.

.

BallinaAktualitetCovid-19Kur hyri Covid-19 në Shqipëri? Shumë teza, asnjë përgjigje

Kur hyri Covid-19 në Shqipëri? Shumë teza, asnjë përgjigje

Në Shqipëri po zhvillohet një debat në nivel ekspertësh se kur është prekur vendi ynë nga koronavirusi Covid-19. Komiteti Teknik dhe Ministria e Shëndetësisë thonë se nuk ka pasur koronavirus në janar, por as nuk ka hedhur poshtë me shifra argumentat e mjekëve se gjatë janarit pati 25 mijë të prekur nga infeksionet respiratore, duke kapërcyer vrullshëm kurbën tavan të ISHP. Edhe tamponët e gripit stinor nuk mund të identifikonin këtë virus, të cilin OBSH e shpalli zyrtsisht në fund të janarit, kohë kur nisën të vinin edhe kitet e posaçme.


Ministria e Shëndetësisë njoftoi zyrtarisht dy rastet e para me koronavirusin “Covid-19” më 9 mars 2020. Më shumë se një muaj pas shpërthimit të pandemisë, nisën edhe diskutimet, fillimisht mes aktorëve nga politika e më pas përfaqësuesve nga sistemi shëndetësor mbi kohën se kur ky virus ka hyrë në Shqipëri.

Mjeku Gëzim Xhepa, argumentoi me ilustrime se koronavirusi “Covid-19” kishte prekur Shqipërinë që prej muajit janar 2020.

Kam tre javë që i kërkoj departamentit të Imazherisë të fillojë hulumtimin e imazheve pulmonare të epidemisë janar-shkurt 2020! Sot, falë mikut dhe kolegut tim të nderuar Dr. Renato Osmenaj, imazheristit që ishte i pari, që javën e parë pas zbulimit të të ashtuquajturit rast 0, identifikoi fizionominë dhe identitetin imazherik pulmonar të COVID-19 dhe potencën e ekzaminimit CT ndër ekzaminimet e skemës bazë për diagnostikim dhe përcaktim prognose. M’u ofruan imazhe të pakundërshtueshme të prezencës së COVID-19 në datat 15-20 janar, në disa raste në Infektiv, shkruante mjeku Xhepa në profilin e tij në Facebook më 1 maj.

Grafi mushkërie ku pretendohet prezenca e “Covid-19”. Burimi: Gëzim Xhepa

Konfirmimi erdhi nga vetë mjeku imazherist, Renato Osmënaj.

Mjekët janë ankuar se pas 10 janarit kanë pasur nga 200 vizita në ditë me grip. Po ashtu edhe në Sanatorium ka pasur raste të shumta. Tamponët e gripit sipas ISHP që kanë rezultuar negativë për grip, por nuk dihet se çfarë kanë pasur. 27 janar deri në 2 shkurt rezulton se ka pasur 25 mijë infeksione respiratore. Janë kryer 576 tampone, ku 28% pozitivë për grip dhe 72% negative, u shpreh Osmënaj në emisionin “Tempora” për “RTV Ora”.

Osmënaj argumenton gjithashtu se kurba e infektimeve tregon që vendi është prekur nga koronavirusi “Covid-19” prej muajit janar.

Në kurbën e krahasuar vjetore ka një tavan të sipërm të miratuar nga ISHP për 2,8 mln banorë, dhe ky tavan është 19 920 raste, ndërsa atë kohë, në janar kemi pasur mbi 25 mijë raste, kjo quhet epidemi, shtoi Osmënaj.

Grafiku i ISHP për infeksionet respiratore në 8 javët e para për vitet 2019 dhe 2020

Profesori i Epidemiologjisë, Eduard Kakarriqi gjithashtu mbështet pretendimin e Osmënajt se koronavirusi është shfaqyr prej muajit janar në Shqipëri. Në një intervistë për ABC News më 7 prill, Karriqi argumentoi se rastet e para kanë qenë gjatë muajit shkurt.

Unë dua të vë theksin se OBSH vetëm me datën 27 shkurt ka bërë përkufizimin e rastit për pacientët me sëmundje Covid-19, ky përkufizim rasti i munguar për të gjithë vendet mund të jetë një bazament që të tregojë se vërtet ka pasur një qarkullim të Covid-19 duke filluar që në janar në vendin tonë. Ky qarkullim ka ardhur duke u rritur për të marrë më shumë në fund të javës së dytë të shkurtër në fillim të marsit një formë për ulje-ngritje, por me një pritje drejt uljes së vet në fund të prillit dhe fillim të majit. Janë fakte pak a shumë jo të drejtpërdrejta që  qarkullimi i Covid në vendin tonë fillesat i ka në janar, u shpreh Karriqi.

Përfaqësuesja e Institutit të Shëndetit Publik, Rovena Daja më 23 prill konfirmoi se testi i parë për Covid-19, në Shqipëri është kryer prej muajit janar.

Testi i parë i COVID-19 është kryer me 31 janar të viti 2020, për një person të dyshuar, u shpreh Daja

Nisjen e testimeve për “Covid-19” në muajin janar e konfirmoi edhe zv.ministrja e Shëndetësisë, Silva Bino, në emisonin “360 Gradë” në RTV Ora më 20 prill.

Sekuencat e virusit u ndanë për herë të parë nga shkencëtaret kinezë në 7 janar dhe u përgatitën kitet. Kitet ne i kemi pasur në fund të janarit dhe qysh atëherë deri në shkurt kemi bërë testime. Sasia e testimeve ka qenë e konsiderueshme, u shpreh Bino.

Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu më 4 maj, në emisionin “Opinion” në RTV Klan mohoi që Shqipëria të jetë prekur nga koronavirusi prej muajit janar.

Mund t’ju them që Komiteti i Ekspertëve që përbëhet nga ekspertë, epidemiologë, mjekë që kanë ndjekur prej fillimit shfaqen e sëmundjes ecurinë dhe se si është realizuar investigimi epidemiologjik në Shqipëri, nuk ka asnjë të dhënë shkencore deri më tani për ekzistencën e Covid-19 në muajin Janar. Jo nuk ka asnjë evidencë shkencore, po e përsëris dhe njëherë, shkencore të bazuar mbi një evidencë epidemiologjike dhe jo mbi vështrime skanerësh, u shpreh Manastirliu.

Pytjen lidhur me dyshimet mbi momentin e parë që vendi u përfshi nga koronavirusi “Covid-19”, e shtroi edhe kryeministri Edi Rama gjatë mbledhjes me Komitetin e Ekspertëve më 7 maj.

Shefja e Infektivit Najada Çomo, mohoi që vendi të mund të ishte prekur nga “Covid-19” prej muajit janar.

E vërteta është që ne në Janar kemi një fluks rastesh, edhe nga infeksione të tjera respiratore, që në muajin Janar ne kemi pasur vëmendje të shtuara, pas rasteve në Kinë, qoftë muaji Janar qoftë muaji Shkurt, nuk kemi pasur raste të shtuara për t’i identifikuar, nuk kishte si të kishim më pak raste kur nuk kishte masa të pakta, dhe kemi më shumë tani që masat janë më shtrënguese. Në Shërbimin Infektiv nuk ka pasur kurrsesi në muajin Janar persona të prekur nga Covid 19, këtë e them me përgjegjësi të plotë, deklaroi Çomo.

Mjeku epidemiolog, Tritan Kalo, pjesë e Komitetit të Ekspertve, përmes një postimi në rrjetin social “Facebook” më 9 maj, argumentoi se vendi nuk është prekur nga “Covid-19” gjatë muajit janar.

Kemi pasur mijëra e mijëra raste të gripit A (H1N1) në Shqipëri, gjatë periudhës së mesit të dhjetorit 2019 dhe në fund të shkurtit 2020 . Dikush ka studiuar ndryshimet të diagnozës të secilës prej sëmundjeve të përmendura më lart, përfshirë edhe gripin A (H1N1). Imazhet e mëposhtme të GG nuk kanë asnjë lidhje me Sars-Cov2 / Cov2 / Cov2, por ato duken të njëjta dhe i përkasin disa prej sëmundjeve vijuese, kryesisht gripi A (H1N1), shkroi mjeku Kalo.

Grafi mushkërie ku mohohet prania e “Covid-19”. Burimi: Tritan Kalo

Mjeku Kalo, anëtar i Komitetit Teknik për koronavirusin “Covid-19”, të hënën në emisionin “Open” në Top Channel riargumentoi se koronavirusi nuk ka qenë i pranishëm gjatë muajve janar dhe shkurt në Shqipëri.

Në Shqipëri së pari për periudhën në janar kemi pasur shtim të gripit, por jo më shumë se vitet më parë. Numri i rasteve ka qenë të njëjta. Në mars fillon e zbret. Nga kërkimet që janë bërë të vetmet viruse kanë qenë ato që kanë qenë dhe nuk ka pasur një shtim të numrit të të shtruarve në spitale, u shpreh Kalo.

Të njëjtat diskutime mbi këtë temë zhvillohen edhe në Itali apo vende që u goditën më rëndë nga pasojat e korronavirusit. Kur vjen fjala për Shqipërinë, ajo që bie në sy është pozicionimi në dy fronte sa i përket periudhës kur ka hyrë koronavirusi. Të gjithë ekspertët, pjesë e Komitetit Teknik për pandeminë kundërshtojnë tezën se COVID-19 ka qarkulluar që prej janarit. Nga ana tjetër argumentet e ekspertëve të fushës lidhur me këtë temë, nuk hidhen poshtë zyrtarisht dhe me shifra.

Ministria e Shëndetësië nuk e ka mohuar dhe as ka dhënë një shpjegim shterues përshembull për argumentin e mjeku Osmënaj se kurba tavan e ISHP prej 19,920 është tejkaluar me rreth 6,000 të prekur më shumë nga infeskionet resiratore. Një tjetër argument që ngre pikëpytje mbi këtë çështje është fakti se gjatë muajit janar tamponët ekzistues për gripin stinor kanë rezultuar negativë për personat me simptoma respiratore. Kitet për identifikimin e COVID-19 siç pranon Ministria e Shëndetësisë kanë mbërritur në fund të janarit.

Faktoje“, përmes “Kërkesave për informacion”, ka tentuar të ketë të dhëna mbi nivelin e infektimeve dhe vdekshmërisë gjatë muajit janar dhe shkurt 2020, por deri më tani nuk ka marrë ende asnjë përgjigje.

Aurora Shpataj & Marjo Brakaj

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img