Këshillat mjekësore në portale janë falas, por jo gjithmonë të sakta. Receta çudibërëse e rrepave të bardha që përmirëson në masën 80% kujtesën e njerëzve është një keqintepretim. Studimet shkencore konfirmojnë të mirat, por edhe efektet anësore të këtyre këshillave online.
—————————–
Rrepa e bardhë është bërë e famshme vitet e fundit si një zbulim që ndihmon organizmin e njeriut të plotësojë fibrat e munguara në një kohë të shkurtër. Për shkak të kësaj fame të menjëhershme, një numër i lartë faqesh interneti po reklamojnë vetitë ‘çudibërëse’ me shkrime në disa raste të ekzagjeruara.
I tillë është rasti i këshillës në portalin onlinenews5.com, ku serviret një recetë magjike për të gjithë ata që vuajnë nga presioni i lartë i gjakut dhe kujtesa e pakët. Teksti në fjalë, nëse arrin të deshifrohet nga gabimet e shumta ortografike, këshillon si të përzieni disa artikuj të thjeshtë, me bazë kryesore rrepën e bardhë “për të përmirësuar deri në 80% kujtesën”.
Sipas këtij artikulli, “mjafton 125 gr rrepë të bardhë, 4 limonë, 3 lugë mjaltë, 2 lugë kanellë pluhur dhe një copë xhenxhefil dhe ta konsumoni për tre javë dhe jo vetëm kujtesa do të përmirësohet në masën 80%, por edhe shtresat e dhjamit do të shkrihen”.
Por, le të kthehemi me këmbë në tokë. Sipas “Medical News Today”, agjencisë informative prestigjioze të shëndetit në ShBA, konsumi i rrepave të bardha është i domosdoshëm pasi lidhet me një sërë efektesh të mira për organizmin, duke qenë e pasur me shumë fibra. Ndër efektet që sjell konsumi i kësaj perimeje, është edhe ndikimi pozitivisht në normalizimin e tensionit të lartë të gjakut dhe në kontrollin e yndyrnave, por në asnjë rast nuk përmenden ‘efektet çudibërëse’ apo përmirësimi i kujtesës në masën 80%. Nëse një artikull i tillë do të ishte i vërtetë, numri i lartë i personave me demencia, Alzaimer, sklerozë, etj do të reduktohej ndjeshëm në vetëm pak ditë dhe studime të shumta në këtë fushë do të shkonin dëm.
Studimet shkencore, të cilave kjo media ju referohet, flasin se fibrat e larta që përmban rrepa e bardhë, ndihmojnë në përmirësimin e sëmundjeve të aparatit tretës, si diverticulitis. Gjithashtu, një tjetër studim i “Qendrës Kombëtare për Bioteknologji”, provon se konsumi i rrepave dhe nitrateve që ato përmbajnë, ndihmojnë enët e gjakut të performojnë më mirë duke parandaluar ishemi apo sëmundje të tjera të papajtueshme me jetën.
Studimi i publikuar në National Library of Medicine
Ndryshe nga këto media, të cilat shkrimet i bazojnë në studime konkrete, në shkrimin e portalit që pretendon 80 % përmirësim të kujtesës, nuk citohet asnjë burim apo studim serioz.
Duhet nënvizuar se përdorimi i rrepës së bardhë, sjell tek disa persona, veçanërisht tek ata që vuajnë nga problemet me tiroiden, efekte anësore që dëmtojnë shëndetin. Kjo është një nga arsyet kryesore përse recetat apo këshillat mjekësore në portale jo serioze duhen trajtuar me kujdesin e duhur nga lexuesit dhe gjithmonë të konsultohen me mjekun specialist përpara se të merren veprime që mund të vënë në rrezik shëndetin.
*Lajmi publikohet në kuadër të bashkëpunimit mes Faktoje dhe Facebook për të luftuar dizinformimin