Pretendimi: Kryeministri sllovak u sulmua për shkak të qëndrimeve pro-ruse

Verdikti: E pavërtetë


Barbara Halla

Me 15 maj, kryeministri i Sllovakisë, Robert Fico, u qëllua pesë herë me armë pas një takimi qeveritar në Handlová, një qytet në qendër të vendit. Policia e identifikoi dhe ndaloi menjëherë sulmuesin, 71-vjeçarin Juraj Cintula.

Pas sulmit, në portalet shqiptare qarkulluan pretendime të shumta sipas të cilave Fico u qëllua për shkak të bindjeve të tija euroskeptike dhe pro-ruse. Këto pretendime të publikuara në rrjetet sociale janë të pabaza dhe të paverifikuara.

Fico nisi një mandat të tretë si kryeministër pas zgjedhjeve parlamentare të 2023 (ai kishtë shërbyer në këtë rol edhe dy herë te tjera, në 2006-2010 dhe 2012-2018). Është e vërtetë që Fico, i cili përshkruhet si ultranacionalist i majtë, ndërrmori një fushatë elektorale me një platformë anti-amerikane dhe pro-ruse, duke premtuar se do të ndalonte ndihmën ushtarake për Ukrainën. Për më tepër, ai ka ndarë dhe propagandë ruse, duke fajësuar NATO-n për pushtimin e Ukrainës.

Në të shkuarën Fico dhe qeveria e tij kanë qenë shënjestra e disa protestave për shkak të politikave populiste, të cilat përfshijnë përpjekje për censuruar median vendase. Megjithatë, për momentin nuk ka asnjë provë konkrete se sulmi ndaj tij vjen si pasojë e politikave pro-ruse të Ficos, ndërsa policia sllovake po vazhdon hetimet.

Cintula, një ish-roje sigurie, i cili e përshkruan veten si shkrimtar, i ka thënë policisë vendase që sulmin e kishte paramenduar disa ditë para vizitës së Ficos në Handlová, por nuk kishte dashur ta vriste atë. Ditën e sulmit, ai kishte qënë pjesë e një grupi të vogël qytetarësh që po prisnin jashtë godinës ku u mbajt takimi qeveritar, për të folur me Ficon.

Në fakt, gazetari slovak Szabolcs Panyi zbuloi në Facebook postime të bëra nga Cintula të cilat tregojnë se ai e mbështet Rusinë dhe Kremlinin, dhe është pjesë e një grupi paraushtarak të quajtur Slovenskí Branci, i cili ka lidhje me Kremlinin. Slovenskí Branci akuzohet se është përpjekur të rekrutojë të rinj në të gjithë Sllovakinë për organizatën e tij paraushtarake. Në një postim nga janari 2016, Cintula shihet duke mbajtur një fjalim pranë anëtarëve të grupit të veshur me kamuflazh. Kjo e kaluar e tij pranë grupimit pro-rus rrëzon dyshimet për një hakmarrje ndaj Ficos për shkak të qëndrimeve të tij pro-ruse.

Presidentja sllovake Zuzana Čaputová tha policia do të japin më shumë informacion kur të kenë mundësi dhe i kërkoi publikut të mos përhapë thashetheme të pakonfirmuara. Ndërkohë, Ministri i Mbrojtjes Robert Kaliňák e përshkroi sulmin si të motivuar nga arsyje politike. Ndërsa Ministri i Brendshëm Matúš Šutaj deklaroi se ky atentat vjen si pasojë e një klime urrejtje.

“Dua t’i bëj thirrje publikut, gazetarëve dhe të gjithë politikanëve që të ndalojnë përhapjen e urrejtjes,” tha Eštok. Ai bëri dhe një thirrje të përgjithshme për të “ndaluar sulmet dhe urrejtjen në rrjetet sociale dhe mediat”, qoftë për opozitën apo për qeverinë.