Pretendimi: Kjo video tregon vërtet një burrë që shfaq togfjalëshin “Shtator 2026” në një paralajmërim misterioz
Verdikti: Mungon konteksti
————————————————————-
Në rrjetet sociale, përfshi ato shqipfolëse, po qarkullon një video që duket se tregon një burrë që ngre një laptop për të treguar shkrimin “Shtator 2026”, shoqëruar me një përshkrim që tregon historinë misterioze të një burri, që përsërit pa pushim fjalët “Shtator 2026” pa asnjë shpjegim të mëtejshëm.

Postimi i mësipërm duket se është përkthimi nga anglishtja i disa postimeve që kanë qarkulluar në rrjete konspiracioniste më herët këtë vit duke ngritur shqetësim të panevojshëm për diçka që mund të ndodhte këtë shtator.
Megjithatë, video e mësipërme nuk tregon ndonjë burrë misterioz që jep një paralajmërim
Me anë të motorit të kërkimit pamor Google Lens, Faktoje gjeti videon origjinale nga është shkëputur klipi i mësipërm.
Ajo është botuar në Youtube nga media gjermane Welt në nëntor 2025, dhe tregon gjyqin e Taleb al-Abdulmohsen, i cili vrau gjashtë persona dhe plagosi mbi 330 të tjerë në Madgeburg më 20 dhjetor 2024, kur sulmoi me makinë një treg krishtlindjesh. Në qershor të vitit 2026, Abdulmohsen u shpall fajtor për gjashtë akuza për vrasje dhe 338 akuza për tentativë vrasjeje, dhe u dënua me burgim të përjetshëm.
Në gjyqin e datës 10 nëntor 2025, ai shkaktoi bujë me dy mesazhe misterioze të shfaqura në një laptop. Njëri lexonte “Magdeburg-Gate” dhe tjetri “Shtator 2026.” Ndonëse Abdulmohsen nuk dha asnjë shpjegim, data përkonte me zgjedhjet rajonale në Saksoni-Anhalt, ku partia e ekstremit të djathtë Alternativa për Gjermaninë (AfD) kryesonte në sondazhe në atë kohë.
Sipas prokurorëve, Abdulmohsen kishte krijuar pikëpamje të fuqishme anti-islamike dhe kundër qeverisë, ndërkohë që kishte shprehur hapur në rrjetet sociale mbështetje për AfD.
Magdeburg është kryeqyteti i shtetit gjermano-lindor të Saksonisë-Anhalt. Më 6 shtator 2026, AfD arriti një fitore të bujshme në zgjedhjet rajonale duke marrë më shumë vota se çdo parti tjetër në zgjedhje, ose 44% të votës së përgjithshme, me Bashkimin Kristian-Demokrat, të udhëhequr nga kancelari Friedrich Merz, në vendin e dytë me një diferencë të madhe, në nivelin 17%.
Megjithatë, kjo forcë nuk arriti dot të siguronte shumicën absolute që i duhej për të qeverisur e vetme dhe për të kapërcyer refuzimin e partive kryesore për të bashkëpunuar me partinë e ekstremit të djathtë. Rezultatet përfundimtare treguan se AfD i mungonin tri mandate për të siguruar shumicën absolute, duke marrë 39 deputetë në një parlament me 83 anëtarë.






