BallinaFaktometerE PavërtetëKomuniteti rom me shërbime të munguara edhe në epokën digjitale

Komuniteti rom me shërbime të munguara edhe në epokën digjitale

Anxhelina Sherifi

Kalimi i shërbimeve online nga data 1 maj ka krijuar shqetësim edhe për komunitetit rom. Shumë qytetarë të këtij komuniteti, që ndër vitet kanë vuajtur diskriminimin në dhënien e shërbimeve, tashmë përballen dhe me një tjetër problematikë. Ata nuk dinë si t’i aksesojnë këto shërbime online të ofruara nga qeveria shqiptare, ndërsa të tjerë shprehen se nuk kanë telefonë inteligjent për t’u futur në e-Albania. Pavarësisht deklaratave të shumta për aksesin e barabartë në shërbime për komunitetin rom, problematika e tyre vazhdon të jetë e madhe.

“Fakti që ju sot jemi këtu tregon me të vërtetë për seriozitetin, por edhe për punën që është bërë për atë çfarë ne kemi mundësi të themi në funksion të përpjekjeve tona të përbashkëta, për aksesin e barabartë në shërbime, për integrimin në punësim, për strehimin e përshtatshëm, për edukimin, për shëndetësinë për komunitetin rom dhe egjiptian”, deklaroi ministrja Manastirliu më 5 nëntor të vitit që lamë pas.

Me kalimin e të gjitha shërbimeve online nga data 1 maj, vështirësinë në aksesimin e shërbimeve nga ky komunitet janë shtuar.

Faktoje ishte në rrugën “Halit Bega” në Allias ku bisedoi me banorë të kësaj zone dhe mundësitë që ata kanë për të aksesuar shërbimin e-Albania. Një pjesë e banorëve shprehen se ata e zotërojnë një telefon inteligjent, por nuk dinë si t’I aksesojnë këto shërbime.

“Kisha harruar kodin, mezi e hapa. Vajta në Rinas që e hapa përsëri. Më pas më duheshe karta e shëndetit për ta shkarkuar, por nuk dija. E kam të hapur tani, por nuk di si ta përdor, nuk di si të nxjerr një dokument që më duhet”, shprehet një grua rreth 45 vjeçe, e cila jeton në rrugën “Halit Bega” në Allias.

Një qytetare që ankohet pasi nuk di si të përdorë e-Albania

Zyrtarisht sipas INSTAT për vitin 2021 vetëm 15,7% e popullsisë përgjatë vitit 2021 ka mundur që të dërgojë nëpërmjet platformës së e-qeverisjes formularë të plotësuar nga interneti.

Por çfarë vështirësish hasin këta banorë?  

“Vështirësia që hasim në shërbimet online e- Albania është hyrja në këtë aplikacion për të kërkuar një dokument të caktuar”, tregojnë qytetarë nga komuniteti rom.

Pamundësitë e tyre për të përdorur shërbimet në e-Albania janë kaq të mëdha, saqë ata preferojnë që të presin më mirë në radhë. Sipas tyre, të paktën në atë mënyrë do rrijnë ta marrin shërbimin, ndërsa online për ata është e pamundur.

“Zgjidhja e vetme është të rikthehet sërish ashtu siç ka qenë. Më mirë në radhë sesa online”, shprehen të shqetësuar banorët e komunitetit rom.

Ndërkohë, përfaqësues të këtij komuniteti theksojnë se zgjidhja më e mirë do të ishte që të kishte një ndihmës ose punonjës që t’u vinte në ndihmë për të aksesuar shërbimet që ju nevojiten.

“Do të ishte mirë që të kishte një ndihmës ose punonjës që t’u vinte në ndihmë personave që kanë nevojë të aksesojnë sherbimet online në e-Albania dhe t’u shpjegojë se si përdoret ky aplikacion apo edhe si të marrin një dokument të caktuar”, sugjerojnë përfaqësues që ndjekin hap pas hapi problematikat e tyre.

Gjithashu sipas të njëjtit publikim individët e grup-moshës 65 – 74 vjeç, të cilët kanë deklaruar që nuk e kanë përdorur asnjëherë internetin zënë 51,1 %.

Kur vjen punë tek të moshuarit që i përkasin këtij komuniteti, ata jo që nuk dinë të përdorin e-Albania, por nuk dinë dhe as nuk kanë në përdorim  ‘smartphone’.

 “Nuk kam telefon me internet, nuk di si ta përdor fare”, thotë një i moshuar në këtë zonë.

Herë pas here janë ngritur shqetësime në lidhje me lënien pas dorë të komunitetit rom.

Aktivistët bëjnë të ditur se sipas të dhënave të fundit, rreth 8 mijë romë jetojnë në vendin tonë, por Qendra Evropiane për të Drejtat e Romëve tregon se ka rreth 120,000 qytetarë romë.

Në qershor të vitit që lamë pas, Faktoje raportoi se në planin e qeverisjes së PS për mandatin 2017-2021 u premtua se 100% e fëmijëve romë dhe egjiptianë do të regjistroheshin dhe do të mbaronin arsimin e detyruar 9-vjeçar e madje një pjesë e mirë edhe universitetin.

Nga verifikimi i Faktoje rezultoi se shumica e fëmijëve të këtij komuniteti nuk e ndiqnin shkollën dhe në rastin më të mirë, ata që e ndiqnin e kishin braktisur pas klasës së 5 apo të 9. Sipas studimeve, Shqipëria ka 44 mijë analfabetë dhe shumica i përkasin komunitetit rom dhe egjiptian.

*Shkrimi është prodhuar nga të rinjtë pjesëmarrës të projektit “Youth RAP” që Faktoje po zbaton së bashku me organizatën IREX.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img