.

.

BallinaPertejVerifikimi i lajmeve në FacebookKujdes nga trajtimi anonim për infeksionet e lëkurës

Kujdes nga trajtimi anonim për infeksionet e lëkurës

Në rrjetet sociale është prezantuar një produkt që pretendohet se trajton një sërë problemesh të lëkurës dhe jo vetëm. Faktoje iu drejtua profesionistëve, të cilët theksojnë se trajtime të tilla duhen marrë me rezerva, pasi nuk kanë asnjë përshkrim mbi përbërësit dhe efektet që kanë.

Një trajtim mjekësor çudibërës, që ofrohet në rrjetin Facebook që prej datës 9 mars, premton se mund të trajtojë një sërë problemesh të lëkurës dhe jo vetëm.

Ilaç Bio 100 % për majasil, ekzem, psoriaz, infeksione në lëkurë”, shkruan profili në Facebook që prezanton produktin.

Screenshot, postimi i shpërndarë në Facebook

Sipas përshkrimit në postim, preparati trajton një sërë problematikash që nisin nga ekzema, hemorroide, psoriazë e deri të gjitha infeksionet e lëkurës. Ndërsa, në komente administratorët e profilit që prezanton produktin zbulojnë edhe çmimet, duke theksuar se produkti është prodhim ekskluzivisht i tyre.

Çmimet i kemi me super ofertë, 1 copë 7 euro, 2 copë 10 euro. Vlen të theksohet se jemi vetëprodhues të tyre dhe garantojmë 100 % efektin e cilësinë”, shkruhet në komente.

Ajo që vihet re është se postimi ka marrë mbi njëmijë pëlqime dhe rreth 100 komente, nga persona që kanë interes për të blerë produktin.

Nisur nga interesi i lartë i qytetarëve për preparate që kanë të bëjnë me shëndetin, Faktoje vendosi të bëjë një verifikim të postimit, duke pyetur specialistë të fushës mbi efektshmërinë e preparatit të prezantuar.

Dermatologia Ardiana Sinani i tha Faktoje se produkti në fjalë nuk ka të përshkruar përbërësit dhe kjo vë në dyshim efektshmërinë e tij. Veç kësaj, ajo sugjeron që për të gjitha këto sëmundje duhet të paraprakisht një konsultë me mjekun specialist.

Së pari ky medikament nuk ka përshkrimin e përbërësve dhe nuk dihet se çfarë përmban. Për sëmundjet e mësipërme duhet një konsultë me mjekun përpara se të vendoset diagnoza dhe më pas të vendoset mjekimi. Për më tepër, të gjitha këto sëmundje nuk mund të trajtohen me të njëjtin produkt”, thekson mjekja dermatologe, Ardiana Sinani.

Një nga sëmundjet që pretendohet se shëron ky medikament është edhe psoriaza.

Psoriaza është një sëmundje e lëkurës që shkakton një skuqje të saj dhe kruajtje, me luspa, më së shpeshti në gjunjë, bërryla, trup dhe skalp. Gjatë një kërkimi online, duke iu referuar burimeve të besueshme të informacionit, psoriaza është një sëmundje e zakonshme, afatgjatë (kronike) pa shërim.

Ka shumë trajtime për psoriazën, por asnjëri prej tyre nuk është në gjendje që për të kuruar plotësisht pacientin. Përzgjedhja e trajtimit varet nga forma dhe faza e sëmundjes, gjendjes së përgjithshme të pacientit, sëmundjet shoqëruese dhe faktorë të tjerë.

Ndërsa, për sa i përket hemorroideve, rekomandohet të mos përdorni pomadat, kremrat dhe supostet më shumë se një javë, me përjashtim të rasteve kur e rekomandon mjeku.

Në raste të caktuara kur dhimbja nuk qetësohet me përdorimin e mjekimeve lokale, mund të përdorni analgjezikët si: ibuprofeni, aspirina, paracetamoli etj. Në disa raste trajtimi i hemorroideve kërkon ndjekjen e një proçedure kirurgjikale të caktuar, pas konsultës me mjekun specialist.

Faktoje ka verifikuar një sërë artikujsh, ku në disa raste përdoren edhe emrat e mjekëve të njohur pa dijeninë e tyre, për të promovuar produkte të caktuara.

Ilda Hoxha
Ilda Hoxha
Gazetare Ka përfunduar studimet në nivelin “Bachelor” për “Gazetari dhe Shkenca Komunikimi” në “Universitetin e Tiranës” dhe studimet në nivelin “Master Shkencor” në drejtimin “Marketing Mediatik”. Ka punuar si gazetare në “Top Albania Radio” në periudhën janar 2013-dhjetor 2014. Ka punuar si gazetare në “Gazetën Shqip” në print për çështjet sociale në periudhën dhjetor 2014- korrik 2016. Në periudhën shkurt 2015-gusht 2017 ka punuar për “Votra Magazine”, ku ka mbuluar pjesën e marketingut të saj, por edhe shkrimin e artikujve me karakter kulturor dhe promovues për Shqipërinë. Ka punuar si redaktore në “Gazetën Shqip Online” në periudhën korrik 2016-deri më 19 maj 2021. Në periudhën qershor-gusht 2021 ka punuar si gazetare në emisionin “Pushime On Top” në Top Channel.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img