Kryeministri nuk mungoi në votimin për rritjen e pagave

724

Kryeministri Edi Rama nuk mungoi në momentin e votimit të ndryshimeve në ligjin për pagat, por ndonëse ishte i pranishëm në sallë të parlamentit, ai zgjodhi të mos votojë. Rritja e pagave u mori vetëm 3 vota kundër dhe asnjë abstenim, ndërkohë që ishin të pranishëm 103 deputetë në sallë.

‘Rama dhe Berisha munguan, vetëm dy deputetë votuan kundër rritjes së pagave’. Me këtë titull informon lexuesit portali Politiko.al mbi votimin e projektligjit që i hapi rrugën rritjes së pagave për deputetët, ministrat, kryeministrin, presidentin e të tjerë funksionarë të lartë shtetërorë.

Screenshot i artikullit në portalin POLITIKO

‘Projektligji për rritjen e pagës mimimale është miratuar me 97 deputet pro, 0 absenim, 2 kundër. Mësohet se deputetët të cilët votuan kundër janë përfaqësuesit e opozitës Bujar Leskaj dhe Gëzim Ademaj.’, shkruhet më tej në brendësi të artikullit, teksa theksohet se kryeministri Edi Rama dhe kryedemokrati Sali Berisha nuk morën pjesë në votim.

Verifikimet e “Faktoje” tregojnë se informacionet e përcjella nga portali Politiko.al mbi votimin e parlamentit më 25 maj, janë të pasakta.

Pasaktësia e parë lidhet me numrin e deputetëve që kanë votuar kundër. Ndryshe nga sa informon portali, janë tre deputetë që kanë votuar kundër projektligjit më 25 maj dhe jo dy.

Po ashtu, emrat e deputetëve që kanë votuar kundër janë: Bujar Leskaj, Petrit Doda dhe Dashnor Sula. Deputeti Gëzim Ademaj që përmendet si votë kundër nga Politiko në fakt ka votuar pro.

Burimi: Parlament.al

Po ashtu, sipas verifikimeve të bëra nga “Faktoje” rezulton se një tjetër pasaktësi në artikull është ajo e mungesës së kryeministrit Edi Rama në parlament gjatë votimit të ndryshimeve ligjore. 

Referuar përmbledhjes së rezultatit të votimit të parlamentit ‘Për disa ndryshime në ligjin “Për pagat, shpërblimet dhe strukturat e institucioneve të pavarura kushtetuese dhe të institucioneve të tjera të pavarura”  kryeministri Edi Rama ka qënë prezent në sallw, por ka zgjedhur të mos votojë.

Njësoj si Rama kanë vepruar edhe dy deputetët të tjerë, por nga kampi demokrat, Flutura Açka dhe Elda Hoti.

Gjithsej kanë qënë të pranishëm 103 deputetë, nga të cilët 97 kanë votuar pro 3 kundër dhe 3 të tjerë kanë qënë të pranishëm por nuk kanë votuar.