BallinaProjekteForcimi i gazetarisë fact-checkingPremtimi i pambajtur për rezervën shtetërore të naftës

Premtimi i pambajtur për rezervën shtetërore të naftës

Në Shqipëri ende nuk ka një rezervë shtetërore të sigurisë së naftës, ndryshe nga ç’premtoi kryeministri Edi Rama një vit më parë. Albpetroli, që do të ishte ‘aktori i ditëve të këqija’, konfirmon se krijimi i rezervës shtetërore nuk është në detyrat dhe kompetencat e shoqërisë. Detyrimin ligjor të mbajtjes së rezervës së sigurisë vijojnë ta kenë kompanitë hidrokarbure që operojnë në treg. Prej katër vitesh, projektligji që i hap rrugën krijimit të rezervës së sigurisë, ‘fle’ në Ministrinë e Infrastrukturës.

Esmeralda Topi

“Ne si qeveri, ministria e Energjisë dhe Infrastrukturës sot angazhohet për të krijuar rezervën e vet të naftës duke përdorur Albpertol për të pasur aktorin e vet për ditë të këqija.”, premtoi kryeministri Edi Rama në mars 2022, pak javë nga nisja e agresionit rus në Ukrainë, ngjarje që tronditi tregjet ndërkombëtare të naftës dhe shtoi pasigurinë jo vetëm për çmimet e larta, por mbi të gjitha për sigurimin e produktit.

Në një takim me furnizuesit e naftës, Rama u komunikoi atyre synimin e qeverisë për të ndërhyrë me urgjencë në kontrollin e çmimeve të tregtimit të naftës, gazit dhe benzinës në vend, për shkak të situatës së paprecedentë të krijuar nga lufta në Ukrainë dhe rritjes së çmimeve në tregjet botërore.

“Ne do të jemi 100% në dispozicion për ndihmë nëse do të shohim se problematika e furnizimit do të agravohet dhe ju do të jeni 100% në dispozicion, jo për të na ndihmuar, por për të qenë në lartësinë e kësaj sfide. Kjo është një situatë e jashtëzakonshme, mungojnë bombat, por po vuajmë pasoja.”, shprehej më tej Rama gjatë takimit në Kryeministri me furnizuesit e naftës, teksa i la për detyrë ministres së Energjisë dhe Infrastrukturës Belinda Balluku, të angazhohej për të krijuar rezervën shtetërore të naftës.

Një vit më vonë…

Verifikimet e Faktojes tregojnë se angazhimi publik i kryeministrit për të pasur një rezervë shtetërore të naftës nuk është përmbushur.

Kompania publike e prodhimit të naftës Albpetrol, që sipas kryeministrit do të ishte ‘aktori i ditëve të këqija’, jo vetëm që nuk e ka krijuar rezervën shtetërore të naftës, por konfirmon se angazhimi nuk është në detyrat dhe kompetencat e kësaj shoqërie.

“Shoqëria Albpetrol Sh. A nuk ka rezerva shtetërore të naftës. Shoqëria Albpetrol Sh. A ka për objekt të veprimtarisë së saj prodhimin dhe shitjen e naftës Brut.

Krijimi i rezervave të naftës nuk është në detyrat dhe kompetencat që të mund të bëhet nga shoqëria Albpetrol Sh. A.”, shkruan Albpetrol duke sqaruar më tej objektin e veprimtarisë së shoqërisë.

“Kryerja e Operacioneve Hidrokarbure në përputhje me Ligjin Nr.7746, datë 28.08.1993 për Kërkim Zhvillim, Prodhim, Trajtimin, Transportin, Magazinimin dhe Shitjen e naftës Brut, Gazit dhe rërave Bituminoze brenda dhe jashtë Republikës së Shqipërisë, si dhe çdo operiacion tjetër tregtar apo shërbime që i shërbejnë aktivitetit të shoqërisë. Shoqëria brenda hapësirave të parashikuara nga legjilacioni në fuqi do të kryejë çdo operacion projektues – preventivues, tregtar dhe financiar, që lidhet drejtëpërdrejt ose tërthorazi me objektin e saj.”, shkruhet në përgjigjen e Albpetrol.

Rezervat e sigurisë të naftës

Por teksa kryeministri i la për detyrë ministres së Energjisë dhe Infrastrukturës Belinda Balluku, të krijonte rezervën shtetërore të naftës, në sirtaret e kësaj ministrie kishte zënë pluhur një projektligj që i hapte rrugën pikërisht përmbushjes së këtij angazhimi, por përmes një institucioni të ri, Agjencisë Shtetërore të Rezervave të Sigurisë të Naftës.

Në mars të vitit 2019, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë hodhi për konsultim publik projektligjin për krijimin, mbajtjen dhe menaxhimin e rezervave minimale të sigurisë të naftës bruto dhe nënprodukteve të saj. Sipas draftit, kjo rezervë do të ishte garanci për mosparalizim të aktivitetit në vend, në rast mungesë të furnizimit.

Sipas shpjegimit të bërë në projektligj, këto rezerva do të siguronin një nivel të lartë të sigurisë së furnizimit të Shqipërisë me naftë si dhe do të përmbushnin detyrimet e marrëveshjeve përkatëse ndërkombëtare.

Sipas dokumentit, krijimi dhe mbajtja e rezervës së sigurisë do të ndahej mes industrisë dhe një enti publik, Agjencia Shtetërore e Rezervave të Sigurisë së Naftës. Kjo e fundit do të kishte shumicën e rezervës, me të paktën 60 ditë mesatare shitjeje, kurse kompanitë dhe rafineritë 30 ditë mesatare shitjeje. Drafti përcaktonte se kjo Agjenci do të duhej të funksiononte me vetëfinancim përmes një tarife që do të mblidhej në çdo një litër karburant tek rafineritë dhe shoqëritë e shumicës. Dhe kjo ishte pika më e debatuar nga aktorët e tregut.

I kontaktuar nga Faktoje drejtuesi i Shoqatës së Hidrokarbureve, Luigj Aliaj, thotë se drafti nuk gjeti mbështetjen e tyre, pasi mënyra se si ishte konceptuar mbajtja e rezervës ishte e paqartë dhe krijonte kosto shtesë.

“Sipas draftit, pretendohej se do të bëhej një rezervë duke shtuar një taksë mbi karburantet dhe me atë fond do të krijoheshin depozitat ku mund të mbahej produkti. Por nafta nuk mund të jetë me çmim të mbyllur, sepse çmimi lëviz dhe të mbetet produkti në dorë. Ti mund ta blesh sot me 700 dollarë, por pas një viti ajo mund të bjerë në 100 dollarë apo mund edhe të shkojë në 1400 dollarë. Dhe pastaj nuk ke me se e përballon atë humbje. Dhe e dyta, nafta nuk mund të mbahet më shumë se një vit, sepse produkti dekanton dhe nuk mund të përdoret. Nafta pas dy tre muajsh fillon edhe shtresohet.”, shprehet Aliaj.

Edhe pse kanë kaluar katër vite, qeveria dhe parlamenti ende nuk i kanë dhënë dritën jeshile projektligjit. Madje mbetet e paqartë nëse qeveria është tërhequr përfundimisht nga kjo nismë.

Aktualisht, detyrimin ligjor të mbajtjes së rezervës së sigurisë e kanë kompanitë hidrokarbure që operojnë në treg. Vendimi i vitit 2004, përcakton se kompanitë duhet të mbajnë rezerva të importeve të tyre përkatëse vjetore për 90 ditë.

Vonesat në krijimin e rezervës ‘shqetësojnë’ Sekretariatin e Energjisë

Edhe raporti i fundit nga Sekretariati i Komunitetit të Energjisë, në kapitullin dedikuar Shqipërisë, vë në dukje vonesën katërvjeçare në miratimin e një ligji për rezervën e sigurisë së naftës.

“Projektligji për krijimin, mirëmbajtjen dhe menaxhimin e rezervave minimale të sigurisë së naftës bruto dhe produkteve të naftës për t’u përafruar me Direktivën e Këshillit 2009/119/EC ende nuk është miratuar.”, shkruhet në raport teksa theksohet se qeveria po përgatit një paketë të re që synon të përputhet me Detyrimet e Direktivës, por duke futur një sistem që do të ishte më shumë në përputhje me modelin aktual të bazuar në industri.

“Shqipëria ende nuk ka vendosur nëse do ta miratojë projektligjin apo dy rregulloret dhe kështu vazhdojnë me modelin ekzistues i lidhur me industrinë”, shkruhet në raportin e Sekretariatit të Energjisë.

Përfundim

Pavarësisht premtimit të kryeministrit Rama dhe projektligjit që fle sirtarëve të ministrisë, Shqipëria ende nuk ka rezervë shtetërore të sigurisë së naftës. Albpetrol thotë se nuk është në kompetencën e shoqërisë krijimi i kësaj rezerve, ndërkohë që Agjencia Shtetërore e Rezervave të Sigurisë së Naftës ende nuk është ngritur pasi projektligji që ligjëron ngritjen e këtij institucioni, ende nuk është miratuar në qeveri.

Esmeralda Topi
Esmeralda Topi
Redaktore Esmeralda Topi është gazetare pranë qendrës Faktoje prej vitit 2022. Ajo ka punuar si gazetare ekonomie që nga viti 2010, në televizion, shtypin e shkruar dhe atë online. Esmeralda ka përfunduar studimet në Universitetin e Tiranës për “Gazetari”. Në të njëjtin fakultet ajo ka kryer edhe studimet në nivelin “Master Shkencor” për “Marrëdhënie me Publikun”.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img