Ky gjenerator pranë stacionit Tesla nuk rrëzon Agjendën e Gjelbër

9

Pretendimi: Karikuesit e automjeteve elektrike Tesla furnizohen me energji nga një gjenerator me naftë.

Verdikti: Mungon konteksti

———————————————————————-

Dyshimet rreth teknologjive të reja që synojnë mbrojtjen e mjedisit vazhdojnë të ndezin debat në rrjetet sociale, edhe pse makinat elektrike janë tashmë një realitet i prekshëm për këdo.

Një video e tillë që pretendon se provon se një stacion Tesla për karikimin e automjeteve elektrike furnizohet nga një gjenerator me naftë, është publikuar nga një profil shqipfolës në Facebook.

Videoja rreth 15 sekonda tregon fillimisht disa rreshta me karikues dhe automjete elektrike. Kamera më pas drejtohet nga një pajisje e bardhë e vendosur mbi një rimorkio, pas gardhit të kompleksit.

Postimi dezinformues

Kërkimi i disa pamjeve të videos në motorin e kërkimit të imazheve Google Lens shfaqi të njëjtën skenë të publikuar në platforma të ndryshme, me mbishkrime në italisht, anglisht, spanjisht, gjermanisht dhe rusisht. Kjo tregon se materiali është ricikluar në disa gjuhë. 

Postime të njëjta të publikuar në platforma të ndryshme

Pajisja mbi rimorkio ngjan me një gjenerator industrial, por nga pamjet nuk mund të lexohet marka, modeli apo lloji i karburantit. Në video nuk duken kabllo që ta lidhin pajisjen me karikuesit dhe as shenja që tregojnë se ajo ishte e ndezur.

Gjeneratorët mund të përdoren përkohësisht gjatë instalimit ose testimit të karikuesve, deri në përfundimin e lidhjes me rrjetin elektrik apo si burim emergjence.

Në një rast të verifikuar nga Full Fact, një pajisje pranë karikuesve në ndërtim përdorej për punimet dhe testimet deri në lidhjen përfundimtare me rrjetin, jo si burim i zakonshëm energjie për automjetet.

Pretendimi se karikuesit elektrikë furnizohen me naftë nuk është i izoluar. Prej vitesh, fotografi dhe video të pajisjeve pranë karikuesve publikohen si provë se automjetet elektrike nuk janë vërtet “të gjelbra”.

Verifikimet e publikuara nga AFP në vitin 2019 dhe Reuters në vitin 2020 treguan raste ku pajisjet e paraqitura si gjeneratorë ishin bateri portative ose struktura të palidhura me karikuesit.

Ndërsa PolitiFact verifikoi një fotografi të një karikuesi që përdorte realisht një gjenerator me naftë, por zbuloi se bëhej fjalë për një eksperiment të vitit 2018, jo për mënyrën e zakonshme të furnizimit të stacioneve.

Një tjetër pretendim i përhapur lidhej me stacionin Tesla në Harris Ranch, Kaliforni. Science Feedback dokumentoi se në vitin 2015 ishte përdorur përkohësisht një gjenerator për një njësi të lëvizshme karikimi gjatë rikonstruksionit, jo për furnizimin e përhershëm të të gjithë stacionit.

Këto pretendime janë pjesë e një narrative të përsëritur që përdor raste të veçanta ose pamje pa kontekst për të vënë në dyshim automjetet elektrike, duke i paraqitur përjashtimet si mënyrën e zakonshme të furnizimit të tyre.

Videoja e publikuar në shqip nuk provon se pajisja përdor naftë apo se furnizon karikuesit Tesla. Për këtë arsye, pretendimi vlerësohet pa prova.

Artikulli paraprakAsnjë bazë për djegien e pyjeve në Kolumbi nga turistët izraelitë
Artikulli tjetërErion Veliaj mbetet në burg
Jona Cenameri
Jona Cenameri është gazetare, fact-checker. Ajo ka përfunduar studimet në degën Gazetari dhe Komunikim në Universitetin e Tiranës, ku u vlerësua me certifikatë ekselence për arritjet akademike. Punon në Faktoje.al, ku merret me verifikimin e deklaratave publike dhe me shkrime hulumtuese mbi çështje me interes publik. Përvoja e saj profesionale përfshin gazetari investigative, raportim të thelluar dhe ndërkufitar, si edhe monitorim e analizë mediatike, përmes bashkëpunimeve me ACQJ, BIRN Kosovo, IDMC, Thomson Media dhe Canal France International. Në vitin 2024 fitoi çmimin e parë në konkursin “Memoria dhe të Drejtat e Njeriut”, ndërsa në vitin 2025 ishte pjesë e ekipit fitues të konkursit rajonal të CFI-së “Balkan Voices 2”. Ajo është gjithashtu përfituese e bursës së KAS Media Programme South East Europe, e akorduar për studentë të talentuar të gazetarisë.