Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë shpallën aktgjykimin e shkallës së parë për katër ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi.
Gjykata i dënoi në total me 81 vite burgim për krime lufte.
Thaçi dhe Krasniqi, nga 25 vite burg
Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, u shpall fajtor për përgjegjësinë penale për disa prej krimeve të luftës të përfshira në aktakuzë dhe u dënua me 25 vite burgim.
Me të njëjtin dënim, 25 vite, u dënua edhe ish-zëdhënësi i UÇK-së dhe ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi.
Veseli dënohet me 18 vite burg
Ish-kreu i Shërbimit Informativ të Kosovës dhe ish-kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, u dënua me 18 vite burgim.
Sipas konstatimeve të trupit gjykues, Veseli u shpall fajtor për krime lufte, përfshirë ndalimin e paligjshëm ose arbitrar, trajtimin mizor, torturën dhe vrasjen e paligjshme.
Selimi dënohet me 13 vite burg
Ish-komandanti i UÇK-së, Rexhep Selimi, u dënua me 13 vite burgim.
Gjykata e shpalli fajtor për përgjegjësi penale për një pjesë të akuzave për krime lufte.
Gjykata rrëzoi akuzat për krime kundër njerëzimit
Për të katër të pandehurit, gjykata nuk gjeti përgjegjësi penale për akuzat për krime kundër njerëzimit.
Gjatë leximit të aktgjykimit, trupi gjykues tha gjithashtu se disa prej pretendimeve të Prokurorisë nuk u provuan sipas standardit të kërkuar.
Ndër konstatimet e gjykatës ishte edhe se nuk u dëshmua se personat e shënjestruar në një pjesë të akuzave ishin popullatë civile.
Sipas aktgjykimit, Trupi Gjykues konstatoi se të katër të akuzuarit janë penalisht përgjegjës për krimet e luftës të ndalimit arbitrar ndaj 385 personave, trajtimit mizor ndaj 49 personave, torturës ndaj 303 personave dhe vrasjes së paligjshme ndaj 96 personave.
Gjithashtu, Trupi Gjykues i ka shpallur të akuzuarit të pafajshëm lidhur me një numër incidentesh të tjera të krimeve të luftës.

Avokati i Thaçit paralajmëron apel: Ditë e errët për drejtësinë ndërkombëtare
Avokati i Hashim Thaçit, Pierre-Richard Prosper, e ka cilësuar aktgjykimin ndaj klientit të tij si një “tallje me drejtësinë” dhe ka paralajmëruar se mbrojtja do ta apelojë vendimin.
Prosper pretendoi se rezultati i procesit ishte i paracaktuar dhe akuzoi Dhomat e Specializuara se po “rishkruajnë historinë”, duke e paraqitur UÇK-në si një strukturë të organizuar dhe duke ia atribuar, sipas tij, përgjegjësinë Thaçit.
“Kjo është një ditë e errët për drejtësinë ndërkombëtare dhe fundi i tribunaleve”, tha Prosper pas shpalljes së aktgjykimit.
Ai tha se ka biseduar me Thaçin dhe se do ta takojë sërish.
“Thaçi është i gatshëm të vazhdojë të luftojë për veten dhe për popullin e Kosovës”, tha Prosper.
Sipas tij, shpresa e mbrojtjes është që aktgjykimi të rrëzohet në apel, ndonëse paralajmëroi se procesi mund të zgjasë me vite.
Prosper bëri thirrje, gjithashtu, që Kuvendi i Kosovës ta shqyrtojë raportin me Dhomat e Specializuara, duke thënë se Kosova duhet të marrë “një vendim sovran që është në interesin më të mirë të vendit”.
“Nëse do të isha deputet, që nga nesër do ta tërhiqja mbështetjen për këtë gjykatë”, tha Prosper.
Apelimin e aktgjykimit e paralajmëruan edhe avokatët e të dënuarve të tjerë.
Rama: “Marre!”
Në një postim në rrjetet sociale, kryeministri i Shqipërisë Edi Rama e komentoi shkurt vendimin me një fjalë: “Marre!”
Rama e shoqëroi reagimin e tij me një fotografi ku shfaqen gjemba, duke e lënë pa koment shtesë.
Reagimi i sotëm i tij vjen katër ditë pas një tjetër postimi të tij për procesin ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
Më 12 shtator, Rama kishte shkruar se kërkonte “Liri për çlirimtarët!”, duke e cilësuar procesin si “farsë” dhe duke thënë se Hashim Thaçi do të “triumfojë me forcën e të vërtetës së tij”.
Reagimet nga Kosova
Pas shpalljes së aktgjykimit, reagime të shumta erdhën edhe nga Kosova.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka kërkuar që ky vendim të ndryshohet dhe të korrigjohet në shkallën e Apelit.
Kurti, përmes një videoje, deklaroi se në këto momente të vështira janë pranë familjeve të ish-krerëve të UÇK-së.
“Aktgjykimi mund të jetë shqiptuar formalisht në emër të popullit të Kosovës, por kjo formulë e zbrazët nuk duhet të ngatërrohet me vullnetin e popullit. Ky aktgjykim patjetër duhet të ndryshohet dhe korrigjohet në shkallën e Apelit, dhe atë sa më parë”, deklaroi ai.
Ai ka thënë se shpallja fajtorë dhe dënimi i rëndë i katër ish-krerëve të UÇK-së përbën “padrejtësi të papranueshme, ndëshkim të madh dhe të dëmshëm”.
Ai ka theksuar se ish-krerët e UÇK-së do të vazhdojnë ta kenë mbështetjen e institucioneve të Kosovës edhe në Gjykatën e Apelit.
“Kosova do të vazhdojë ta mbështesë Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin në procedurën e Apelit, në mbrojtje të plotë, dinjitoze dhe institucionale. Kjo është përgjegjësi ndaj qytetarëve tanë dhe besim në të drejtën për ta kundërshtuar një aktgjykim që ende nuk është përfundimtar”, tha ai.
Ndërkohë edhe ushtruesja e detyrës së presidentit të Kosovës, Albulena Haxhiu, i ka cilësuar dënimet ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit si “goditje të rëndë” për familjet e tyre dhe “lajm thellësisht tronditës” për Kosovën.
Në reagimin pas shpalljes së aktgjykimit, Haxhiu tha se procesi juridik nuk ka përfunduar dhe përmendi mundësinë e ankimit.
“Fjala e fundit juridike nuk është thënë. E drejta e ankimit është pjesë e procesit dhe duhet të ushtrohet plotësisht”, shkroi ajo në Facebook.
Haxhiu tha se lufta e UÇK-së “ishte çlirimtare” dhe se, sipas saj, aktgjykimi nuk duhet të përdoret për të relativizuar krimet e kryera nga regjimi serb gjatë luftës në Kosovë.
Ajo bëri thirrje për qetësi dhe unitet pas shpalljes së dënimeve.
“Sot na duhet qetësi, dinjitet dhe bashkim. Dhimbja e kësaj dite nuk duhet të na ndajë”, tha Haxhiu.
Edhe Ish-kryeministri dhe ish-kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, u shpreh i tronditur nga dënimet, duke e cilësuar vendimin “të papranueshëm dhe të padrejtë”.
Në reagimin e tij ai përdori edhe mesazhin “Jo në emrin tim”.
Edhe Partia Demokratike e Kosovës (PDK) kundërshtoi aktgjykimin.
Në një komunikatë, partia e cilësoi vendimin “të padrejtë dhe të papranueshëm”, ndërsa deklaroi se beteja për drejtësi do të vazhdojë deri në fund dhe se vendimi do të kundërshtohet përmes mjeteve ligjore.
Tensione pranë Gjykatës Speciale në Hagë
Pas shpalljes së aktgjykimit ndaj ish-krerëve të UÇK-së, u raportuan protesta pranë ndërtesës së Dhomave të Specializuara në Hagë.
Sipas raportimeve dhe pamjeve të publikuara në rrjetet sociale, disa persona u ngjitën mbi automjetet e policisë dhe i goditën ato, ndërsa policia përdori ujë për shpërndarjen e turmës.
Situata raportohet se më pas është qetësuar.

Tensione pranë ndërtesës së EULEX-it në Prishtinë
Disa protestues tentuan të hyjnë me forcë në oborrin e ndërtesës së Misionit të Bashkimit Europian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), në Prishtinë.
Në pamjet e publikuara nga mediat lokale, protestuesit shihen duke u përplasur me pjesëtarë të Policisë së Kosovës, të cilët i pengojnë të hyjnë në oborrin e EULEX-it.
Në pjesë të tjera të Prishtinës, situata raportohet e qetë.
Katër ish-krerët e UÇK-së janë mbajtur në paraburgim në Hagë që prej vitit 2020 dhe gjatë procesit kanë mohuar akuzat ndaj tyre. Aktgjykimi i shpallur sot është vendim i shkallës së parë.






