Pretendimi: Vatikani ka mbajtur konferencë për shtyp mbi zbulimet për alienët

Verdikti: Mungon konteksti


Barbara Halla

mediat sociale shqipfolëse po qarkullon pretendimi se Vatikani do të mbajë një konferencë mbi “zbulimet për alienët dhe fenomenet mbinatyrore.” Titulli dhe kjo hyrje janë të pasakta, pasi as njoftimi origjinal për konferencen, apo fjalimi që u dha përgjatë tij nuk flet për zbulime alienësh.

Konferenca në fjalë njoftoi vetëm vendimin e Vatikanit për të shtrënguar kriteret dhe udhëzimet e tij për njohjen e fenomeneve të mbinatyrshme, si pamje të Krishtit, apo Virgjëreshës Maria.

Udhëzimet e reja zëvendësojnë rregullat e hartuara në vitin 1978. Një nga ndryshimet kryesore është vendimi që peshkopët nuk duhet të veprojnë më në mënyrë të pavarur për të deklaruar natyrën hyjnore të pamjeve të tilla, por duhet të konsultohen me Vatikanin.

Ndryshimet e bëra nga zyra doktrinore e Vatikanit (DDF) synojnë të përditësojnë kishën në përgjigjen ndaj përhapjes së shpejtë të pretendimeve të shumta në internet për pamje dhe fenomene hyjnore të mbinatyrshme.

Sipas dokumentit të lëshuar nga Vatikani, procedura e re do të lejojë “vendime më të shpejta duke respektuar përkushtimin popullor” kur bëhet fjalë për vlerësimin e pretendimeve për fenomene të mbinatyrshme, të cilat mund të përfshijnë shfaqjen e mrekullive të ndryshme.

Sipas udhëzimeve të mëparshme, një peshkop vendas mund të deklaronte me shpejtësi natyrën e mbinatyrshme të një fenomeni, që më pas hidhej poshtë nga Papa ose pasardhësi i tij. Udhëzimet e reja të Vatikanit thonë se “si rregull” peshkopët dhe zyrtarët e kishës nuk do të deklarojnë nëse fenomenet e supozuara janë apo jo të mbinatyrshme, duke ia lënë këtë vendim Papës.

Kardinali Viktor Manuel Fernandez tha se vendimi i Vatikanit është marrë që të frenojnë pretendimet nga ata klerikë që kërkojnë “fitim, pushtet, famë ose për interesa të tjera personale,” dhe të abuzojnë me besimtarët.