Pretendimi: Kjo është video e ceremonisë mortore në fushën e futbollit të 14-vjeçarit të vrarë në shkollë
Verdikti: E pavërtetë
Ngjarja tronditëse në shkollën “Fan Noli” në Tiranë, ku humbi jetën 14-vjeçari Martin Cani, mbeten në qendër të vëmendjes së opinionit publik. Duke shfrytëzuar këtë interes, në rrjetet sociale është shpërndarë së fundi një video që pretendohet se i përket ceremonisë mortore të të miturit.
Postimet e shpërndara në rrjetet sociale
Në këtë video shfaqet një arkivol i vendosur në një fushë futbolli, një i ri që imiton një pasim për të shënuar gol dhe më pas i gjithë ekipi që vrapon për t’i dhënë lamtumirën e fundit shokut të tyre të skuadrës.
Mirëpo, nëse do të shohim me vëmendje videon, duket qartë që nuk ka të bëjë me ceremominë mortore të adoleshentit Martin Cani. Pranë arkivolit shihet një shall sportiv ku shkruhet në italisht ‘calcio’ (futboll). Gjithashtu, në shallin sipër arkivolit janë ngjyrat e flamurit të Italisë, jeshile, bardhë dhe e kuqe.
Veç kësaj, nëse do të shohim uniformën që mban veshur një prej fëmijëve në video, nuk duket si ajo e ekipit të Dinamos, klubi sportiv ku luante 14-vjeçari Cani. Edhe në një kërkim të bërë në internet, nuk rezulton të ketë pamje të tilla nga ceremonia mortore e 14-vjeçarit, Martin Cani.
Mesa duket portalet dhe përdoruesit në rrjetet sociale kanë tentuar të tërheqin më shumë klikime dhe ndjekës duke i lidhur të dyja ngjarjet.
Martin Cani, vetëm 14-vjeç, humbi jetën pasi u godit me thikë në zemër nga shoku i tij i shkollës, duke theksuar shqetësimin për një shoqëri të dhunshme ku po rritet fëmijët e sotëm.