BallinaPertejVerifikimi i lajmeve në FacebookPushtimi i brigjeve nga “sardelet kërcyese” nuk ka lidhje me sistemin shkencor HAARP

Pushtimi i brigjeve nga “sardelet kërcyese” nuk ka lidhje me sistemin shkencor HAARP

Dalja e peshqve në breg në Filipine nuk u shkaktua nga projekti studimor shkencor HAARP. Ekspertët vendas shpjegojnë se ndodhia e pazakontë me gjasa ka ardhur si pasojë e një fenomeni oqeanografik.

—————————————————

Projekti studimor shkencor amerikan i quajtur HAARP vazhdon të luajë rolin e gogolit në botëkuptimin konspiracionist. Në këtë botëkuptim, veprimtaria e tij djallëzore përfshin shkaktimin e tërmeteve, uraganëve, përmbytjeve, thatësirave, stuhive, ndërprerjeve të energjisë, rrëzimit të avionëve apo sëmundjeve.

Në një postim të fundit në Facebook, veprimtarisë së HAARP i vishet përgjegjësia edhe për një fenomen të çuditshëm të vërejtur në një ishull të Filipineve më 7 janar 2024, ku miliona sardele dolën në breg.

Sipas Cirilo Aquadera Lagnason Jr., një hulumtues i zyrës vendase për menaxhimin e zonave të mbrojtura, i cili e dëshmoi vetë daljen e sardeleve në breg, ajo ka ardhur me gjasa si pasojë e një fenomeni oqeanografik i njohur si ‘upwelling’, ose ngritja e ujërave të thellësive.

Kjo ndodh kur, si pasojë e erës, ujërat e thella, të mbushura me material ushqyes, vijnë në sipërfaqe të oqeanit duke zëvendësuar ujërat e varfëra nga materialet ushqyese që ndodhen në cekësi. 

Me gjasa, kjo lëvizje ka shkaktuar lulëzime planktoni. Sardelet, të cilat ushqehen me plankton, duhet të kenë ndjekur këto ‘fusha’ planktoni deri në ujërat e cekëta, ku kanë ngecur, dhe janë nxjerrë më pas në breg. 

Lagnason Jr. tha se ngjarje të ngjashme janë vërejtur edhe më parë në vende të tjera nëpër Filipine. Ai shtoi se shumica e sardeleve nuk ishin ende të rritura plotësisht, gjë që mund të ketë luajtur rol në çorientimin e grupit.

Ndërkaq, Zenaida A. Dangkalan, një zyrtare peshkimi e zonës, tha se një sërë faktorësh të tjerë mund të kenë kontribuar në daljen e peshqve në breg, përfshi një bollëk sardelesh, ndryshime në temperaturën ose salinitetin e oqeanit, shpërndarja e grabitqarëve dhe ndotja e lehtë nga vendbanimet e njerëzve.

Siç “Faktoje” ka shpjeguar më parë, HAARP është një projekt i përbashkët i Forcave Ajrore Amerikane dhe Marinës Amerikane i kijuar në vitin 1993, i cili i ka kaluar më vonë Universitetit të Alaskës Fairbanks (UAF) në vitin 2015. 

Karakteristika e tij kryesore është një transmetues me frekuencë të lartë që përdoret për të studiuar jonosferën, pjesë e atmosferës së sipërme të tokës. Duke analizuar se si valët e radios ndërveprojnë me elektronet në jonosferë, studiuesit në HAARP janë në gjendje të studiojnë fenomene, të tilla si efektet e aurora borealis, ose dritat veriore, në sistemet radio dhe komunikimet e avionëve në lartësi të mëdha.

Që në krijimin e tij, HAARP ka qenë në shënjestrën e teorive konspirative. Fakti që puna studimore që kryen HAARP nuk është lehtësisht e kuptueshme nga publiku i gjerë, bën që këtij projekti t’i vishen fuqi mbinatyrore duke e etiketuar si shkaktar i përmbytjeve, uraganeve, thatësirave, tërmeteve, stuhive, ndërprerjeve të energjisë, rrëzimit të avionëve apo sëmundjeve. Në 2016, dy burra nga Georgia, ShBA, u arrestuan me një arsenal masiv armësh. Ata kishin në plan të shkatërronin HAARP sepse besonin se instituti kërkimor manipulonte motin, kontrollonte mendjet e njerëzve, madje edhe rrëmbente shpirtra.

Sipas shkrimtarit të shkencës, Mick West, “mënyra për të përgënjeshtruar teoritë konspirative rreth HAARP është të përpiqesh t’i shpjegosh njerëzve ekzaktësisht çfarë HAARP bën. Shpjegoi se është thjesht një radiotransmetues që është në një vend në Alaska dhe mund të ndikojë vetëm në një sasi të vogël ajri mbi të. Shpjegoji se fuqia e përdorur nga ky radiotransmetues është shumë shumë e vogël krahasuar me çfarë do të duhesh për të bërë disa nga gjërat që po pretendohen.”

“Faktoje” ka verifikuar dhe më parë pretendime të ngjashme mbi sistemin HAARP.

Pustina Patris
Pustina Patris
Gazetare Përpara se t’i bashkohej Faktoje, ka punuar si gazetare për faqen angleze të “Exit News”, si producente e emisionit “Me Pak Fjalë” në Euronews Albania dhe, si data journalist në të njëjtin televizion. Ajo është diplomuar për Histori në Brown University në SHBA.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img