BallinaPertejVerifikimi i lajmeve në FacebookKujdes nga trajtimi i rremë për sëmundjet e zemrës

Kujdes nga trajtimi i rremë për sëmundjet e zemrës

Ministria e Shëndetësisë nuk ka bërë asnjë parashikim për mijëra viktima nga sëmundjet e zemrës, siç pretendohet nga portalet, të cilat kanë si qëllim të vetëm që të shesin preparate që mund të rrezikojnë jetën e qytetarëve. Mjekë kardiologë rekomandojnë që të tregohet kujdes me marrjen e produkteve të tilla, pasi vetëm specialistët e shëndetit e dinë gjendjen e pacientëve të tyre.

——————————————————————————————————————–

Portali al.medgroup.ml ka publikuar një artikull ku trajtohen çështjet e problemeve me zemrën,  por bëhet edhe një “parashikim” mbi numrin e viktimave që do të shkaktojnë këto sëmundje gjatë vitit 2022.

Ministria shqiptare e Shëndetësisë parashikon se më shumë se 200 mijë njerëz do të vdesin nga sëmundjet e zemrës në Shqipëri në vitin 2022. Një në pesë shqiptarë do të vdesë nga një atak në zemër”, shkruan faqja online.

Screenshot artikulli i publikuar nga portali

Nisur nga interesi i lartë publik, “Faktoje” vendosi të bëjë një verifikim të lajmit. Fillimisht iu drejtuam Ministrisë së Shëndetësisë, ku nëpërmjet burimeve zyrtare bëhet e ditur se ky informacion nuk është i saktë. “Ministria e Shëndetësisë nuk mund të bëjë parashikime të tilla dhe çdo referim i tillë është i gënjeshtërt”, sqaron Ministria e Shëndetësisë.

Tepër e lartë është edhe shifra prej 200 mijë vdekjesh e përmendur në artikull. Sipas të dhënave zyrtare të INSTAT, përgjatë vitit 2021 u regjistruan 30,507 vdekje, dhe kjo jo vetëm nga sëmundjet e zemrës, ndërkohë që për 6 mujorin e parë të këtij viti, kjo shifër e mortalitetit deklarohet vetëm 12,854 persona.

Duke vijuar më tej, në këtë artikull përdoret edhe emri i kardiologut Edvin Prifti, i cili sipas faqes rekomandon këtë medikament për pastrimin e enëve të gjakut për pensionistët dhe pacientët me hipertension.

Ka shumë gjasa që identiteti i kardiologut të jetë pëdorur pasi ai u bë i njohur për shkak të arrestimit të tij nën dyshimet për mitmarrje nga një pacient. Edhe pse u përpoqëm, nuk mundëm të merrnim deri në momentin e publikimi të këtij shkrimi një konfirmim për këtë çështje nga vetë z.Prifti.

Megjithatë, një investigim i bërë nga media në muajin maj, zbulonte se kompania, për të joshur më shumë blerësit, vendos emra imagjinarë të mjekëve apo “pacientëve të kënaqur”, me qëllim shitjen e produktit.

Më 23 gusht, mediat e verifikimit të fakteve treguan raste konkrete se si kompania përdorte emra fiktivë mjekësh për të reklamuar produktin në fjalë. I përfshirë në këtë “hile” të kompanisë ishte edhe mjeku Eduart Shota, i cili ka sqaruar të vërtetën nëpërmjet një postimi në Facebook.

Të dashur miq! Jam informuar për një postim në rrjetin social FB që është përdorur fotoja e profilit tim personal si imazh shoqërues i një interviste për të stimuluar shitjet e një gjoja (ilaçi!!!) që kurrsesi nuk ka lidhje me mua e as me punën time si mjek! Për ç’ka shkruhet në atë postim as nuk kam dhënë intervistë dhe as kam dijeni për një ilaç të tillë!“ argumentonte ai.

“Faktoje” bëri një verifikim për të parë se çfarë përfaqëson faqja “Capital Cardiolgy Associates” dhe nëse emri i preparatit të rekomanduar gjendej aty. Nga kërkimi rezulton se ky produkt nuk reklamohet në këtë faqe.

Screenshot nga faqja zyrtare e Capital Cardiology Associates

Portali al.medgroup.ml nuk publikon emrat e stafit dhe asnjë informacion mbi vendndodhjen e tyre apo çfarë përfaqësojnë, duke shërbyer thjesht si një faqe fantazmë. Ndërkohë, faqja reale capitalcardiology.com jep të gjitha informacionet e nevojshme, që nga vendndodhja, kontaktet dhe çdo detaj mbi stafin.

“Faktoje” pyeti edhe mjekë kardiologë pranë Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, të cilët theksuan se nuk kishin dijeni për preparatin në fjalë, duke këshilluar pacientët që të ndjekin këshillat e mjekëve, pasi produkte të tilla mund të rrezikojnë jetën.

Sipas Qendrës për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve në Shtetet e Bashkuara- CDC, hipertensioni mund të trajtohet me medikamente të aprovuara paraprakisht nga institucionet shtetërore, sic është Administrata e Ushqimit dhe Barnave në SHBA (FDA) apo

Agjencia Kombetare e Barnave dhe Pajisjeve Mjekesore në Shqipëri, të cilat mund t’i rekomandojë vetëm mjeku, i cili e di gjendjen e pacientit.

Një medicament që mund të trajtojë tërësisht problemet kardiake, ashtu siç premtohet nga faqja online, ende nuk figuron të jetë aprovuar nga këto institucioneve ndërkombëtare dhe vendase.

*Lajmi publikohet në kuadër të bashkëpunimit mes Faktoje dhe Facebook për të luftuar dizinformimin

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img