Pretendimi: Kjo foto tregon se historia e gjigandëve në Tokë është mbajtur fshehur qëllmisht

Verdikti: Mungon konteksti

—————————————–

Ne hapësirat konspiracioniste online po qarkullon foto bardhë e zi e një grupi me njerëz, njëri prej të cilëve është shumë më i gjatë se të tjerët. Foto shoqërohet me përshkrimin: “Historia e gjigantëve në Tokë, një subjekt tjetër që na është mbajtur fshehur qëllimisht”. Insinuata këtu është se kjo foto provon se “gjigandët” ekzistojnë dhe kanë ekzistuar me aq konsistencë sa të mund të flitet për një “histori gjigandësh në Tokë”, e cila është fshehur, si zakonisht, me anë të një komploti të lig.

Me anë të motorit të kërkimit të imazheve Google Reverse Image Search, Faktoje zbuloi se foto e mësipërme, shkrepur në 1935, tregon njeriun më të gjatë në historinë e shkruar, amerikanin Robert Wadlow, dhe familjen e tij.

Wadlow lindi në Illinois, ShBA, në vitin 1918 dhe vdiq në vitin 1940. Kur vdiq, në moshën 22-vjecare, ai ishte 2,72 metra i gjatë dhe peshonte 199 kg.

Sic dëshmohet dhe nga fotografia e Wadlow krahas familjes së tij, madhësia e tij ishte një anomali e shkaktuar nga hiperplazia e hipofizës së tij, e cila çon në nivele anomalisht të larta të hormonit të rritjes. Kjo sëmundje quhet edhe gjigandizëm.

Wadlow nuk mori kurrë trajtim për të ndaluar rritjen e tij anormale dhe vazhdoi të rritej deri kur vdiq. Kjo i shkaktonte probleme me lëvizjen dhe atij i nevojiteshin mbajtëse këmbësh dhe shkop për të ecur. Një mbajtëse këmbësh e montuar gabim u bë shkak i vdekjes së tij, kur një e çarë në këmbën e tij të djathtë u infektua. Wadlow vdiq në 15 korrik 1940.

Historia e Wadlow nuk ka qenë ndonjëherë e fshehtë. Gjatë jetës së tij të shkurtër, ai u bë i famshëm duke shëtitur me një trupë cirku nëpër ShBA dhe më pas duke bërë publicitet për një firmë këpucësh. Një statujë në nder të tij u ngrit në vendlindjen e tij Alton në 1986, ndërsa ai ende gjendet në Librin e Rekordeve Guiness si njeriu më i gjatë në histori, njeriu me këmbët më të mëdha në histori, dhe njeriu me duart më të mëdha në histori.