Pretendimi se kreu i OBSh ka deklaruar se fermerët vrasin 8 milionë njerëz në vit është i pavërtetë. Në fakt, Dr. Ghebreyesus tha se përmirësimi i dietës së njerëzve si pasojë e një ndryshimi në sistemet e prodhimit të ushqimit do të shpëtonte 8 milionë jetë në vit.

————————————–

Në rrjetet konspiracioniste po qarkullon pretendimi se kreu i Organizatës Botërore të Shëndetit (OBSh) ka deklaruar se “fermerët vrasin 8 milionë njerëz çdo vit”. Pretendimi është i lidhur me debatin që po zhvillohet në Evropë për ndikimin e bujqësisë në ndryshimet klimatike dhe nevojën për të reduktuar shfrytëzimin masiv të burimeve natyrore. 

Megjithatë, në videon 1-minutëshe që shoqëron postimin, kreu i OBSh, Dr Tedros Adhanom Ghebreyesus, dëgjohet të thotë:

Sistemet tona të ushqimit po dëmtojnë shëndetin e njerëzve dhe të planetit. Sistemet e ushqimit janë përgjegjëse për mbi 30% të emetimeve të gazeve serrë dhe përfaqësojnë gati 1/3 e barrës globale të sëmundjeve. Transformimi i sistemeve ushqimore është, si rrjedhim, thelbësor, duke u zhvendosur drejt dietave më të shëndetshme, diverse, dhe bimore. Nëse sistemet ushqimore do të prodhonin dieta të shëndetshme për të gjithë, ne mund të shpëtonim 8 milionë jetë në vit. OBSh i është përkushtuar mbështetjes së shteteve për të zhvilluar dhe implementuar politika për të përmirësuar dietat dhe luftuar ndryshimin e klimës. Jam, si rrjedhim, shumë i kënaqur që mbi 130 shtete kanë firmosur deklaratën COP28, UAE, mbi klimën dhe shëndetin. Së bashku, mund të mbrojmë dhe promovojmë shëndetin e njerëzve dhe planetit. Faleminderit.

Klipi i mësipërm është marrë nga një mesazh i Ghebreyesus i transmetuar gjatë Konferencës së OKB për Ndryshimin e Klimës, e njohur gjithashtu si COP28, e cila u mbajt nga 30 nëntori në 13 dhjetor 2023 në Dubai, Emiratet e Bashkuara Arabe.

Siç dëgjohet në video, Ghebreyesus nuk ka thënë se “fermerët vrasin 8 milionë njerëz çdo vit.” Shifra prej 8 milionë përdoret kur ai thotë: “Nëse sistemet ushqimore do të prodhonin dieta të shëndetshme për të gjithë, ne mund të shpëtonim 8 milionë jetë në vit.”

Megjithatë, kjo nuk nënkupton se fermerët janë përgjegjës për 8 milionë vdekje në vit.

Ai po flet për sistemet globale të prodhimit të ushqimit, të cilat nuk drejtohen apo kontrollohen nga fermerët, por, gjithnjë e më shumë, nga një grusht korporatash me shtrirje globale.

Sot, përllogaritet se ka rreth 608 milionë ferma në botë, dhe 90% e tyre janë ferma të punuara nga familje. Megjithatë, 1% e fermave, ato më të mëdhatë, punojnë mbi 70% të tokës bujqësore në planet. Këto ferma formojnë bërthamën e prodhimit për sistemin ushqimor korporatist.

Ndërkohë, agrikultura është përgjegjëse për mbi 40% të emetimeve të gazrave serrë, gati 90% të shpyllëzimit të planetit dhe 80% të humbjes së biodiversitetit.