Fotot e diplomimit të maturanteve të Medresesë në Tiranë, bënë xhiron e rrjetit dhe morën një lumë komentesh për një detaj që nuk shpëtoi pa u vënë re. Kryqi në qafën e një maturanteje dhe vajzat e pambuluara konform fesë islame, ndezën akuzat ndaj Medresesë për shthurje dhe shtrembërim të Islamit. Por drejtuesi i institucionit, i mësuar me kritika sidomos nga pëtrej kufirit, sqaron se Medreseja e Tiranës me 350 nxënës, ndjek kurikulën e gjimnazeve shtetërore plus lëndët fetare dhe është model suksesi prej 30 vitesh. Nga shkolla dalin breza mirëpërgatitur në shumë fusha, mes të cilëve edhe hoxhallarë.

Patris Pustina

Diplomimi i maturanteve të Medresesë së Tiranës në Maj të këtij viti ka ngjallur polemika të ashpra në rrjetet sociale. Disa faqesh dhe profile në Facebook shpërndanë foto nga ceremonia, të shoqëruara me komente jo vetëm për paraqitjen, por edhe moralin e maturanteve të Medresesë së Tiranës.

Fotot janë sjellë si provë e mangësive të Medresesë së Tiranës sa i përket ‘myslimanizmit’ të saj. 

Shumë përdorues u përqendruan fillimisht tek fakti që njera prej maturanteve mbante një kryq në qafë, gjë që u etiketua si e çuditshme. 

Shfaqja e kryqit në qafën e maturantes së Medresesë, mund të kishte mbetur thjesht një kuriozitet, apo të ishte admiruar si një shembull i harmonisë fetare. Por në fakt ai u përdor nga një segment besimtarësh për të akuzuar Medresenë e Tiranës për shtrembërim të Islamit.

Disa përdorues shpërndanë fotot e diplomimit me komentin se Medreseja e Tiranës drejtohet nga ‘Gylenistet’, duke e lidhur kështu ‘shthurjen’ e medresanteve direkt me atë që shihet si version i shtrembëruar i Islamit.

Përdorues nga Kosova dhe Maqedonia, gjithashtu, i përdorën fotot e maturanteve për të denoncuar Islamin e moderuar të “gylenistëve të Tiranës”, duke u betuar se kësisoj Islami ‘i devijuar’ nuk do të pranohej kurrë në komunitetet e tyre.

Përdorues të tjerë janë shqetësuar edhe nga fakti se asnjë nga maturantet në foto nuk mban shami.

Sipas Imamit Ilir Curri mospërdorimi i shamisë nga maturantet është“devijim e dështim institucional”. Sipas tij, “respektimi i veshjes fetare” duhet të jetë një nga objektivat e Medresesë.

Faqja në Facebook që mban emrin Demaskimi i grupeve të devijuara, administratorët e të cilës rezultojnë në Kosovë, Gjermani dhe Maqedoni të Veriut, gjithashtu përcjell pikëllimin për faktin se asnjëra nga maturantet nuk ka zgjedhur të mbajë shami.

Zgjedhja e vajzave të reja për të mos vendosur shami është interpretuar jo vetëm si dështim i rrymës myslimane që zgjedh Medreseja e Tiranës, por edhe si provë e ‘dobësisë’ së gjithë seksit femëror.

Përballë këtij zemërimi të madh në rrjetet sociale, Faktoje kërkoi një intervistë me drejtorin e Medresesë së Tiranës, zotin Ndriçim Gjimi. 

Si fillim, ai na sqaroi se Medreseja e Tiranës ndjek kurikulën bazë të institucioneve arsimore shqiptare:

“Kuptohet, këtu ka lëndë fetare. Është gjimnaz i përgjithshëm, i lidhur komplet me Ministrinë, i kontrolluar nga zyra e arsimit, por licenca është e Komunitetit Mysliman. Ne kemi lëndët bazë, lëndët me detyrim ose kurrikula bërthamë që thuhet, i kemi njëlloj si shteti. Lëndët me zgjedhje të detyruara janë njëlloj si shteti. Lëndët me zgjedhje të lirë, nëse në një gjimnaz ka, ta zëmë, teatër, vizatim, e me rradhë, tek ne ka kulturë të përgjithshme fetare. Nxënësve nuk u imponohet, por këto lëndë do i marrin dhe do bëjnë aq sa të kalojnë. Pjesa që është e detyruar është kjo. Ti futesh tek ajo lëndë dhe duhet të dalësh. S’je i detyruar t’i besosh apo t’i aplikosh. Këtë kemi ndjekur si qasje.”

Pyetjes së Faktojes nëse shkolla detyron mbulimin e vajzave që ndjekin Medresenë apo fshehjen e simboleve fetare, z. Gjimi iu përgjigj duke na drejtuar tek Rregullorja e Shkollës.

Rregullat e veshjes nga rregullorja e Medresesë së Tiranës

Sipas rregullores Medreseja e Tiranës nuk i detyron nxënëset e saj të vendosin shami, ndonëse detyron mospërdorimin e make-up, bizhuterive etj në ambientet e shkollës.

“Ne kemi një rregullore ku hiqen të gjitha bizhuteritë. Ka uniformë shkolla, por jo imponim mbulese. Pak a shumë, si klientelë e shkollës, duke qenë se kemi patur këtë qasje që ua hapim derën të gjithëve, mund të vijë kushdo. Në Tiranë ndodh, shumë rrallë, që vijnë nga komunitete të tjera fetare, por në Elbasan ndodh çdo vit që janë 3-4. Ne si qasje kemi patur këtë, që me imponim nuk vendosim asgjë.”-sqaron drejtuesi i Medresesë.

Për simbolin e kryqit në qafën e njërës prej maturanteve që trembi një tufë burrash nëpër rrjete sociale, z. Gjimi nuk duket i alarmuar.

Gjithsesi, për ne nuk është se u bë nami. Ne s’i detyrojmë as të zbulohen, as të mbulohen. Mund të ndodhë, zakonisht që te çdo brez vijnë vetë 3-4 vajza të mbuluara. Nganjëherë në 4-5 vjet, mundet që të jetë ndikuar edhe këtu, pra atë mbulimin ta ketë zgjedhur ta bëjë gjatë periudhës që është në Medrese. Këtë vit s’kishte asnjë, tek ai brez.”

Zoti Gjini sqaron edhe arsyet përse është zgjedhur kjo qasje deri diku liberale për arsimimin në Medresenë e Tiranës, e cila ka për qëllim kryesor miredukimin e brezave në të gjitha fushat, përfshirë edhe ata që aspirojnë të bëhen hoxhallarë apo drejtues fetarë.

“Klientela e shkollës është një shtresë që nuk ka shumë paragjykime ndaj islamit dhe do të shkollohet tek një kolegj i mirë. Pra, ne nuk kemi shumë nxënës që duan të shkojnë në Medrese dhe pastaj të bëhen hoxhë. Është ndër dëshirat e mia, do të doja shumë që të dilnin hoxhallarë edhe nga këtu. Por del ndonjëherë, një në 5-6 vjet.

Si qasje, ne këtë kemi zgjedhur. Ne e tregojmë ashtu siç shkruhet kush është e mira, kush është e keqja. U mbetet nxënësve pastaj për ta zgjedhur. Dhe them se kjo na ka bërë ta sjellim deri këtu, sepse në një vend post-komunist si Shqipëria nuk ishte e thënë që Medresetë të mbijetonin kaq gjatë. Kemi 350 nxënës. Unë ndjek edhe Medresenë e Elbasanit nga këtu. Edhe atje janë rreth 200. Dhe nxirren nxënës të suksesshëm. Dhe ne mendojmë se kështu i shërbehet më mirë.

Nëse Medreseja e Tiranës do të ishte e orientuar vetëm në përgatitjn e hoxhallarëve, ajo do kishte vetëm një apo dy klasa dhe Medreseja do rrezikonte të mbyllej, argumenton Gjimi i cili nuk paragjykon qasjen e vendeve si Maqedonia apo Kosova.

“Në Kosovë dhe Maqedoni ka Medrese të mirëfilltë, siç ka qenë dikur. Mendoj se në një vend si Maqedonia, sidomos, ku pozicioni i klerikut fetar mysliman është shumë i lartë.  Myftiu i qytetit është mbase më i respektuar se kryetari i bashkisë. Tek një vend i tillë, është komplet e mendjes që atje të ketë kërkesa. Kosova mbase mund të jetë më ndryshe. Ka një klientelë të tillë që ti mund të bësh fiks këtë punë, të nxjerrësh personel fetar. Medreseja e Tiranës kur është hapur, me firmë të Ahmet Zogut, është hapur që të plotësojë nevojat fetare që ka Shqipëria. 

Pas 1990, Komuniteti Mysliman ka funksionuar me Medresetë duke ia lënë në menaxhim shoqatave të ndryshme. Kanë ardhur, kanë provuar në mënyra të ndryshme, kanë ikur pas njëfarë kohe. Duhej gjetur ajo e mesmja e artë. 

Ka qenë një model i suksesshëm, mbijetesa 30 vite në arsim. Po të shikosh shpërndarjen e maturantëve, ka dhënë një kontribut jo të vogël në shtresën intelektuale të Shqipërisë. Gjithë këto nxënës që ne përgatisim këtu janë brenda jetës, nuk janë vetëm në xhami. Dhe mendojmë se kjo duhet të jetë ideja, nëse do t’i bësh një shërbim islamit.”

Medreseja e Tiranës mbetet e vendosur për të vijuar edukimin e nxënësve me prejardhje dhe bindje të shumëllojshme, pavarësisht sulmeve dhe ankesave që kjo qasje e moderuar sjell tek grupe të caktuara që duken më të shqetësuar për paraqitjen e vajzave adoleshente të Medresesë se sa për edukimin që ato marrin në këtë shkollë.

*Ky shkrim është prodhuar si pjesë e iniciatiavës rajonale Qendra Kundër Dizinformiminit e Ballkanit Perëndimor

Redaktoi: Viola Keta & Aimona Vogli