BallinaFaktometerE PavërtetëAsnjë provë shkencore për vajgurin që shëron çdo sëmundje

Asnjë provë shkencore për vajgurin që shëron çdo sëmundje

Një numër faqesh në Facebook, në përpjekje për të promovuar dhe shitur produkte kurues të palicensuar, pretendojnë se vajguri ndihmon në shërimin e kancerit. Verifikimi i “Faktoje” zbuloi se ky pretendim nuk ka baza shkencore. Përkundrazi, pirja e vajgurit shkakton një sërë problemesh në organizëm.

————————

Faqja në Facebook “Blej Produkte Bio” ka postuar një reklamë për një produkt ‘çudibërës’ që pretendohet se ndihmon, ndër të tjera, për të luftuar kancerin. 

Teksti që shoqëron reklamën pretendon se kerozina pastron organizmin dhe ndihmon për një mori sëmundjesh duke filluar nga anemia tek diabeti tek kanceri në të gjitha format e tij. Reklama hedh një rrjetë të gjerë për të kapur sa më shumë klientë. Për të maksimizuar fitimin, produkti gjithashtu këshillohet të merret “derisa problemi të zgjidhet, mirëpo mund të merret edhe si preventivë.”

Ç’është edhe më alarmuese është paralajmërimi: “Kerozina + kimioterapia: ky kombinim nuk rekomandohet.” Kështu, blerësve të produktit iu këshillohet të ndalojnë kimioterapinë, një metodë shkencërisht të aprovuar dhe të përdorur gjerësisht nga mjekësia bashkëkohore, dhe ta zëvendësojnë me vajgurin çudibërës.

Nuk shpjegohet se si vajguri apo kerozina, që shërben për “dekontaminim të trupit”, lufton qelizat kanceroze, tumoret apo metastazat.

Reklama nuk citon asnjë literaturë shkencore apo studim. Në të përmendet një doktoreshë që quhet Paula Canner (ose Ganner) dhe Genadij Malahov.

Paula Ganner ishte një grua austriake që pretendoi në vitet 1950 se kishte kuruar kancerin me vajguri. Ajo nuk ishte doktoreshë apo shkencëtare. Ajo besonte se kanceri shkaktohej nga viruset, të cilat duhet të luftohen me vajguri. Genadij Malahov, gjithashtu, nuk është doktor. Ai është prezantues televiziv dhe ‘shërues popullor’.

Nuk ka prova të besueshme se vajguri shërben si kurë për kancerin, dhe nuk ka patur teste klinike të mjaftueshme mbi këtë përdorim. Prof. Dr. Zihni Sulaj, i kontaktuar nga “Faktoje”, pohoi se “nuk ka prova të bazuara në evidencë klinike që vajguri mund të përdoret në praktikën klinike moderne, aq më tepër si terapi për lloje të ndryshme të kancerit.”

Ndërkohë, sipas Qendrës amerikane për Kontrollin e Sëmundjeve (CDC) pirja e vajgurit mund të shkaktojë të vjella, diarre, enjtje të stomakut, kollitje, përgjumje, shqetësim, nervozizëm dhe humbje ndjenjash. Për më tepër ata që pinë vajguri mund të hasin vështirësi ose dhimbje në frymëmarrje. Kollë, pneumoni, dhe vështirësi apo shimbje në frymëmarrje pas pirjes së vajgurit janë tregues që vajguri ka hyrë në mushkëri. Për më tepër, pirja e sasive të mëdha të vajgurit mund të shkaktojë koma, konvulsiona, madje edhe vdekjen. Nëse vajguri prek lëkurën për periudha të shkurtra, mund ta shkaktojë skuqje, kruarje, apo plagë; nganjëherë mund të shfaqen flluska ose rrjepje lëkure. Ka patur disa raste të evidentuara të fëmijëve që janë helmuar nga pirja aksidentale e vajgurit.

Disa mjekë onkologë në Shqipëri kanë pohuar për “Faktoje” se, fatkeqësisht, kanë evidentuar raste të personave të sëmurë me kancer që kanë pirë vajguri duke menduar se do t’i ndihmonte me sëmundjen e tyre.

*Lajmi publikohet në kuadër të bashkëpunimit mes Faktoje dhe Facebook për të luftuar dizinformimin

Pustina Patris
Pustina Patris
Gazetare Përpara se t’i bashkohej Faktoje, ka punuar si gazetare për faqen angleze të “Exit News”, si producente e emisionit “Me Pak Fjalë” në Euronews Albania dhe, si data journalist në të njëjtin televizion. Ajo është diplomuar për Histori në Brown University në SHBA.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img