Mbi 300 nxënës të gjimnazit “Arif Sula” në Mamurras nuk po zhvillojnë mësim në ambientet e kësaj shkolle, ndonëse gjimnazi tashmë ka përfunduar. Në gusht të vitit 2020 kryeministri Edi Rama premtoi se ata do të hynin në ambientet e reja që në 26 nëntor të po atij viti. Faktoje verifikoi se aktualisht gjimnazistët po e kryejnë procesin mësimor në shkollën 9-vjeçare “Besnik Syla”, duke u përballur me problematikën e mësimit me turne dhe mungesën e kushteve. Gjimnazi “Arif Sula” u dëmtua nga tërmeti tragjik i 26 nëntorit të vitit 2019.
Në gusht të vitit 2020, kryeministri Edi Rama u zotua se në nëntor të po atij viti, nxënësit e gjimnazit të Mamurrasit “Arif Sula” do të zhvillonin mësim në ambientet e reja të këtij objekti, pas dëmtimit të ndërtesës së vjetër nga tërmeti tragjik i 26 nëntorit.
“26 nëntori i shkuar i la pa strehë mësimore fëmijët e mësuesit e gjimnazit ‘Arif Sula’ Mamurras, Kurbin, por në 26 nëntorin që po vjen, ata do të hyjnë në një shkollë të re, me kushte optimale, e pakrahasueshme me të vjetrën dhe pa dallim nga shkollat nëntëvjeçare të komunave kudo në Europë”- premtoi kryeministri Edi Rama në gusht të vitit 2020.
Pas thuajse 2 vitesh nxënësit e gjimnazit “Arif Sula” ende nuk po e zhvillojnë procesin mësimor në këtë shkollë të re.
Nxënësit tregojnë se nuk janë futur ende në shkollën e re, ndonëse është premtuar prej kohësh. Ata sqarojnë se aktualisht bëjnë mësim në shkollën 9-vjeçare “Besnik Syla”.
“Kemi dërguar e-mail në Bashki dhe na kanë thënë që ka defekte pjesa e godinës. Kemi biseduar disa herë edhe me mësuesit për këtë çështje, por ata nuk kanë informacion se kur do të futemi te gjimnazi i ri”, shprehet një prej nxënësve të vitit të 2-të.
Një nxënës i vitit të tretë shton: “Te shkolla ku po bëjmë mësim aktualisht jemi me turne. Gjimnazi është turni i dytë, fillojnë në orën 13:00 dhe mbarojnë në orën 17:30. Është pak problem pjesa e turneve, sepse pasdite ne nuk jemi të kthjellët për të bërë mësim”.
Shkolla ku zhvillojnë aktualisht mësim nxënësit, qershor 2022
Ndërkohë, një nxënës i vitit të parë ngre shqetësimin për mungesën e laboratorëve në shkollën ku po zhvillojnë aktualisht mësim.
“Këtu nuk kemi laboratorë për të zhvilluar praktikat për lëndët fizikë, kimi. Mezi presim të futemi te shkolla jonë”, ngre shqetësimin nxënësi.
Shkolla ku zhvillojnë aktualisht mësim nxënësit, qershor 2022
Faktoje iu drejtua me një kërkesë për informacion Bashkisë Kurbin, ku ndër të tjera e pyetëm se kur pritet të hapë dyert për nxënësit gjimnazi “Arif Sula”. Nuk kemi marrë ende një përgjigje nga institucioni,
Ndërtesa gati, por ende pa nxënës brenda
Në mes të muajit prill të vitit 2022, kryebashkiakja e Kurbinit, Majlinda Cara bëri një postim në Instagram, ku tregonte pamjet nga gjimnazi i ri “Arif Sula”.
“Gati edhe gjimnazi ‘Arif Sula’, i financuar 100% nga qeveria shqiptare përmes Programit të Rindërtimit dhe zbatuar nga FSHZH”, shkruante kryebashkiakja e Kurbinit krahas fotove të publikuara.
Postimi i kryebashkiakes Majlinda Cara në Instagram
Po në 15 prill, ministri i Shtetit për Rindërtimin, Arben Ahmetaj publikoi foto nga gjimnazi, duke bërë të ditur se tashmë kishte përfunduar puna për ndërtimin e tij.
Gjimnazi “Arif Sula”, foto e publikuar nga zoti Ahmetaj
Në pritje të mbajtjes së premtimeve mbi 300 nxënësit e këtij gjimnazi shpresojnë që në vitin e ri shkollor 2022-2023 të rikthehen në shkollën e tyre, tashmë të rindërtuar dhe të përfunduar.
*Shkrimi u realizua nga A.B, nxënëse e gjimnazit Arif Sula në Kurbin në kuadër të projektit YOUTH RAP, një bashkëpunim i Faktojes me IREX për të nxitur të rinjtë që jenë kërkues të së vërtetës dhe verifikues të fakteve