Pretendimi: Princi Uilliam i Britanisë së Madhe është i biri i Jacob Rothschild

Verdikti: E paprovuar

—————————————————-

Teoritë konspirative mbi familjen mbretërore të Britanisë së Madhe kanë intriguar gjithmonë publikun, e me përhapjen e internetit ato depërtojnë edhe në hapësira që nuk ndikohen direkt nga shënjestra e tyre.

Kështu, në rrjetet sociale shqipfolëse po qarkullon së fundmi pretendimi se qeveria polake ka deklaruar se ka prova që princi Uilliam është në të vërtetë fëmija i bankierit britanik Jacob Rothschild.

Pretendime të tilla të jashtëzakonshme duhet, detyrimisht, të shoqërohen me prova të jashtëzakonshme. Postimet në rrjet nuk ofrojnë asnjë provë, aq më pak të jashtëzakonshme.

Për të kuptuar më tej kontekstin e këtij pretendimi, Faktoje vendosi të gjejë artikullin origjinal që tregohet në imazh.

Artikulli origjinal është botuar më 5 mars 2024 në portalin amerikan The People’s Voice, i njohur më parë si News Punch. Ky i fundit është etiketuar si një portal burim lajmesh të rreme. Sipas një raporti të vitit 2017 nga Buzzfeed, NewsPunch ishte burimi i dytë më i madh i lajmeve të rreme që ishin shpërndarë në Facebook atë vit.

Burimi, të cilit i referohet artikulli i The People’s Voice, është Benjamin Fulford, “një gazetar dhe hulumtues amerikan” sipas portalit.

Përveç paragrafit të parë, artikulli vijon duke riprodhuar një artikull të publikuar në faqen personale të Benjamin Fulford, i cili përshkruhet në këtë faqe si gazetar kanadez, jo amerikan.

Artikulli i Fulford nis me një narrativë të pakuptueshme konspiracioniste ku përshkruhet një duel mes organizatash dhe shoqërish sekrete që kontrollojnë botën. Skuadra e ‘të mirëve’ duket se po fiton, sipas Fulford, sepse një sërë “Satanistësh kryesorë” janë ‘eleminuar’ kohët e fundit. Shembuj të këtyre ‘eleminimeve’ përfshijnë kancerin e mbretit Charles, operimin abdominal të princeshës Kate, dhe vdekjen e bankierit Jacob Rothschild.

Sa i përket atësisë së princit Uilliam artikulli pretendon se “duke qenë se të gjitha këto ndodhën kur u lajmërua vdekja e Jacob Rothschild, kjo nënkupton se ai ishte mbreti it vërtetë i Anglisë. Ne jemi informuar gjithashtu nga inteligjenca polake se Princi Uilliam është në të vërtetë i biri i Jacob Rothschild.” 

As artikulli origjinal i Fulford, atëherë, nuk jep ndonjë provë apo burim të besueshëm për këtë pretendim të jashtëzakonshëm.

Kështu, pretendimi se princi Uilliam është i biri i bankierit Jacob Rothschild mbetet i paprovuar.