BallinaUncategorizedKapiteni i Katarit nuk mbajti flamurin palestinez gjatë ndeshjes

Kapiteni i Katarit nuk mbajti flamurin palestinez gjatë ndeshjes

Kapiteni i Kombëtares së Katarit nuk mbajti një shirit me flamurin palestinez në ndeshjen hapëse të Kupës së Botës. Verifikimi ynë zbulon se fotoja që bëri xhiron e botës, por edhe të mediave në Shqipëri, në fakt nuk i përket kapitenit Hassan Al-Haidous.

————————————————————————————————————-

Më 20 nëntor, faqja e Facebook ‘Lajme Sporti’ ka bërë një postim , ku shkruan: “Kapiteni i Kombëtares së Katarit, Hassan Al-Haidous mbanë shiritin e kapitenit me flamurin palestinez!”

Screenshot, postimi në Facebook nga ‘Lajme Sporti’

Teksti shoqërohet me një foto të shiritit të kapitenit me ngjyrat e flamurit palestinez, në krahun e një individi të paidentifikuar, i cili mbante veshur fanellën e Kombëtares së Katarit.

Kjo foto u bë virale në situatën e debatit që shkaktoi vendimi i Federatës Ndërkombëtare të Futbollit (FIFA) për të frenuar iniciativën e disa federatave të futbollit, të cilat kishin shpallur synimin e tyre për të vendosur simbolin e flamurit LGBT+, në shenjë proteste kundër politikave represive të Katarit.

Disa prej atyre që shpërndanë lajmin e shiritit me flamurin palestinez në krahun e kapitenit të Katarit, mendonin se bëhej fjalë për një tjetër simbolikë të përdorur nga futbollistët për një çështje politike si ajo e konfliktit shumëvjeçar në Lindjen e Mesme mes Izraelit dhe Palestinës.

“Faktoje” vendosi të verifikojë më tej këtë foto për të zbuluar se bëhet fjalë për një manipulim. Ndeshja hapëse e Kupës së Botës 2022 u zhvillua më 20 nëntor midis ekipit të vendit organizator të Katarit dhe ekipit kombëtar të Ekuadorit, por asnjë referencë për flamurin palestinez nuk u shfaq në fushë. Siç mund të verifikohet përmes fotove të publikuara nga Getty Images, kapiteni i Katarit, Hassan Al-Haydos, ka mbajtur një shirit me shprehjen: “Futbolli bashkon botën”.

*Lajmi publikohet në kuadër të bashkëpunimit mes Faktoje dhe Facebook për të luftuar dizinformimin

Ilda Hoxha
Ilda Hoxha
Gazetare Ka përfunduar studimet në nivelin “Bachelor” për “Gazetari dhe Shkenca Komunikimi” në “Universitetin e Tiranës” dhe studimet në nivelin “Master Shkencor” në drejtimin “Marketing Mediatik”. Ka punuar si gazetare në “Top Albania Radio” në periudhën janar 2013-dhjetor 2014. Ka punuar si gazetare në “Gazetën Shqip” në print për çështjet sociale në periudhën dhjetor 2014- korrik 2016. Në periudhën shkurt 2015-gusht 2017 ka punuar për “Votra Magazine”, ku ka mbuluar pjesën e marketingut të saj, por edhe shkrimin e artikujve me karakter kulturor dhe promovues për Shqipërinë. Ka punuar si redaktore në “Gazetën Shqip Online” në periudhën korrik 2016-deri më 19 maj 2021. Në periudhën qershor-gusht 2021 ka punuar si gazetare në emisionin “Pushime On Top” në Top Channel.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img