BallinaFaktometerE PavërtetëBasha: Në 7 vite nuk u rritën pagat e arsimtareve

Basha: Në 7 vite nuk u rritën pagat e arsimtareve

EDIT NIKOLLI

Në dhjetor të vitit të kaluar, kryetari i PD Lulzim Basha deklaroi se për 7 vite me rradhë nuk ka pasuar asnjë rritje page për arsimtarët. Faktoje verifikoi këtë deklaratë e cila rezulton e pavërtetë. Edhe ekspertë të çështjeve të arsimit dhe ekonomisë konfirmojnë se ndonëse në vlera minimale, ka pasur rritje të pagës së mësuesve në 7 vitet e fundit.


Kryetari i opozitës Lulzim Basha, në 7 dhjetor 2020, në një deklaratë për mediat u shpreh se qeveria nuk ka mbajtur premtimet për rritjen e pagës së  arsimtarëve, duke theksuar se gjatë këtyre viteve ato nuk u rritën.

 “Ndërsa për 7 vite me rradhë nuk pati asnjë rritje pagash”- u shpreh ai

Faktoje, në datë 7 janar iu drejtua me një kërkesë për informacion Ministrisë së Arsimit duke e pyetur se sa janë rritur pagat e arsimtareve në këto 7 vite.

                 Kërkesë për informacion drejtuar Ministrisë së Arsimit Sportit dhe Rinisë

Ministria e Arsimit na dha përgjigjen si më poshtë:

                                    Përgjigje e Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë

Në përgjigjen e saj, ministria na informoi se rritja e pagave për punonjësit e arsimit parauniversitar (nga data 01.05.1999 deri në prill të 2019) konfirmohej përmes VKM me nr.624, date 24.7.2013, nr.175, datë 8.3.2017, vendimi nr.191, datë 5.4.2019.

Pas kësaj përgjigjeje, Faktoje komunikoi me një ekspert ekonomie i cili na shpjegoi me hollësi vendimet si më poshtë:

Na rezulton se paga e grupit që shërben për llogaridhënien e shtresës për vjetërsi dhe për kualifikim, është rritur vetëm në vitin 2017, sipas VKM që është dërguar nga Ministria e Arsimit Sportit dhe Rinisë, nga 1 mijë në 2 mijë lekë në muaj. Më pas nuk rezultojnë ndryshime.

Ndërkohë arsimtarët kanë përfituar nga rritja e shtresës së pozicionit të punës në vitin 2017 deri në vitin 2019. Shtresa e pozicionit të mësuesve në vitin 2017 është rritur mesatarisht 4240 lekë në muaj. Në vitin 2019 u rrit me 2300 lekë në muaj.

*Tabela ilustruese e krijuar nga Faktoje, sipas të dhënave nga VKM, Paga e grupit+Shtresat

                                                                    Paga e Grupit (PG)

                      Shembull i një mësuesi me 10 vite eksperiencë, Titullari “Specialist”

Ajo çfarë Faktoje konstaton, bazuar edhe në analizën e ekspertit, është se pagat e arsimtarëve kanë pësuar një rritje prej 17 përqind, nga viti 2013 deri në vitin 2019.

Nëse marrim si shembull një mësues gjimnazi, titullari ‘Specialist’ me eksperiencë pune 10 vjeçare në arsim, konstatojmë rritjen si më poshtë:

-Në 2013 paga ka qenë 54.100 lekë

-Në 2017 është rritur në 60.550 lekë, këtu ka filluar një rritje prej 12 përqind e pagës.

-Në 2019 është rritur në 63.200 lekë, rritje 4 përqind e pagës.

Pyetjen nëse ka patur rritje të pagave të arsimtarëve gjatë këtyre vitëve të fundit, duke e pasqyruar sipas kategorive të ndryshme, na e konfirmon edhe Eksperti i Arsimit i angazhuar edhe në PD, Ndriçim Mehmeti shprehet për Faktoje:

“Në vitin 2017, pak muaj para zgjedhjeve (njësoj si tani) pati një rritje të pagës së grupit. Për ta sqaruar, rritja prej 10% ishte vetëm mbi bazën e pagës së grupit 14 mijë lekë (të reja) për një pjesë mësuesish dhe 10 mijë lekë të reja për disa. Pra bëhej fjalë për një rritje prej 700-1200 lek (të reja) për mësuesit. Kjo rritje page ishte qesharake, e papërfillshme dhe e bërë vetëm në fund të mandatit të parë. Në shtator të vitit 2017, ish-ministrja Nikolla, premtoi një rritje prej 40% të pagave të mësuesve në katër vitet e mandatit të dytë, por rritja është vetëm 15%”.

Paga sikundër përmenda më sipër është rritur vetëm 15%. E përkthyer në përfitim real për mësuesit kjo rritje varion nga 1500 lekë deri në 2100 lekë të reja, sipas përllogaritjeve të bëra nga ekspertë ekonomikë dhe drejtuesit e Sindikates së Pavarur të Arsimit. Këta të fundit kanë vënë në dukje, se rritja nuk indekson as normën e inflacionit, prej 2013 e deri ne kohën që po flasim.

Kreu i sindikatës së pavarur të arsimtarëve të Shqipërisë, Nevruz Kaptelli gjatë një interviste televizive ka konfirmuar se ka pasur tre herë rritje page gjatë këtyre vitëve.

“Është vërtetuar tashmë se rritja e pagave është bërë tre herë brenda këtyre viteve, është një rritje formale”- u shpreh ai.

Ndërkohë, Faktoje në një artikull të publikuar në 23 mars 2018, ka verifikuar  rritjen e pagave për kategorinë e arsimtarëve të sistemit parauniversitar.

Nga informacioni i grumbulluar dhe verifikimet e kryera, vendosëm që deklaraten e kryetarit të Partisë Demokratike, se në 7 vite nuk u rriten pagat e arsimtareve, ta kategorizojmë të pavërtetë.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img