Ministrja e Arsimit Evis Kushi në një deklaratë të datës 4 janar garantoi rritjen me 15 për qind të pagave të arsimtarëve për vitin 2021. Gjatë verifikimit të kësaj deklarate, Faktoje konstatoi se rritja ka ndodhur, por jo në masën e premtuar. Edhe ekspertë të ekonomisë konfirmuan për Faktoje se rritja e pagës së arsimtarëve është bërë në masën 11 për qind.
Përmes një postimi në rrjetin e saj social Facebook, Ministrja e Arsimit Evis Kushi lajmëroi se viti 2021 do të niste me rritjen e pagave të mësuesve në të gjithë vendin me 15 për qind.
“Për mësuesit e sistemit arsimor 9-vjeçar, paga shkon nga 65 mijë lekë në 72 mijë lekë. Për mësuesit në gjimnaz, paga nga 69 mijë lekë në 76 mijë lekë”.
Statusi i Ministres së Arsimit Evis Kushi
Faktoje duke u bazuar VKM nr.1149, datë 24.12.2020, ndërtoi tabelën e cila ilustron ndryshimin e pagës sipas viteve dhe shtesat e pozicionit për secilën kategori të arsimtarëve, duke shpjeguar kryesisht rritjen e pagës për vitin 2021. Shtesa e pozicionit mesatar ka shkuar nga 48.937 në 56.289, ose me një rritje prej 15 për qind.
Por kjo nuk është rritja totale e pagës së arsimtarëve, por vetëm e njërit të komponenteve. Faktoje bëri të njëjtën skemë ashtu si në artikullin e mëparshëm për rritjen e pagave në 7 vite, bashkë me shembullin, i cili na tregoi se rritja në total e pagave për sistemin arsimor në vend, për 2021-n, del 11 për qind.
Tabela ilustruese e krijuar nga Faktoje, sipas të dhënave nga VKM, Paga e grupit+Shtesat
Shembull i rritjes së pagës për një mësues gjimnazi, me 10 vite eksperiencë, Titulli “Specialist”
Bazuar në analizën e një eksperti ekonomie, ajo çfarë Faktoje konstaton, është se për vitin 2021 rritje e pages së arsimtarëve është bërë në masën 11 për qind, konkretisht nga 63,200 Lekë në 69,950 lekë.
Rritja pagave në 2021, mesues shkolle të mesme.
Shembull i rritjes së pagës të një mësuesi të arsimit 9-vjeçar, me 10 vite eksperiencë, Titulli “Specialist
Për një mësues të sistemit arsimor 9-vjeçar, bazuar në analizën e bërë, Faktoje konstaton se rritja e pagës për vitin 2021 pësoi një rritje prej 10 për qind, konkretisht nga 60,200 lekë në 66,500 lekë.
Rritja pagave në 2021, mesues shkolle 9-vjeçare
Po të llogarisim rritjen e pagës për këtë kategori, nga viti 2013 deri tani në vitin 2021, rezulton që ajo të jetë në masën 29-30 për qind.
Rritja pagave nga 2013
Nga informacioni i grumbulluar dhe verifikimi i kryer, vendosëm që deklaratën e Ministres së Arsimit Evis Kushi për rritjen e pagës së arsimtarëve me 15 për qind për vitin 2021, ta kategorizojmë si Gjysmë të Vërtetë.