Nëpër rrathët konspiracionistë po qarkullon pretendimi se vaksinimi anti-Covid shkakton kancer. Verifikimi i Faktoje shpjegon se nuk ka prova që vaksina anti-Covid shkakton apo përkeqëson kancerin.
———————————————————–
Konspiracionistët anti-vaksinë po pretendojnë në rrjet se kompania farmaceutike Moderna ka pranuar se vaksinimi anti-Covid shkakton kancer.
Ky lajm, i cili do të ishte bërë tepër i bujshëm nëse do ishte i vërtetë, nuk është raportuar në ndonjë media serioze që prej kohës së këtij shkrimi.
Ai nuk shoqërohet me ndonjë referencë tek ndonjë dokument apo studim që e mbështet këtë pretendim.
Ndërkohë, sipas koordinatorit të Konsorciumit të Covid-19 dhe Kancerit, një regjistër përkushtuar mbledhjes së të dhënave mbi personat me kancer dhe Covid-19, “që nga fillimi i vaksinimit, nuk ka prova që vaksinat anti-Covid shkaktojnë kancerin, shkaktojnë rishfaqje të kancerit, apo shkaktojnë përkeqësimin e sëmundjes.”
I njejti pohim u përsërit edhe nga një zëdhënës nga Projekti i Njohurisë së Vaksinave në Universitetin e Oksfordit, i cili tha për Reuters se nuk është gjetur një lidhje shkak-pasojë mes vaksinimit dhe kancerit.
Studimet shkencore ose nuk kanë gjetur një lidhje mes vaksinimit në përgjithësi dhe rrezikut të limfomës, ose kanë vërejtur një ulje të këtij rreziku pas vaksinimit.
Një sërë studimesh kanë treguar se vaksinat anti-Covid gjenerojnë qeliza të bardha gjaku, të cilat janë kyç në ngritjen e imunitetit të trupit, specifike për Covid-19. Këto qeliza, të quajtura limfocite-T, ndihmojnë në organizimin e reagimit të sistemit imunitar dhe vrasin qelizat e infektuara me Covid-19. Limfocitet-T luajnë rol të rëndësishëm në mbrojtjen e trupit kundër viruseve dhe baktereve si dhe kundër sëmundjeve si kanceri.
Qendra amerikane për Kontrollin e Sëmundjeve (CDC) dhe një numër organizatash me fokus kancerin këshillojnë që pacientët me kancer të vaksinohen kundër Covid-19.