Lajmi se Kryqi i Kuq Amerikan nuk pranon gjakun apo plazmën e personave të vaksinuar është i pasaktë. Vetë organizata dhe ekspertët shëndetësorë shpjegojnë përse pretendimi për uljen e antitrupave
———————————————-
Ndër konspiracionistët anti-vaksinë po qarkullon pretendimi se Kryqi i Kuq amerikan nuk pranon dhurime gjaku nga persona që kanë bërë vaksinën anti-Covid.
Pretendimi, i publikuar në Facebook në 15 janar 2024, shoqërohet me një video që duket se është shkëputur nga një emision lajmesh. Spikerja në video dëgjohet të thotë:
Vaksina Covid-19, do doni ta dëgjoni këtë. Kryqi i Kuq thotë se çdokush që ka marrë vaksinën Covid-19 nuk mund të dhurojë plazmë konvaleshente për të ndihmuar pacientë të tjerë me Covid-19 në spitale. Plazma përbëhet nga anti-trupa nga njerëz që janë shëruar nga virusi, por vaksina i fshin këta antitrupa, duke e bërë plazmën konvaleshente të paefektshme në trajtimin e pacientëve të tjerë me Covid-19.
Me anë të motorrit të kërkimit të imazheve Google Reverse Image Search, Faktoje zbuloi se video është shkëputur nga një emision i televizionit amerikan KMOV4 në St. Louis, Missouri i transmetuar në Shkurt 2021.
Megjithatë, një përditësim i artikullit që shoqëronte lajmin, më 27 maj 2021, korigjon pretendimin fillestar të emisionit:
Përditësim – 27 Maj: Kemi një përditësim të lajmit të mëposhtëm që ju sollëm në Shkurt. Në atë kohë, një përfaqësues i Kryqit të Kuq Amerikan tha se politika e organizatës ishte të shkurajonte dhurimet e plazmës nga dhurues gjaku që më parë kanë patur Covid-19 dhe pastaj janë vaksinuar, për shkak të një besimi të atëhershëm mbi antitrupat. Ndërsa Kryqi i Kuq i ndërpreu dhurimet e plazmës konvaleshente të dedikuara për Covid-19 në 26 mars, si pasojë e rënies së kërkesës nga spitalet dhe furnizimit të mjaftueshëm nga industria, një përfaqësues i Kryqit të Kuq tani na thotë se, bazuar në udhëzimet e FDA [Administrata amerikane e Ushqimeve dhe Barnave], individët që kanë patur Covid-19 dhe janë vaksinuar mund të dhurojnë plazmë konvaleshente.
Kryqi i Kuq amerikan e ka adresuar çështjen edhe në faqen e tyre zyrtare, ku shkruhet:
Qarkullojnë pretendime që deklarojnë, në mënyrë jo të saktë, se Kryqi i Kuq nuk do të pranojë dhurimë plazme konvaleshente nga ata që kanë marrë vaksinën anti-Covid sepse “vaksina fshin këta antitrupa, duke e bërë plazmën konvaleshente të paefektshme në trajtimin e pacientëve të tjerë me Covid-19.” Kjo nuk ëshë e saktë.
Ndërkohë, eksperti i vaksinave nga Vanderbilt University, Dr. C. Buddy Creech, tha për Associated Press se nuk ka arsye për të dyshuar se vaksinat anti-Covid-19 do të pakësonin antitrupat. Në fakt, vaksinat duhet t’i përforcojnë ato.
Sipas Creech, vaksinat prodhojnë një reagim imunitar më konsistent ndaj koronavirusit, duke qenë se infeksionet e lehta çojnë në nivele më të ulëta antitrupash se infeksionet më të rënda.
“Për këtë arsye ata që kanë qenë të infektuar përfitojnë gjithsesi nga vaksinimi; ajo vaksinë do të përforcojë reagimin imunitar që ndodhi përgjatë infeksionit fillestar,” tha ai.