e COVID-19 po shoqërohet me atë që Organizata Botërore e Shëndetit e konsideron si infodemi, një ortek informacionesh të pavërteta dhe keqorientuese. Përgjatë më shumë se një viti pandemi, infodemia po shënon një pikë kulmore në procesin e vaksinimit masiv. Lajmet e rreme kanë ndikuar në atë masë sa njerëzit të refuzojnë vaksinimin. Nga një verifikim në rang global, vendet me qarkullim më të madh të faqeve dezinformuese, janë edhe ato ku individët refuzojnë më shumë të vaksinohen kundër COVID-19, duke e kthyer infodeminë në një prej armiqve më të rrezikshëm të shëndetit publik.

A kanë vaksinat përmbajtje magnetike apo metale siç përflitet?

Një ndër lajmet e përhapura më shumë rreth vaksinave qëkur ka nisur procesi global të vaksinimit kundër COVID-19, është përmbajtja e dyshimtë e lëndës së injektuar. Faqet online që kanë shpërndarë këtë informacion (i konfirmuar nga autoritetet shëndetësore ndërkombëtare si i rremë) janë disa foto apo edhe video që tregojnë sesi qëndrojnë monedhat në vendin e injeksionit. Shqetësimi qytetar që ka prodhuar ky lajm ka mbërritur edhe në redaksinë e Faktojes. Ndjekësit tanë na kanë dërguar foto me monedha apo mjete të tjera me përbërje metali që qëndrojnë ngjitur në zonën e krahut ku kanë bërë vaksinën.

Foto të mbërritura në redaksinë e Faktoje

Newsguard Technologies, kompania amerikane (që monitoron dhe identifikon faqet online për besueshmërinë dhe transparencën e lajmeve që publikojnë) e ka cilësuar këtë lajm të rremë si mit, pasi një sërë ekspertësh të fushës së mjekësisë e kanë hedhur poshtë.

Dr. Stephen Schrantz, një specialist i sëmundjeve ngjitëse, pranë Universiteti të Chicagos, i ka rrëzuar këto pretendime duke i quajtur mashtrime videot e personave me monedha në krah. Duke u shprehur për AFP (Agence France-Presse) në maj të vitit 2021, ai ka thënë se nuk ka asnjë mundësi që këto video të jenë të vërteta.

“Vaksinimi kundër COVID-19 nuk mund të shkaktojë magnetizimin e krahut. Ky është një mashtrim, i thjeshtë dhe i pastër. Nuk ka në mënyrë absolute asnjë mënyrë që vaksina të shkaktojë këtë reaksion.” – ka thënë ai.

Dr. Edward Hutchinson, një lektor në Qendrën për Hulumtime të Virusit në Universitetin e Glasgow, tha për Newsweek në maj të vitit 2021 se sasia e materialit magnetik duhej të ishte e madhe për të shkaktuar efekt.

“Do duhej që të vendosje një copë të madhe materiali magnetik nën lëkurë që të shkaktojë veprimin përtej lëkurës, në mënyrën që po pretendohet. Nëse doni që ta tentoni, merrni një magnet frigoriferi dhe provoni që të tërheqë ndonjë metal, veçanërisht copëzat shumë të vogla përmes lëkurës ndërmjet gishtit tuaj të madh dhe gishtit tregues” – tha ai.

Faktoje kontaktoi me një ekspert vendas, Dr. Shk. Ilir Alimehmeti, epidemiolog klinik i angazhuar pranë Fakultetit të Mjekësisë në Tiranë, i cili na konfirmoi se magnetizimi nuk mund të ishte i pranishëm tek vaksinat kundër COVID-19.

“Për sa i përket magnetizimit, për të tërhequr një monedhë nevojitet një magnet me peshë rreth 1 gr. Një magnet me një peshë 1 gr nuk mund të gjendet dot në një tretësirë transparente siç ndodhet në rastin e vaksinës, dhe kujtoj që vaksinën e marrim në sasinë 0,3 deri në 0,5 ml. Pra, sikur i gjithi të ishte metal, do ta shihnim shumë qartë. Është qartësisht një tretësirë ujore, sipas përshkrimeve me përbërësit që janë deklaruar.” – i sqaroi ai Faktojes.

Ne e pyetëm gjithashtu nëse vaksinat e çertifikuara nga FDA dhe EMA kishin përmbajtje metalesh.

“As Pfizer, as AstraZeneca nuk kanë përmbajtje metalesh në brendësinë e tyre, sipas deklaratave të prodhueshve dhe autoriteteve autorizuese.

Ndërkohë Sinovac ka një përmbajtje krejtësisht të ulët hidroksid alumini, i cili rrit efektshmërinë e vaksinës, por që është praktikisht rreth 1/1000 e dozës totale të rekomandueshme vjetore, që nuk ka asnjë problem. Pra, është një nivel krejtësisht shumë i ulët.” – përmbylli ai.

Shumë lajme të rreme = shumë qytetarë që refuzojnë vaksinën ndaj COVID-19 

Një nga fenomenet më problematike që ka shoqëruar periudhën thuajse 2-vjeçare të pandemisë COVID-19 është fluksi i informacioneve të rreme. Ky problem është sinjalizuar nga Organizata Botërore e Shëndetit që në momentet e para të përballjes së botës me këtë virus, e cila e konsideron si infodemi duke bërë të qartë shkallën e rrezikshmërisë së këtij fenomeni.

Newsguard Technologies, një shoqëri amerikane që kontrollon faqet e lajmeve dhe vërtetësinë e tyre, është përqëndruar veçanërisht në informacionet që qarkullojnë mbi COVID-19 dhe vaksinimin gjatë periudhës së pandemisë. Në partneritet me OBSH, ajo ka identifikuar 447 faqe online në botë që shpërndajnë lajme të rreme mbi COVID-19 dhe vaksinat. Numri më i lartë i faqeve fuguron në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku ‘operojnë’ 274 të tilla, pra thuajse gjysma e numrit në gjithë botën.

Në Europë kryeson Franca me 57 faqe, e ndjekur nga Gjermania me 44 faqe, Italia me 41 dhe Britania e Madhe me 20 faqe online, të identifikuara si dezinformuese.

Raporti i Newsguard për vitin 2020

Përgjatë vitit 2020, Newsguard ka verifikuar një total prej 6,112 faqesh nga Shtetet e Bashkuara dhe Europa, duke filluar nga mediat kombëtare deri tek gazetat lokale, blogjet dhe faqet e tjera online. Nga ky numër faqesh, 2,144 ishin faqe të reja në krahasim me faqet e marra në verifikim në vitet paraardhëse, një tregues interesant për vitin e parë të pandemisë së COVID-19. Newsguard ka sinjalizuar 2,532 faqe me flamur të kuq, çka tregon se këto faqe nuk plotësonin as standardet bazike të besueshmërisë dhe transparencës.

Raporti i Newsguard për vititn 2020

Vetëm gjatë vitit 2020, janë sinjalizuar 371 faqe që shpërndanin informacione të rreme dhe të rrezikshme rreth pandemisë së shkaktuar nga COVID-19. Newsguard identifikoi 111 faqe të cilat ishin super-shpërndarëse të informacioneve të rreme rreth COVID-19, me një audiencë prej mbi 51 milionë ndjekësish (followers) apo pëlqimesh (likes).

Kompania IPSOS ka zhvilluar një sondazh për llogari të World Economic Forum, të publikuar në fund të muajit prill 2021, mbi përqindjen e personave që hezitonin të vaksinoheshin kundër COVID-19 në shtete të ndryshme.

Sondazhi i IPSOS, publikuar në prill 2021

Listën e këtij sondazhi e kryeson Rusia, me 59% të të rriturve të pavaksinuar të cilët thonë se do të refuzonin të merrnin një vaksinë nëse do t’u ofrohej. Po t’u referohemi vendeve të tjera të identifikuara nga Newsguard me numrin më të lartë të faqeve online që shpërndajnë informacion të rremë rreth COVID-19 (SHBA, Francë, Gjermani, Britani, Itali), do të shohim se e njëjta renditje mes tyre përkon edhe me përqindjen e popullësisë së rritur që refuzon të vaksinohet.

SHBA që ka numrin më të lartë të faqeve të tilla (274) ka edhe përqindjen më të lartë të refuzimit të vaksinës mes të rriturve të pavaksinuar (54%).

Franca, që renditet e dyta nga Newsguard me 57 faqe, renditet gjithashtu e dyta mes këtyre vendeve për refuzimin e vaksinës, me 42%.

Gjermania, e treta për numër faqesh (44), vijon të jetë e treta mes këtyre vendeve për refuzimin e vaksinës (29%).

Ndryshimi i vetëm në renditje është mes Italisë dhe Britanisë së Madhe. Italia, me 41 faqe dezinformuese, ka më shumë se Britania e Madhe (20), por përqindjen e refuzimit të vaksinës Italia e ka pak më të ulët (21%) se Britania (23%).

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img