BallinaPertejVerifikimi i lajmeve në FacebookAsnjë provë për dëme shëndetësore nga teknologjia 5G e telefonisë

Asnjë provë për dëme shëndetësore nga teknologjia 5G e telefonisë

Pretendimi: Antenat 5G janë të dëmshme për shëndetin e njerëzve dhe si rrjedhojë duhet të shkatërrohen

Vlerësimi: E pavërtetë

Pamjet e kullës në flakë që po qarkullojnë në rrjetet sociale në vendin tonë nuk kanë lidhje me djegien e antenës së rrjetit 5G. Nga ana tjetër, OBSH dhe FDA e kanë shpallur rrjetin 5G të sigurt.

Përdorues në rrjetet sociale kanë publikuar pamje të një kulle në flakë, duke pretenduar se po digjet një antenë e teknologjisë 5G. Madje, theksohet se 5G është i dëmshëm për shëndetin e njerëzve.

Shumë shkencëtarë të ndershëm të fushës kanë deklaruar se sistemi 5G është i dëmshëm për shëndetin e njeriut, botës i mjafton 4G….Po ju miq jeni dakort me zjarr antenave?”-shkruan një përdorues në rrjetet sociale duke ndarë videon e një kulle antenash në dukje të telefonisë, e cila po digjet.

Postimet e shpërndara në rrjetet sociale

Ne bëmë një kërkim mbi këto pamje, ku rezulton se në fakt video i përket 7 janarit të vitit 2018 nga kanali indian Hindxpress TV. Në klip shfaqet një zjarr që shpërtheu në një kullë telefonike të vendosur në qytetin e Ambala, Indi. 

Sipas kolegëve të verifikimit të fakteve në Indi, prova e parë e 5G në Indi u krye me një sërë testesh në shkurt të vitit 2018. Për më tepër, verifikuesit e fakteve indiane kanë specifikuar se në këtë rajon të Indisë, edhe në këto momente nuk janë instaluar ende antena 5G. Prandaj është e pamundur që video të tregojë djegien e një antene 5G, siç pretendohet në postimin e shpërndarë në rrjetet sociale.

5G, ose gjenerata e pestë, është teknologjia më e fundit e telefonisë celulare me valë, e përdorur për herë të parë gjerësisht në vitin 2019. Kjo teknologji pritet të rrisë performancën dhe një gamë të gjerë aplikacionesh të reja, duke përfshirë forcimin e Shëndetit elektronik (telemjekësi, mbikëqyrje në distancë, telekirurgji).

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, deri më sot dhe pas shumë kërkimeve të kryera, asnjë efekt negativ shëndetësor nuk është lidhur me ekspozimin ndaj teknologjive wireless.

Përfundimet në lidhje me shëndetin nxirren nga studimet e kryera në të gjithë spektrin e radios, por, deri më tani, vetëm disa studime janë kryer në frekuencat që do të përdoren nga 5G.

Ngrohja e indeve është mekanizmi kryesor i ndërveprimit midis fushave të radiofrekuencës dhe trupit të njeriut. Nivelet e ekspozimit ndaj radiofrekuencës nga teknologjitë aktuale rezultojnë në një rritje të papërfillshme të temperaturës në trupin e njeriut.

Me rritjen e frekuencës, ka më pak depërtim në indet e trupit dhe thithja e energjisë bëhet më e kufizuar në sipërfaqen e trupit (lëkurës dhe syve). Me kusht që ekspozimi i përgjithshëm të mbetet nën udhëzimet ndërkombëtare, nuk parashikohen pasoja për shëndetin publik, raporton OBSH.

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) dhe FDA e kanë shpallur 5G të sigurt.

“Të gjitha komunikimet me valë përdorin rrezatim elektromagnetik jo-jonizues për të transmetuar energji dhe informacion nëpër hapësirë pa pasur nevojë për tela. Valët elektromagnetike kanë një frekuencë më të lartë, gjë që e lejon atë të mbajë më shumë informacion. Ai gjithashtu ka një gjatësi vale më të vogël dhe nuk depërton në trup aq sa energjia me frekuencë më të ulët”, sqaruan ekspertë për “Forbes”.

Ilda Hoxha
Ilda Hoxha
Gazetare Ka përfunduar studimet në nivelin “Bachelor” për “Gazetari dhe Shkenca Komunikimi” në “Universitetin e Tiranës” dhe studimet në nivelin “Master Shkencor” në drejtimin “Marketing Mediatik”. Ka punuar si gazetare në “Top Albania Radio” në periudhën janar 2013-dhjetor 2014. Ka punuar si gazetare në “Gazetën Shqip” në print për çështjet sociale në periudhën dhjetor 2014- korrik 2016. Në periudhën shkurt 2015-gusht 2017 ka punuar për “Votra Magazine”, ku ka mbuluar pjesën e marketingut të saj, por edhe shkrimin e artikujve me karakter kulturor dhe promovues për Shqipërinë. Ka punuar si redaktore në “Gazetën Shqip Online” në periudhën korrik 2016-deri më 19 maj 2021. Në periudhën qershor-gusht 2021 ka punuar si gazetare në emisionin “Pushime On Top” në Top Channel.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img