.

.

BallinaFaktometerE vërtetëKriza e arsimit në Shqipëri: Analiza e rezultateve të PISA dhe sfidat për të ardhmen edukative

Kriza e arsimit në Shqipëri: Analiza e rezultateve të PISA dhe sfidat për të ardhmen edukative

2.2 % e GDP është buxheti për arsimin nga 5 % që është premtuar për vite me radhë. Të dhënat e fundit të PISA treguan qartë se performanca e nxënësve 15-vjecarë ne Shqipëri ka pësuar një rënie të dukshme. Kjo këmbanë alarmi nuk ka nisur me pandeminë, por shumë vite më parë. Gjatë këtyre tri dekadave, kurrikulat e arsimit janë ndryshuar disa herë, studentët që zgjedhin mësuesinë pranohen edhe me mesataren 6.5, infrastruktura shkollore është endë problematike. Ministria e Arsimit prej vitesh po justifikohet se ka strategji dhe mekanizma për ta përmirësuar këtë sektor, i cili po operon me një buxhet minimal në raport me standartet ndërkombëtare për arsimin parauniversitar.

Në fjalën e mbajtur gjatë seancës plenare të 2 majit, deputetja demokrate, Ina Zhupa ngriti shqetësimin mbi atë që ajo e quajti ‘rrënimi i sistemit parauniveristar në Shqipëri’.

“Shqipëria kishte rënien më të madhe në raport me rajonin, por edhe me veten e saj. Pisa vlerëson aftësitë e nxënësve 15 vjeçarë në lexim, matematikë dhe shkencë. Ka rënë respektivisht me 47 pikë, 69, pikë dhe 50 pikë dhe ne renditemi më poshtë se Palestina dhe Uzbekistani”-deklaroi Zhupa.

Pas komenteve të deputetes demokrate, ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu pranoi se kishte një ulje të performancës së nxënësve shqiptarë.

“Ne nuk fshihemi pas gishtit nuk pranojmë dot të themi që PISA ishte performancë që ka ecur në hapin që ne do të donim, por kemi bërë një analizë si një vlerësim që në kontekstin ndërkombëtar është lexuar nga ekspertët më të mirë. Performanca jonë ishte në ulje, por u ndikua nga disa faktorë, kemi bërë analizë për të marrë masa. Ka pasur faktorë që kanë ndikuar, si pandemia, tërmeti”, tha Manastirliu.

Çfarë thotë raporti i PISA?

Rezultatet e Programit të Vlerësimit Ndërkombëtar të Nxënësve “PISA 2022” u bënë publike në dhjetor të vitit 2023.

Sipas vlerësimit, Shqipëria renditet në vendin e 62, ndër 80 vendet që kanë marrë pjesë në testim.

Në matematikë, Shqipëria mori vlerësimin prej 368 pikë nga 472 pikët e mundshme në matematikë. Nga vlerësimi i ecurisë së nxënëseve në matematikë krahasuar me programin “PISA 2018”, Shqipëria ka një rënie prej 69 pikësh, më e lartë ndër 80 shtetet e testuara.

Për aftësitë e nxënësve 15 vjeçarë në lexim Shqipëria u vlerësua me 358 pikë nga 476 pikë që është mesatarja e pikëve të mundshme. Edhe në lexim krahasuar me rezultatet e 2018-s rënia është 47 pikë.

Për aftësitë e nxënësve në shkencë, Shqipëria është vlerësuar me 376 pikë nga 485 pikë e mundshmet. Vlerësimi për aftësitë e nxënësve në shkencë rënia është 41 pikë krahasuar me rezultatet e “PISA 2018”. Në krahasim me vendet e rajonit Shqipëria pozicionohet më poshtë, ndërsa pas saj qëndron vetëm Kosova.

Ekspertët e arsimit: Buxheti për arsimin vijon të mbetet i ulët

Rigels Xhemollari nga “Qëndresa Qytetare” ngre shqetësimin në lidhje me cilësinë e arsimit në vendin tonë, nisur nga rezultatet e testit të PISA.

“Mjafton të masim efektivitetin dhe produktivitetin e të nxënit në shkollat shqiptare duke analizuar rezultatet e PISA-s, ku rezulton se 73.2% e nxënësve janë ngelës në lexim, pra thënë ndryshe analfabet funksional, nxënës që lexojnë, por nuk arrijnë të kuptojnë atë që lexojnë. Po ashtu 67% e nxënësve janë ngelës në shkencë dhe 74% e nxënësve janë ngelës në matematikë. Këto tregues dëshmojnë cilësinë reale të arsimimit në shkollat shqiptare.

Problematika kryesore vazhdon të mbetet paqëndrueshmëria e zhvillimit të kurrikulave, ku ndryshimet e shpeshta sjellin vështirësi në përshtatjen jo vetëm të nxënësve, por edhe të mësuesve në implementimin e ndryshimeve”, argumenton Xhemollari.

Sipas tij, nuk mund të ketë zhvillim në këtë aspekt, kur buxheti për arsimin vijon të mbetet i ulët.

“Nuk mund të ketë zhvillim të arsimit kur buxhetit për arsimin i alokohen vetëm 2.2% të Prodhimit te Brendshëm Bruto, kur në vitin e largët 2018 premtimet që iu bënë studentëve flisnin për një buxhet që do arrinte nivelet e 5% të PBB, në paktin e dakortësuar me studentët”, thekson ai.

Manastirliu: Masa për rritjen e cilësisë së arsimit

Ministrja e Arsimit, Ogerta Manastirliu prezantoi në Kuvend më 2 maj një strategji të re për përmirësimin e cilësisë së arsimit në Shqipëri dhe rritjen e performancës në testet ndërkombëtare, si pjesë e përgatitjes për testin PISA 2025.

“E para rritja e pagave dhe motivimi i mësuesve.  E dyta, modernizimi i kornizës kurrikulare lidhur me aftësisë teknologjike. E treta investimet në infrastrukturën shkollore dhe në digjitalizim, jemi të vendosur për t’i realizuar në mënyrë që ëndrrën që shqiptarët kanë për të pasur një arsim më cilësor ta bëjmë sa më shpejtë realitet. Shqipëria ‘20-‘30 është garantuar që do të këtë një arsim shumë më cilësore, i cili i përgjigjet aftësive që kërkon shekulli 21”, tha Manstirliu.

Për sa i përket testimit Ndërkombëtar “Pisa 2025” Ministrja e Arsimit tha se së  pari, mësuesit dhe nxënësit janë furnizuar me materiale dhe modele pyetjesh të vlerësimit PISA në fushat kryesore të leximit, matematikës dhe shkencave. Gjithashtu, janë organizuar trajnime për mësuesit në këto fusha, të cilat kanë përfshirë 1442 mësues në të gjithë vendin.

Në një artikull të publikuar në gusht të 2 viteve më parë, Faktoje ngriti shqetësimin në lidhje me analfabetizmin funksional në Shqipëri dhe faktin që pandemia e kishte thelluar edhe më tej problemin. Mirëpo, ndonëse asokohe DPAP argumenton se MAS kishte ndryshuar strategjinë e mësimdhënies për të përmirësuar situatën, në fakt sot është tërësisht e kundërta.

Ilda Hoxha
Ilda Hoxha
Gazetare Ka përfunduar studimet në nivelin “Bachelor” për “Gazetari dhe Shkenca Komunikimi” në “Universitetin e Tiranës” dhe studimet në nivelin “Master Shkencor” në drejtimin “Marketing Mediatik”. Ka punuar si gazetare në “Top Albania Radio” në periudhën janar 2013-dhjetor 2014. Ka punuar si gazetare në “Gazetën Shqip” në print për çështjet sociale në periudhën dhjetor 2014- korrik 2016. Në periudhën shkurt 2015-gusht 2017 ka punuar për “Votra Magazine”, ku ka mbuluar pjesën e marketingut të saj, por edhe shkrimin e artikujve me karakter kulturor dhe promovues për Shqipërinë. Ka punuar si redaktore në “Gazetën Shqip Online” në periudhën korrik 2016-deri më 19 maj 2021. Në periudhën qershor-gusht 2021 ka punuar si gazetare në emisionin “Pushime On Top” në Top Channel.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img