Pretendimi: Kryetari i Komunës së Haraçinës, u plagos nga një atentat, ndërsa u vra një nga shoqëruesit

Verdikti: Mungon konteksti

——————————————–

Më 1 prill 2024, një numër portalesh shqipfolëse raportuan se Ridvan Ibraimi, kryetari i komunës së Haraçinës në Maqedoninë e Veriut ishte plagosur nga persona të panjohur. 

Mediat raportuan gjithashtu se një person kishte mbetur i vdekur si pasojë e sulmit.

Megjithatë, ky pretendim është përgënjeshtruar nga Ministria e Punëve të Brendshme e RMV. Me anë të një njoftimi të postuar në Facebook, Ministria ka sqaruar më 1 prill se kryetari i Komunës nuk është lënduar.

Ky pohim u përsërit edhe nga Ministri i Punëve të Brendshme, Panço Toshkovski, i cili sqaroi se, ndërsa kryetari Ibraimi nuk është plagosur, dy persona të tjerë janë lënduar. “Njëri është shofer i kryetarit të komunës, tjetri është i punësuar në komunë,” tha Toshkovski.
Pretendimi se Ridvan Ibraimi mbeti i plagosur më 1 prill është përgënjeshtruar edhe nga kolegët e hibrid.info.