Pretendimi: Kjo video tregon një motorist indian të kompanisë Wolt që vjedh një burger në Tiranë
Verdikti: Mungon konteksti
———————————————————————-
Një video që është shpërndarë në rrjetet sociale shqipfolëse pretendohet se tregon një korrier indian të kompanisë së dërgesave Wolt duke ngrënë një burger nga porosia që do të dorëzonte. Ngjarja sipas postimit zhvillohet në Tiranë, duke ngjallur indinjatë dhe marrë dhjetra komente negative ndaj punonjësve të huaj.

Megjithatë, me anë të motorit të kërkimit pamor Google Lens, Faktoje gjeti se video e mësipërme qarkullon prej një viti në rrjet.
Ajo është botuar fillimisht në TikTok nga një përdorues nga Gjeorgjia më 26 tetor 2025.

Video origjinale mban mbishkrimin “Hajduti indian i burgerave në Tbilisi” dhe është postuar nga një përdorues që vetëpërshkruhet si “indiani më i famshëm në Tbilisi,” kryeqytetin e Gjeorgjisë.

Duket se ky përdorues shfaqet edhe si fytyrë e mbivendosur në video ku dëgjohet të komentojë me humor në anglisht: “E pashë këtë në TikTok. Jam i turpëruar që një indian e bëri këtë. Mua as nuk më pëlqejnë burgerat.”
Megjithëse Faktoje nuk gjeti ndonjë raportim në media vendase apo ndonjë deklaratë zyrtare që konfirmon vërtetësinë e videos origjinale, nuk ishte e mundur të zbulohej nëse video ishte e gjeneruar apo e modifikuar.
Megjithatë, çfarë dihet është se incidenti i ndodhur në video nuk ka ndodhur së fundmi në Shqipëri, duke qenë se qarkullon prej një viti në rrjet, ekskluzivisht në hapësirat online gjeorgjiane.
Faktoje ka përgënjeshtruar dhe më parë një video të një korrieri indian të pretenduar, e cila kishte qarkulluar në hapësirat online gjeorgjiane, por ishte prezantuar si të kishte ndodhur në disa qytete të Shqipërisë.






