BallinaBurokraciInstitucionet, asnjë përgjigje shteruese se ku do ngrihet Cirku i ri Kombëtar

Institucionet, asnjë përgjigje shteruese se ku do ngrihet Cirku i ri Kombëtar

Po bëhet një vit nga shembja e Cirkut Kombëtar dhe deri më sot asnjë nga institucionet e angazhuara nuk jep një sqarim se ku do të vendoset ai. Përmes një komunikimi zyrtar Ministria e Kulturës informoi Faktojen se është në bisedime me ministrinë e Mbrojtjes për gjetjen e truallit, gjë që u mohua nga kjo e fundit. E ndërsa burokracitë po e shtyjnë pa afat zgjidhjen e situatës, artistët e Cirkut vijojnë të japin shfaqje në mjedise të improvizuara, pasi ende nuk kanë ‘çatinë’ e tyre.

——————————————————————————–

“Ne jemi në bisedime me Bashkinë e Tiranës për lagje të reja, të cilat po rindërtohen post-tërmetit, për të alokuar në një prej këtyre dhe këtë hapësirë (cirkun) të munguar”, deklaroi ministrja e Kulturës Elva Margariti në prill të këtij viti.

Për të mësuar se në çfarë faze janë diskutimet për gjetjen e një vendi të përshtatshëm për vendosjen e Çadrës së Cirkut, Faktoje iu drejtua me një kërkesë për informacion fillimisht Ministrisë së Kulturës.

Në pyetjet që i drejtuam Ministrisë, kërkuam informacion nëse ishte gjetur një hapësirë për vendosjen e Çadrës së re të Cirkut Kombëtar.

Kërkesa për informacion dërguar Ministrisë së Kulturës, 9 maj 2022

Në përgjigjen zyrtare për Faktoje, Ministria e Kulturës sqaron se janë në komunikim me Ministrinë e Mbrojtjes për të gjetur një vend për të ngritur Cirkun Kombëtar.

“Ministria e Kulturës, aktualisht, në bashkëpunim me Ministrinë e Mbrojtjes, është duke kërkuar një vend të përshtatshëm për vendosjen e Cirkut Kombëtar. Janë parë disa prona të Ministrisë së Mbrojtjes, të cilat mund të jenë të përshtatshme për shkak të përmasave, pozicionit gjeografik dhe lidhjes me shërbimet e transportit publik, duke preferuar prona që janë në zona të zhvilluara urbane të qytetit të Tiranës dhe po studiohen secila pronë me shumë kujdes.

Siç u tha më sipër ringritja e Cirkut Kombëtar është një proces që do të vendoset në përputhje me zgjidhjen e problemeve logjistike dhe duke u konsultuar me artistët dhe sindikatën. Afati është në varësi të këtyre dy faktorëve”, konfirmoi për Faktojen Ministria e Kulturës.

Përgjigjia e Ministrisë së Kulturës, 1 qershor 2022

Pas kësaj përgjigjeje të Ministrisë së Kulturës, Faktoje pyeti edhe Ministrinë e Mbrojtjes se si ka vijuar komunikimi mes dy institucioneve në lidhje me gjetjen e vendit për Cirkun Kombëtar.

Kërkesa për informacion dërguar Ministrisë së Mbrojtjes, 7 qershor 2022

Ndryshe nga ajo çfarë nga konfirmoi Ministria e Kulturës, MM bën të ditur se nuk ka pasur korrespondencë midis institucioneve në lidhje me çështjen në fjalë.

“Lidhur me kërkesën tuaj, nëse ka pasur ndonjë komunikim me Ministrinë e Kulturës për gjetjen e një prone të përshtatshme për çadrën e Cirkut Kombëtar, sipas prononcimeve të marra nga strukturat e Ministrisë së Mbrojtjes dhe Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura nuk na rezulton të kemi ndonjë korrespondencë përsa ju kërkoni”, thekson Ministria e Mbrojtjes në përgjigjen zyrtare për Faktoje.

Përgjigjia e Ministrisë së Mbrojtjes për Faktoje, 16 qershor 2022

Gjithashtu, në lidhje me këtë problematikë, ne iu drejtuam me një kërkesë për informacion edhe Bashkisë së Tiranës.

Kërkesa për informacion dërguar Bashkisë së Tiranës, 9 maj 2022

Bashkia e Tiranës nuk jep një përgjigje shteruese në lidhje me planin për ngritjen e Cirkut Kombëtar:

“Drejtoria e Përgjithshme e Planifikimit dhe Zhvillimit të Territorit ju bën me dije se me Vendimin Nr.1 datë 14.04.2017 të Këshillit Kombëtar të Territorit (KKT) është miratuar Plani i Përgjithshëm Vendor i Bashkisë Tiranë (i ndryshuar).

Gjithashtu ju bëjmë me dije se me vendim të kryetarit të Bashkisë Tiranë nr. Protokolli 43810/1 datë 05/11/2021 është miratuar ‘Ndërmarrja e nismës për rishikimin e Planit të Përgjithshëm Vendor (PPV) të Bashkisë Tiranë’. Gjatë këtij procesi, kërkesa juaj për gjetjen e një hapësire të përshtatshme për ngritjen e Çadrës së Re të Cirkut Kombëtar, do të jetë në vëmendjen tonë.

Kjo kërkesë i është përcjellë edhe Drejtorisë Juridike të Aseteve dhe Liçensimit, për të na ndihmuar në identifikimin e një prone shtet, aset i Bashkisë Tiranë, për një hapësirë të përshtatshme për pozicionimin e Cirkut”, njofton Bashkia e Tiranës.

Përgjigjia e Bashkisë së Tiranës, 1 qershor 2022

Ndërkohë, po të shohim faqen e Facebook të Cirkut Kombëtar vihet re se shfaqjet kanë vijuar, në mjedise të përshtatura.

 

Screenshot nga faqja e Facebook e Cirkut Kombëtar

Mungesa e Cirkut Kombëtar është sjellë në vëmendje herëpas’here nga Faktoje. Në një artikull të datës 20 nëntor 2021, raportuam se artistët e Cirkut Kombëtar, nuk po stërviteshin dhe nuk po jepnin shfaqje, një muaj nga shembja e një tjetër pjese të memories së kryeqytetit, çadrës së Cirkut.

Në dhjetor të 2021, Faktoje raportoi se edhe dy muaj pas heqjes së Çadrës së Cirkut Kombëtar, Bashkia e Tiranës dhe Ministria e Kulturës nuk kishin gjetur një ambient të përshtatshëm për ngritjen e Çadrës së re, por komunikimi zyrtar me tre institucionet e angazhuara për gjetjen e hapësirës së përshtatshme për Cirkun ka përfunduar në burokracira që e shtyjnë pa afat dhënien e një zgjidhjeje për këtë situatë.

Ilda Hoxha
Ilda Hoxha
Gazetare Ka përfunduar studimet në nivelin “Bachelor” për “Gazetari dhe Shkenca Komunikimi” në “Universitetin e Tiranës” dhe studimet në nivelin “Master Shkencor” në drejtimin “Marketing Mediatik”. Ka punuar si gazetare në “Top Albania Radio” në periudhën janar 2013-dhjetor 2014. Ka punuar si gazetare në “Gazetën Shqip” në print për çështjet sociale në periudhën dhjetor 2014- korrik 2016. Në periudhën shkurt 2015-gusht 2017 ka punuar për “Votra Magazine”, ku ka mbuluar pjesën e marketingut të saj, por edhe shkrimin e artikujve me karakter kulturor dhe promovues për Shqipërinë. Ka punuar si redaktore në “Gazetën Shqip Online” në periudhën korrik 2016-deri më 19 maj 2021. Në periudhën qershor-gusht 2021 ka punuar si gazetare në emisionin “Pushime On Top” në Top Channel.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img