Një artikull i publikuar nga portali “Patriotik Media” rezulton se ka interpretuar në mënyrë të gabuar grafikët e një studimi shkencor mbi vaksinimin e fëmijëve kundër Covid-19, për të pretenduar se vaksina “shkatërron imunitetin natyror”. Verifikimi i “Faktoje” zbuloi se studimi në fjalë, ka mbështetur, në fakt, konkluzionin e kundërt të lajmit të shpërndarë në rrjet.
Patris Pustina
Duket se konspiracionistët anti-vaksinim janë të vendosur të keqinterpretojnë çdo studim shkencor që lidhet me Covid-19. Në këtë mënyrë ata jo vetëm po rrezikojnë të turbullojnë perceptimin e publikut mbi vaksinën, por janë duke kontribuar në të njëjtën kohë edhe në ‘analfabetizmin shkencor’ të audiencave. Kështu, artikulli i botuar nga portali “Patriotik Media”, i përkthyer në shqip shabllon nga një artikull i “The Counter Signal”, flet për një studim që “sugjeron se vaksina kundër Covid shkatërron imunitetin natyror.”
Studimi, të cilit i referohet artikulli, u botua në revistën shkencore “New England Journal of Medicine” në Shtator 2022. Titulli lë të kuptohet se përfundimet e studimit janë për efektet e vaksinës në përgjithësi, kur në fakt studimi u përqendrua specifikisht tek fëmijët 5-11 vjeç që kishin marrë vaksinën Pfizer-BioNTech gjatë kohës kur varianti Omicron ishte në qarkullim.
Ç’është më e rëndësishme, përfundimet e vetë studimit pohojnë se: “Rezultoi se vaksina BNT162b2 [Pfizer-BioNTech] dhe infektimi i mëparshëm japin imunitet të konsiderueshëm kundër variantit omicron dhe mbrojtje kundër shtrimit në spital dhe vdekjes. Ulja e shpejtë e mbrojtjes kundër infektimit me omicron nga vaksinimi dhe infektimi i mëparshëm mbështet nevojën për vaksinim përforcues [doza të tjera].”
Në korrespondenca me Associated Press dhe Reuters, autori i parë i studimit, Danyu Lin sqaroi se rezultatet e studimit ishin keqinterpretuar. “Provat që ne kemi paraqitur mbështesin përfundimin se imuniteti natyral përforcohet nga vaksinimi, ndryshe nga pretendimi se ai shkatërrohet nga vaksinimi,” tha Lin.
“Studimi i Dr. Lin e çon shqetësimin e imunitetit një hap më tej,” ngre alarmin artikulli i Patriotik Media, “Imuniteti për fëmijët e vaksinuar nuk është vetëm 0% pas gjashtë muajsh, por kalon në territorin e efikasiteti negativ (Grafiku A, B).”
“Grafikët mbi të cilët mbështetet artikulli anti-vaksinim për të pretenduar se vaksinat “shkatërrojnë imunitetin” janë keqinterpretuar”, shtoi Lin.
Vijat që tregojnë efektivitetin e vaksinës me kalimin e kohës zgjaten përposhtë boshtit X. kjo është interpretuar nga artikulli keqinformues si rënie e imunitetit natyral. Ky interpretim është i gabuar, sepse boshti Y tregon vetëm efikasitetin e vaksinës kundër infeksionit, jo ‘imunitetin’, një koncept shumë i gjerë dhe jo lehtë i matshëm. Për më tepër, Lin shpjegoi për Reuters se vazhdimi i këtyre vijave përtej limiteve të grafikut është thjesht një teknikë ilustrative për të treguar më qartë trajektoren e përgjithshme. Në asnjë rast, ato nuk tregojnë se efikasiteti i vaksinës merr vlera negative.
Ky lajm mund të klasifikohet pa frikë si i rremë. Për më tepër, në vazhdën e një mori lajmesh të tjera konspiracioniste kundër vaksinimit, ky lajm mund të klasifikohet edhe si i dëmshëm për shëndetin e atyre personave që do të bindë se vaksinat anti-Covid janë të dëmshme, duke i privuar kështu nga një masë e rëndësishme mbrojtjeje nga një sëmundje shumë ngjitëse dhe potencialisht vdekjeprurëse.