Erion Veliaj mbetet në burg

Gjykata e Lartë vendosi të lërë në fuqi masën e arrestit në burg për kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj

5
Kryebashkiaku Erion Veliaj i shoqëruar nga policia e Burgjeve

Lëvizjet e fundit në Bashkinë e Tiranës dhe deklaratat e shkëputuara publike të kryeministrit Edi Rama, nuk mjaftuan për të ndryshuar fatin e Erion Veliajt në qeli.

Sot, 15 shtator, Gjykata e Lartë vendosi të lërë në fuqi vendimin e Gjykatës së Posaçme të Apelit të 13 marsit 2025. Kështu, masa e “arrestit në burg” ndaj Veliajt mbetet në fuqi.

Kryebashkiaku kishte kërkuar zëvendësimin e “arrestit në burg” me masën “detyrim për tu paraqitur” dhe me vendosjen e një garancie pasurore nga ana e tij

Vendimi erdhi pas rishqyrtimit të çështjes nga Gjykata e Lartë, pas vendimmarrjes së Gjykatës Kushtetuese, e cila kishte shfuqizuar vendimin e mëparshëm të Kolegjit Penal dhe kishte kthyer çështjen për shqyrtim.

Por në ditët para të vendimit të Gjykatës së Lartë, Bashkia e Tiranës kaloi një tjetër riorganizim të fortë në nivelet e saj drejtuese. 

Lëvizjet në Bashkinë e Tiranës

Në fakt, përpara se të mbërrinte vendimi i sotëm, Veliaj kishte nisur një seri ndryshimesh në administratën e Bashkisë.

Një prej lëvizjeve të para ishte largimi i Anuela Ristanit nga funksionet që kishte ushtruar në drejtimin e institucionit gjatë periudhës së mungesës së Veliajt.

Pas saj, Eldi Hoxha, Sekretar i Përgjithshëm i Bashkisë së Tiranës, dha dorëheqjen. Në vend të tij, Veliaj komandoi Alban Dokushin si Sekretar të Përgjithshëm.

Emërimi i Dokushit nuk ishte një lëvizje krejt e re. Ai kishte mbajtur më parë të njëjtin pozicion dhe ishte larguar nga detyra pas arrestimit të Veliajt. 

Më pas, çështja e tij shkoi në gjykatë dhe Apeli Administrativ vendosi rikthimin e tij në detyrë. 

Por ndryshimet nuk përfunduan me Sekretarin e Përgjithshëm. Më 2 shtator, Veliaj firmosi edhe shkarkimin e nënkryetarit të Bashkisë së Tiranës, Blendi Sulaj, i cili e kishte mbajtur këtë detyrë që prej vitit të kaluar. 

Pas shkarkimit, ai deklaroi se do t’i përkushtohej fushatës në mbështetje të Partisë Socialiste dhe kandidates së saj për Tiranën, Ogerta Manastirliut.

Dhe të gjitha këto zhvillime ndodhën ndërsa kryetari i Bashkisë së Tiranës ndodhej në qeli.

Rama: Bashkisë së Tiranës i është prerë koka!

Në të njëjtën kohë, kryeministri Edi Rama e kishte vendosur situatën e Bashkisë së Tiranës në qendër të një debati publik.

Gjatë prezantimit të programit të strehimit social, Rama foli për situatën e krijuar në Bashkinë e Tiranës pas arrestimit të Veliajt dhe përdori një metaforë të fortë: “kokëprerjen e Bashkisë së Tiranës.

Deklaratat e Ramës u lexuan politikisht edhe në kontekstin e situatës së Veliajt, për të cilin kryeministri ka shprehur publikisht keqardhje për qëndrimin në burg.

Në këtë panoramë, shfaqja e Alban Dokushit në rreshtin e parë gjatë aktivitetit ku Rama prezantoi programin për çiftet e reja dhe strehimin social mori një tjetër domethënie, pasi vetëm pak ditë më parë ai ishte vendosur sërish në një prej posteve kyçe të administratës së Bashkisë së Tiranës.

Vendimi erdhi nga Gjykata e Lartë

Në fund, zhvillimet politike dhe administrative nuk ndryshuan vendimmarrjen gjyqësore.

Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë u mblodh më 15 shtator në Dhomë Këshillimi për të shqyrtuar kërkesën e Erion Veliajt kundër vendimeve të mëparshme që kishin lënë në fuqi masën e arrestit në burg.

Pas shqyrtimit, Gjykata vendosi lënien në fuqi të vendimit nr. 13, datë 13.03.2025, të Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.

Tashmë, Gjykata e Lartë ka 60 ditë afat për të zbardhur vendimin, ku pritet të argumentojë edhe përse në rastin e Veliajt nuk është e përshtatshme një masë më e lehtë sigurie.

Pra, pritshmëria për një ndryshim të masës së sigurisë nuk u materializua. Veliaj mbetet në burg. Por këtu nis edhe paradoksi institucional i Tiranës.

Bashkia drejtohet nga burgu

Erion Veliaj ndodhet në paraburgim prej 10 shkurtit 2025, por vijon të jetë ligjërisht kryetar i Bashkisë së Tiranës. 

Ndërkohë, zhvillimet e javëve të fundit tregojnë se ai ka vijuar të ndërhyjë drejtpërdrejt në administratën e institucionit përmes firmës së tij.

Kështu, Tirana ndodhet përballë një situate të pazakontë institucionale: kryetari i zgjedhur nga qytetarët është në burg, por nuk është larguar nga posti.

Ndërsa nga qelia vijojnë të dalin vendime që prekin drejtpërdrejt strukturën dhe funksionimin e Bashkisë.

Procesi gjyqësor ndaj Erion Veliajt, bashkëshortes së tij, Ajola Xoxa dhe disa të pandehurve të tjerë ndodhet aktualisht në fazën e shqyrtimit të themelit.

Kryebashkiaku i Tiranës, është i vetmi i dyshuar në këtë proces ndaj të cilit vijon masa e sigurisë “arrest në burg”.

SPAK ka ngritur ndaj tij akuza për korrupsion pasiv në 9 episode, pastrim parash, fshehje dhe mosdeklarim pasurie, shpërdorim detyre, si dhe futje të sendeve të paligjshme në qeli.