Pretendimi: Presidenti i Real Madrid, Florentino Perez, ka sulmuar presidentin e FShF Armand Duka për zgjedhjen e lojtarit që mori Topin e Artë
Verdikti: Mungon konteksti
——————————————————
Një deklaratë e presidentit të klubit të futbolllit Real Madrid, Florentino Perez, është keqinterpretuar në artikullin e Gazeta Tema që mban titullin “Perez “sulmon” Armand Dukën: Vinicius do kishte fituar, po të mos votonte Shqipëria.”
Në brendinë e vetë artikullit, Perez citohet të ketë thënë: “Këtë vit duhet të fitonte një lojtar i Real Madrid, cilado të ishte rregullorja. E meritonte Vinicius, por edhe Karvahal, apo Bellingham. Por ndryshoi metodologjia e votës. Pastaj, është e pabesueshme, që me golbalizmin në sport, ka gazetarë që nuk e vendosën Vinicius në dhjetëshen e parë. Nëse gazetarët e Namibisë, Ugandës, Shqipërisë dhe Finlandës nuk do të kishin votuar, atëherë Vinicius do të kishte fituar.”
Siç vërrehet, Perez nuk ka përmendur as Dukën, as FShF. Kjo sepse Federata Shqiptare e Futbollit nuk ka të bëjë me përzgjedhjen e fituesit të Topit të Artë.
Sipas UEFA, e cila këtë vit ka qenë bashkë-organizatore e garës krahas Groupe Amaury, pronarët e medias sportive “France Football”, “Topi i Artë jepet nga një juri ndërkombëtare gazetarësh të specializuar, me një përfaqësues për çdo shtet.”
Prej vitit 1987, Shqipëria përfaqësohet në këtë juri gazetarësh sportive nga gazetari Besnik Dizdari. Si themelues dhe president i Shoqatës së Gazetarëve Sportivë Shqiptarë, anëtare e Shoqatës Botërore të Gazetarëve Sportivë, si dhe kontributit të tij të shquar në gazetarinë sportive, Dizdari voton prej 37 vitesh për futbollistët më të mirë.
Kjo nuk është hera e parë që votimi i jurisë së gazetarëve ngjall debate nga futbollistët apo përfaqësuesit e klubeve. Si një titull i dhënë nga një media sportive është më e pranueshme që të jenë gazetarët ata që votojnë për një çmim të tillë.
Çmimi i Topit të Artë u konceptua nga kryredaktori i revistës së njohur sportive France Football Gabriel Hanot, i cili kërkoi nga kolegët e tij për të votuar për një lojtar të vitit në Evropë në vitin 1956. Çmimi u bë global në vitin 2007, duke kualifikuar të gjithë lojtarët profesionist në çdo klub të botës. Gjithashtu, trajnerët dhe kapitenët e ekipeve kombëtare fituan të drejtën e votimit për të zgjedhur fituesin. Kjo praktikë u ndal në vitin 2016.
France Football ndryshoi rregullat për Topin e Artë në vitin 2022, duke vendosur që një juri ndërkombëtare gazetarësh të specializuar, me një përfaqësues për çdo vend, do të përcaktonte fituesin e çmimit nga 100 futbollistët më të mirë në renditjen më të fundit botërore të FIFA-s.