Një video që qarkullon në rrjetet sociale ka ngritur pretendimin se francezët kanë shkatërruar makinat e tyre përpara se të largoheshin nga shteti i Afrikës perëndimore, Burkina Faso. Pretendimi është shpërndarë në gjuhë të ndryshme, ndër to edhe në shqip, ku thuhet se arsyeja për shkatërrimin e makinave është “që afrikanët të mos mund të përfitonin”. Një verifikim i Faktoje tregon se në videoja është xhiruar nga një punonjës i kompanisë së minierës Nantou që shpjegon se makinat u çmontuan dhe u bënë skrap.
Jona Plumbi
Një video ku tregohet një eskavator duke shkatërruar disa makina, ndërkohë që disa persona në uniformë qëndrojnë aty pranë duke xhiruar video të ngjarjes është shpërndarë në rrjete sociale me pretendimin se “Franca shkatërroi makinat e saj përpara se të largohej nga minierat në Burkina Faso”. Videoja është shpërndarë edhe në gjuhën shqipe, ku përdorues të rrjeteve sociale përsërisin akuzën e ngritur.
Një prej tyre shkruan në 3 shtator në Facebook se “Para se të largoheshin nga Burkina Faso, francezët shkatërruan makinat dhe pronat e tyre në atë vend, në mënyrë që afrikanët të mos mund të përfitonin. Kjo është fytyra e francezëve. Ata kanë deklaruar se qëndrimi i tyre në Burkina Faso ishte për luftën kundër terrorizmit dhe për të mirën e Afrikës, por vazhdojnë me aktet e tyre të neveritshme”.
Nisur nga këto të dhëna, Faktoje bëri një kërkim në rrjet me fjalët kyçe ku rezultoi se pretendimi është përhapur fillimisht në rrjetin social Tik Tok ku është shpërndarë dhjetra herë dhe ka marrë deri tani rreth 129 mijë shikime.
Ky pretendim qarkullon të paktën prej 9 muajsh në rrjet me akuzën se “drejtuesit e minierës së Perkoas po shkatërrojnë automjetet e tyre para se të largohen. Reagimi i francezëve para largimit nga Burkina Faso”.
Një kërkim në rrjet lidhur me këtë informacion zbuloi shumë artikuj që lidhen me shkatërrimin e makinave që duken në video. Një postim në Twitter nga gazetari francez në Burkina Faso, Roméo Koeta i quajti automjetet “të rrënuara” dhe “të papërshtatshme për qarkullim” pas përmbytjeve.
Sipas lajmeve lokale atje, një burim anonim i afërt me minierën “Nantou Mining” tha për median Oméga në Burkina Faso se ishte “nënkontraktori i tyre Byrnecut që vazhdoi me heqjen e këtyre automjeteve të papërshtatshme për qarkullim“. Byrnecut është një kompani australiane që punon në minierë. Nëse videoja shihet me kujdes, logoja e Byrnecut është e dallueshme mbi makinat që po shkatërrohen.
Ky informacion është konfirmuar për AFP nga një gazetar i radios kombëtare RTBF, Simon Céphas Bamouni, i cili tha se ishte dëshmitar i ngjarjeve që shiheshin në video. Sipas tij ngjarja ka ndodhur në minierën Perkoa.
“Kjo prishje e makinave është kryer nga nënkontraktori Byrnecut dhe jo nga kompania Trevali Mining Corporation,” tha Simon duke shtuar se “pavarësisht argumenteve të paraqitura nga kompania për të justifikuar shkatërrimin e këtyre automjeteve, popullsia vendase e konsideroi këtë gjë çnjerëzore. Disa banorë do të kishin dashur që këto kamionçina t’u jepeshin shërbimeve shtetërore apo administratave lokale, në vend që t’i shkatërronin.”, citon AFP.
Sipas raportimit të mediave në Burkina Faso, kjo çështje u diskutua edhe në Këshillin e Ministrave të mbajtur në 16 Nëntor 2022 në Ouagadougou. Gjatë mbledhjes Ministri i Energjisë, Minierave dhe Guroreve bëri një komunikim në Këshill në lidhje me shkatërrimin e automjeteve të një nënkontraktori të kompanisë Nantou mining SA, në këtë rast kompanisë Byrnetcut SARL në minierën industriale të Perkoas.
“Pas shkatërrimit të automjeteve në minierën industriale Perkoa, qeveria dërgoi një delegacion në 13 nëntor 2022 në provincën Sanguié, rajoni Qendër-Perëndim për të folur me përgjegjësit e minierës. Duket se gjashtë (06) automjete janë shkatërruar në të vërtetë sipas politikës së kompanisë në lidhje me menaxhimin e automjeteve në fund të jetës, sipas zyrtarëve të minierës”. – thuhet në raportimin e mbledhjes së Këshillit të Ministrave.
Qeveria vendase, e drejtuar nga ushtarakët pas një grushti shteti të zhvilluar në shtator 2022, ka nisur hetimet për situatën fiskale të këtyre mjeteve, në përpjekje për të kuptuar nëse shkatërrimi i tyre ishte i ligjshëm – kështu thuhet në përmbledhjen e mbledhjes së Këshillit të Ministrave të datës 16 nëntor 2022.
Njëkohësisht, nga të dhënat e gjetura në faqen e tyre zyrtare, kompania Byrnecut është kompania australiane që menaxhon minierën Perkoa prej vitit 2016.
Për shkak të historikut të saj të kolonizimit të rajonit, Franca vijon të ketë interesa dhe lidhje të shumta politike dhe investimesh strategjike me vendet afrikane. Afrimi i regjimit aktual ushtarak drejtues të Burkina Fasos me Rusinë si dhe grushti i shtetit së fundmi në Niger, nën ndikimin e mercenarëve të Wagner, po shitet nga propaganda ruse si një çlirim i vendeve afrikane nga tutela e Francës. Këtu gjendet edhe arësyeja përse pronësia e kompanisë që ka shkatërruar makinat e saj të vjetra po shitet online si franceze dhe një veprim i javëve të fundit, përpara largimit të ish-kolonizatorëve.
Nisur nga këto të dhëna publike, rezulton se pretendimi që francezët shkatërruan makinat e tyre përpara se të largoheshin në mënyrë që qytetarët atje të mos kishin mundësi t’i përdornin ato, është i pabazuar.
*Lajmi publikohet në kuadër të bashkëpunimit mes Faktoje dhe Facebook për të luftuar dizinformimin