Sasia e vaksinave të premtuara në deklarata të ndryshme nga kryeministri Rama ka ardhur duke u reduktuar. Deri sot kanë mbërritur më pak se 10 mijë vaksina, shifër që duhet të ishte ‘ezauruar’ që në javën e tretë të janarit. Brenda shkurtit u premtua ardhja e 30 mijë dozave, por Covax ka konfirmuar për Faktoje se nuk ka dërguar ndonjë kontigjent të paktën dy javët e para të muajit. Ndërkohë nga 5000 individë të stafit mjekësor të vijës së parë, janë vaksinuar plotësisht më pak se 600. Megjithë procesin e ngadaltë për vaksinimin e mjekëve, qeveria njoftoi se ka nisur vaksinimin e të moshuarve në shtëpitë e kujdesit.


Pas ardhjes së kontigjentit të parë dhe të dytë të vaksinave në Shqipëri, respektivivisht më datë 11 janar (975 doza të raportuara) dhe 1 shkurt të këtij viti (1070 doza të raportuara), ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu njoftoi mbërritjen edhe të 7020 dozave nga kontrata me Pfizerin.

*Screenshot i marrë nga faqja zyrtare e Ministrisë së Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu nw 15 shkurt

Sasia e vaksinave të mbërritura as një e treta e atyre të premtuara

Më datë 1 janar kryeministri Edi Rama u shpreh:

“10 750 doza të kësaj kontrate (me Pfizer) do të mbërrijnë në Shqipëri në fillim të javës së tretë të janarit, 30 250 doza të tjera do të vijnë në shkurt e tjerat me radhë, muaji pas muaji.”

Një muaj më pas, në datën 2 shkurt kryeministri deklaroi :

“Në mesin e shkurtit mbërrijnë 10.000 mijë e kusur dozat e parashikuara dhe brenda shkurtit vijnë 30.000 mijë e kusur doza të tjera, sipas angazhimit të darkës së vonë mbrëmë. Ne jemi gati të vaksinojmë të gjithë mjekët dhe infermierët dhe të fillojmë me ato që janë në moshën më të thyer, që janë kategoria A e qytetarëve për fillimin e vaksinimit.”

Deri më 16 shkurt, numri i dozave të mbërritura, sipas raportimeve të qeverisë rezulton të jetë 9016. Ky numër, përkon me rreth 4500 individë (një vaksinë = 2 doza). Kjo sasi është më e vogël se numri i mjekëve të vijës së parë, siç kanë deklaruar më herët zëvendësministrja e Shëndetësisë Rakacolli dhe kreu i Urgjencës Kombëtare, Brataj në 26 shkurt, të ftuar në emisionin Open.

Me përfundimin e vaksinimit të 5 mijë të parëve ku përfshihet personeli mjekësor, do të nisë edhe vaksinimi i qytetarëve”-tha zoti Brataj në 26 janar.

“Vaksinimi i qytetarëve do të nisë brenda muajit shkurt”-shtoi zonja Rakacolli në të njëjtin emision.

Sipas raportimit të fundit nga Ministria e Shëndetësisë, datë 15.02.2021, numri i personelit shëndetësor të vaksinuar me të dy dozat është më pak se 600, ndërsa numri i atyre që kanë marrë dozën e parë është më pak se 700. Me gjithë procesin e ngadaltë të vaksinimit, qeveria njoftoi në 16 shkurt se nisi vaksinimin edhe të të moshuarve në shtëpinë e kujdesit në Shkodër.

Duke u rikthyer tek numri i ulët i vaksinave të mbërritura, në krahasim me ato të premtuara nga qeveria, rezulton se deri më sot nuk kanë mbërritur ende vaksina nga kontigjenti i COVAX të porositura dhe të parapaguara.

Faktoje ka kontaktuar dy herë me COVAX, një herë në datën 13 janar dhe një herë në datën 12 shkurt, ku kërkuam të mësojmë se çfarë po ndodh me procesin e sigurimit të vaksinave për shtetin shqiptar.

*Emaili i dërguar kompanisë Covax datë 13 janar

Nga përgjigjja që Covax i ktheu Faktojes në 13 janar, mësohet se sasia e parë e vaksinave, në rastin më të mirë vjen brenda muajit shkurt dhe mbulon jo më shumë se 3% të kërkesave të popullësisë. Kontigjenti tjetër, sërish në skenarin më të mirë, bazuar në këtë përgjigje, vjen pas muajit qershor të këtij viti.

*Screenshot nga përgjigjja e kompanisë Covax datë 12 shkurt

Në datë 12 shkurt Covax iu përgjigj interesimit të Faktoje:

“Ne shpresojmë që procesi i dorëzimit të vaksinave do të fillojë që në këtë muaj” , duke konfirmuar se në dy javët e para të shkurtit ende nuk ka nisur dorzimi i vaksinave.

Ndërkohë, kompania Pfizer iu përgjigj kështu interesimit të Faktoje se sa është numri i dozave të porositura nga Shqipëria:

“Pfizer dhe BioNtech po punojnë pa u lodhur për të mbështetur zhvillimin e fushatave të vaksinimit në të gjithë botën. Shpejtësia dhe shkalla e ambicies sonë për të furnizuar botën me 2 miliardë doza deri në fund të vitit 2021 është një ndërmarrje e jashtëzakonshme komplekse. Ne do të përmbushim zotimet tona të furnizimit në përputhje me marrëveshjet tona ekzistuese – të cilat gjithmonë bazohen në shpërndarjen e dozave, jo të shisheve – dhe etiketën e vlefshme në secilin vend. Numri i dozave dhe orari i dorëzimit janë rënë dakord me qeveritë, si dhe me qeverinë shqiptare, detajet mbeten konfidenciale.”-tregon kompania Pfizer.

Faktoje ka ndjekur hap pas hapi deklaratat e kryeministrit lidhur me sasinë e vaksinave që do mbërrijnë në Shqipëri, nga të cilat rezulton një reduktim i shifrave prej janarit e deri në mesin e muajit shkurt.

Faktoje do vijojë monitorimin dhe verifikimin e këtyre zotimeve, sipas të cilave, brenda shkurtit do mbërrijnë 30 000 doza të vaksinës anti-Covid.