Kontrolli i Lartë i Shtetit publikon çdo vit rreth 200 raporte auditimi duke nxjerrë në pah problematika dhe abuzime të ndryshme të fondeve publike. Por nëse mbeten të vështira për t’u lexuar dhe rrallë të ndjekura nga publiku, ato rrezikojnë të mos kthehen në llogaridhënie reale për qytetarët.
Kjo ishte çështja kryesore e tryezës së organizuar sot nga Faktoje, në kuadër të projektit “E vërteta përtej shifrave”, ku u prezantua dokumenti i politikave “Nga gjetjet e auditimit te llogaridhënia publike përmes rolit të medias në Shqipëri”.
Dokumenti trajton rolin e medias në përkthimin e gjetjeve të auditimit në informacion të kuptueshëm për publikun, por edhe në ndjekjen e tyre pas publikimit.
Aktiviteti vijon diskutimin e nisur në takimin e organizuar nga Faktoje në shkurt mbi mënyrën se si “e vërteta përtej shifrave” duhet të arrijë tek qytetarët.
Këtë herë, fokusi u vendos te hallka që shpesh mbetet jashtë vëmendjes publike: zbatimi i rekomandimeve dhe përgjegjësia institucionale pas raporteve të auditimit.

Shifrat flasin, por pak dëgjohen
Gjetjet e vitit 2025 konfirmojnë se në 190 auditime të publikuara nga KLSH janë konstatuar 4,994 rekomandime dhe 26.2 miliardë lekë dëm ekonomik. Në vende me standarde të larta llogaridhënieje, një bilanc i tillë do të prodhonte me siguri një debat publik të gjerë dhe hetime parlamentare.
Tryeza e Faktoje-s synoi të analizojë këtë boshllëk në reagim dhe rolin e medias në përkthimin e gjetjeve teknike në histori të kuptueshme dhe në ushtrimin e presionit publik për zbatimin e rekomandimeve.
Problemi është i njohur: raportet e auditimit shkruhen për audiencë institucionale, me gjuhë teknike dhe strukturë burokratike, ndërsa publiku mbetet jashtë.
Media shpesh i trajton si ngjarje njëditore dhe më pas vëmendja shuhet. Por auditimi, siç u theksua në tryezë, nuk është një akt formal, është një proces që kërkon ndjekje, interpretim dhe përgjegjësi.

Drejtoresha ekzekutive, Klodiana Kapo, theksoi se raportet e KLSH-së nuk mund të qarkullojnë vetëm mes institucioneve.
Ambasadorja e Mbretërisë së Vendeve të Ulëta, Marleen Monster, si përfaqësuese e vendit mbështetës të këtij projekti të Faktoje, kujtoi se “numrat nuk flasin vetë, dikush duhet t’i lexojë, t’i shpjegojë dhe t’i kthejë në pyetje të vështira”.

Kryeaudituesja e KLSH, Xhuljeta Çelaj, foli për bashkëpunimin me Kuvendin dhe për marrëdhënien me median, duke theksuar rëndësinë që raportet të citohen me profesionalizëm dhe të mos shkëputen nga konteksti.

Politika e pranon problemin
Deputetët Jorida Tabaku dhe Adi Qose pranuan se raportet e KLSH-së kanë sjellë prova të rëndësishme në çështje me interes publik.


Por edhe ata nënvizuan se mungon një mekanizëm i qartë ndjekjeje: një regjistër publik i rekomandimeve, afate, përgjegjës, rezultate, duke kërkuar më shumë angazhim edhe si pjesë e veprimtarisë së nënkomisionit për Auditimin e Sektorit Publik, të ngritur së fundi pranë Kuvendit.
Zëvendësministri i Ekonomisë dhe Inovacionit, Enkelejd Musabelliu, vlerësoi rolin e medias në ndërmjetësimin mes institucioneve shtetërore dhe qytetarëve.

Ai tha se llogaridhënia duhet parë si proces dhe jo si lajm i ditës, ndërsa shtoi se qëllimi nuk duhet të jetë vetëm identifikimi i shkeljeve, por përmirësimi i praktikave institucionale.
25 masa për të thyer ciklin e moszbatimit
Dokumenti i Faktoje-s propozon 25 masa konkrete: 8 për KLSH-në, 7 për mediat, 5 për Kuvendin dhe 5 për shoqërinë civile dhe donatorët.
Mes tyre përfshihen përmbledhje të standardizuara për çdo raport auditimi, formate më të hapura dhe të kërkueshme, regjistër publik për statusin e rekomandimeve, pikë kontakti për median dhe ndjekje më të strukturuar parlamentare për institucionet me zbatim të ulët.
Në diskutimin e hapur, pyetjet nga audienca u përqendruan te qasja e KLSH-së ndaj medias dhe te nevoja për një marrëdhënie më funksionale mes institucioneve të auditimit, gazetarëve dhe publikut.






Mesazhi kryesor i tryezës ishte se auditimi nuk mbaron me publikimin e raportit. Për qytetarin, ai merr vlerë kur shifrat përkthehen në informacion të kuptueshëm, kur rekomandimet ndiqen dhe kur përgjegjësia institucionale bëhet e matshme.






